Kika, i sulmuar. Djemtë bëjnë fjalë me të
Vëllai i Madh u ka prezantuar banorëve provën e javës. Ajo ka të bëjë me një lojë të quajtur paintball. Për të realizuar këtë lojë, ata do të ndahen në tri skuadra me nga tre lojtarë. Ndërkaq, biseda të zakonshme, por edhe lojëra të tjera kanë vijuar mes banorëve.
Jona acarohet me MirinKlodit, duke kërkuar disa sende personale, i shkojnë sytë mbi dollap, ku shikon një çantë rozë. Ai ia tregon Domenikës dhe ajo mendon se mund të jetë e Jonës. Sapo Jona futet në dhomë, Klodi i tregon çantën mbi dollap. Jona mërzitet sapo e shikon dhe mendimi i parë që i shkon ndërmend është se aty e ka vënë Jetmiri. Ajo niset drejt dhomës së ndenjjes, ku ndodhet ai dhe e pyet. Miri ia kthen se nuk di gjë, ndërsa Jona pyet edhe Hakiun me Erionin, të cilët po ashtu mohojnë se kanë lidhje me këtë ngjarje. Jona i drejtohet sërish Mirit, duke e akuzuar indirekt, por ai me bindje ia kthen se nuk di gjë. Ajo shkon sërish në dhomën e gjumit dhe Seldi, që shikon gjithë skenën, shprehet se këto janë lojërat e Mirit. Për Jonën, këto nuk janë lojëra për të qeshur. Seldi e këshillon që ajo herë tjetër të mos merret më me Mirin, e madje të mos reagojë fare, pasi sipas tij, Miri atë do. Jona merr çantën dhe e mërzitur shprehet se është acaruar nga kjo lojë, sepse këto sende i ka merak, pasi janë dhuratë nga mamaja e të dashurit.
Miri dhe Hakiu, ngacmimeHakiu, Jetmiri dhe Erioni fillojnë të diskutojnë për famën që kanë marrë nga ky format televiziv. Hakiu shprehet se gjithçka ka për t’u dukur kur të jenë jashtë dhe aty kanë për ta parë realisht ndryshimin te të gjithë banorët. Sipas Mirit, mundësitë që do t’u jepen kur të përfundojnë këtë aventurë, nuk lidhen vetëm me fatin, por edhe në sajë të njohurive që kanë. Ai shprehet se e rëndësishme për të është që të mbahet mend si një njeri i mirë, për gjëra të mira e jo për të këqija. Erioni mendon se edhe vetëm një veprim i keq bën që ata të mbahen mend për keq. Hakiu, nisur nga këto fjalë, pyet Mirin se përse do mbahet mend këtu. Miri ia kthen me kundrapyetje, se përse do mbahet mend Hakiu, ndërsa për veten nuk kthen përgjigje, por thjesht thotë se sapo ka filluar nga të vetat. Miri drejtohet nga Erioni, duke parashtruar sërish pyetjen për Hakiun dhe shton se Hakiu do mbahet mend vetëm për gjumin dhe për recitimin e poezive. Hakiu qesh dhe e kundërshton, duke i thënë se ai, Miri, nuk ka për t’u mbajtur mend veç për gjërat e këqija që ka bërë. Miri thotë se ai e ka mbajtur zgjuar Hakiun, ndërsa ky i fundit e mohon duke thënë se s’ka nevojë për krahun e askujt për t’u mbajtur, kurse të dy djemtë duken seriozë në fytyrë.
