Rama dhe Motto, takim për operacionet e radhës
Kryeprokurori i Leçes është takuar edhe me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama dhe kanë diskutuar mbi probleme të ndryshme për dy prokuroritë respektive. Biseda mes Kryeprokurores Ina Rama dhe Motto-s është përqendruar në çështje konkrete në interes të të dyja palëve, që janë në hetim e ndiqen në mënyrë paralele nga dy prokuroritë. Gjatë bisedës mes palëve është folur me terma konkrete për një bashkëpunim më të ngushtë, për gjetjen e metodave dhe rrugëve sa më të efektshme për hetime me interes të dyanshëm. Në bisedën e tyre është prekur çështja e shtetasve shqiptarë, që kanë kryer vepra kriminale si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali, ku për këtë fakt nevojitet bashkëpunim e fleksibilitet për të arritur rezultate konkrete. Motto, në këtë vizitë shoqërohej edhe nga Komandanti i Guardia di Financa për rajonin e Leçes, Patrizio Vezzoli. Me kolonel Vezzoli-n është diskutuar bashkëpunimi edhe në drejtim të policisë. Takimi i djeshëm mes dy palëve vjen pas atij të zhvilluar pak kohë më parë në Leçe, vizitë e cila u finalizua me një operacion të përbashkët dhe të suksesshëm për arrestimin e dhjetëra shtetasve shqiptarë dhe të huaj që akuzohen për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike.
#