Ngacmime mes Klodit dhe HakiutFillimisht Jona e më pas edhe Klodi vijnë për t’u folur djemve që kanë pirë cigare në tualet. Klodi shkon në kuzhinë për të përgatitur diçka për të ngrënë. Tre djemtë e tjerë vazhdojnë ende me batuta e me shaka me njëri-tjetrin, ndërsa në bisedë përfshihet edhe Klodi. Ata vënë re se Klodi kërkon të bëjë fjalë me Hakiun. Kështu batutat e tyre nuk janë më për të qeshur, por kuptimplote e paksa ironike. Ndër të tjera, Klodi i thotë Hakiut se i vjen mirë që i është kthyer buzëqeshja. Hakiu ia kthen se është merita e tij, që ia ka kthyer buzëqeshjen, sidomos këto dy të shtunat e fundit, duke nënkuptuar debatet që kanë pasur mes njëri-tjetrit dhe faktit që nuk flasin shumë. Ai shprehet se meqë ka këto merita, këtë të shtunë nuk do ta nominojë. Klodi ia kthen se pak rëndësi ka për të nëse e nominon apo jo. “Nuk trembem nga këto gjëra”, vazhdon ai dhe shton se herët a vonë do ia fusin njëri-tjetrit nominimin, se lojë e tillë është. Klodi i kujton se këto fjalë kanë qenë të Hakiut. Djemtë e tjerë fillojnë të qeshin e ta ngacmojnë Kikën, ndërsa ai e mohon se i ka përdorur këto fjalë.
Prova e javësJona u komunikon banorëve se si provë javore do të zhvillojnë atë të paintball-it. Ata do të ndahen në tri skuadra me nga tre lojtarë. Në fushë, fillimisht do të ndeshen dy skuadrat e para, pastaj, skuadra fituese do ndeshet me skuadrën e tretë. Secili lojtar ka numrin e vet të ngjitur mbi jelekun e uniformës.
Skuadra e parë përbëhet nga Erioni, Domenika dhe Hakiu.Skuadra e dytë nga Miri, Klodi dhe Manal. Skuadra e tretë nga Seldi, Jona dhe Mandi. Skuadrat do të ndeshen me armët përkatëse. Ata duhet të jenë të pozicionuar pas depozitës së madhe. Qëllimi i lojës është që të arrijnë të kapin flamurin që ndodhet në qendër e më pas ta kthejnë në bazë, te depozita e madhe. Flamurin duhet ta mbrojnë për tri minuta, ndërkohë që vazhdojnë të ndeshen me skuadrën kundërshtare. Nëse gjatë lojës, njëri nga pjesëtarët e grupit qëllohet me bojë nga kundërshtari, ai duhet të ngrejë duart, të dorëzojë armën e të largohet menjëherë nga loja, por mos ta heqë maskën që mban.
Mandi debaton me HakiunTë gjithë banorët duket sikur duan të grinden me Hakiun. Pas Erionit, Mirit dhe Klodit, ka qenë radha e Mandit për të nisur një tjetër zënkë me Hakiun. Banorët kanë organizuar një lojë me dënime dhe dënimi që i ka rënë Kikës, ka qenë të puthte në faqe Mandin. Haku refuzon ta realizojë dënimin. Për shkak të këtij veprimi, Mandi është shprehur se nëse Hakiu ka diçka, bën mirë t’ia thotë. Hakiu habitet dhe ia kthen se nuk ka asgjë personale me të. Ai justifikohet duke i thënë Mandit se kur të takohen apo të përshëndeten, mund të puthen, por nuk i pëlqen ta bëjë këtë për lojë. Për të tilla takime Mandi thotë se janë të shtirura. “Ka njerëz që janë falsë, si ky zotëria e ka njerëz që janë të vërtetë”, shprehet ai, ndërsa shton se Kika është i tillë, pasi çdo javë sillet ndryshe nga java tjetër, duke folur për nominimet. Ai konstaton se kur Kika është në nominim, nuk flet, ndërsa kur nuk është, i sulmon banorët.
Erioni këshillon KikënPas debatit, Kika del jashtë me Erionin. Teksa pinë cigare, diskutojnë me njëri-tjetrin. Erioni e këshillon Kikën duke i thënë që të mos nervozohet nga provokimet dhe ngacmimet e të tjerëve. Kika i thotë se ai u ndje i ofenduar nga Mandi, prandaj dhe u nervozua gjatë debatit. Erioni e këshillon që në debate të tilla, kur banorët e kundërshtojnë dhe e provokojnë, të mundohet që të ruajë qetësinë që e karakterizon dhe të mos bjerë pre e tyre. Kika i nervozuar i thotë se është fyese kur dikush të thotë “ti nuk flet mirë shqip, shko merr një profesor dhe mësoje” dhe në këtë rast interpreton fjalët e Mandit. Erioni vazhdon t’i thotë që të mundohet ta ruajë sa më shumë qetësinë, në mënyrë që të mos e tejkalojë, sepse debate të tilla në jetën e përditshme kalojnë në zënka, fyerje e ndoshta dhe më tepër. Kika i thotë se kur e prekin në gjëra të tilla dhe kur e ofendojnë, ai nuk do t’ua lërë për mbarë asnjëherë. Erioni e kundërshton, duke i thënë se një përgjigje e thjeshtë do të bënte që ai të shmangte nervozizmin, por edhe do të pengonte ngacmimet e banorëve të tjerë. Më pas, të dy pinë cigare në heshtje për disa minuta. Pas kësaj, Erioni shkon brenda duke i thënë Kikës se ka ftohtë, ndërsa Kika qëndron edhe për pak çaste aty.
Zgjim i herët dhe me humorKlodi zgjohet herët në krahasim me ditët e tjera. Ai del jashtë dhe qëndron për disa minuta i vetëm, duke marrë rrezet e para të diellit. Klodi hyn përsëri në dhomën e gjumit dhe fillon të këndojë me zë të lartë edhe aty, për të zgjuar banorët e tjerë. Banorët fillojnë t’i flasin që të pushojë, sepse është akoma herët që të zgjohen. Klodi shkon përsëri në kuzhinë dhe fillon të pastrojë. Aty vjen Erioni, i vetmi që çohet nga zhurma që shkaktoi ai. Të dy shkëmbejnë shaka dhe batuta me njëri-tjetrin, ndërsa Klodi vazhdon të këndojë me zë të lartë. Klodi i çon kafe Mandit në dhomën e gjumit, por Mandi i shqetësuar nga zhurma i thotë se ai nuk pi kafe pa ngrënë mëngjes. Pas kësaj, Klodi shkon në kuzhinë dhe bashkë me Erionin fillojnë të këndojnë të dy me zë të lartë.
Këngë, shaka dhe të qeshuraPas Erionit, në kuzhinë vjen edhe Kika, i cili e pyet Klodin përse i zgjoi nga gjumi. Klodi i përgjigjet se, ndryshe nga Kika, ai i zgjoi me ëmbëlsi, me këngë. Të tre djemtë qeshin me përgjigjen e tij dhe fillojnë të ngacmohen me njëri-tjetrin me shaka. Ata këndojnë duke ngacmuar secilin prej tyre, duke kënduar këngë tradicionale të zonës nga ata vijnë, por edhe duke i transformuar tekstet e tyre. Kështu mëngjesi i sotëm zhvillohet kryesisht nën nota harmonie dhe nën një atmosferë të ngrohtë nga shakatë dhe të qeshurat. Përveç shakave, nuk mungojnë edhe diskutimet serioze, ku Kika dhe Erioni ankohen për gjumin dhe më pas ata komentojnë lojën që bënë një ditë më parë. Më pas ata dalin jashtë për të shijuar ditën e bukur dhe Vëllai i Madh ndez muzikën dhe dritat e dhomës së gjumit, ku banorët vazhdojnë të flenë ende. Pas kësaj, banorët fillojnë të zgjohen një e nga një të gjithë, ndërsa ata që janë zgjuar më herët, kanë dalë jashtë për të shijuar ditën e bukur dhe motin e ngrohtë.
#