E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët e Kosovës, trajnim në Parlamentin shqiptar

Takimi Topalli: Do të ndihmojmë me përvojën tonë legjislative

Kuvendi i Shqipërisë dhe ai i Kosovës do të intensifikojnë bashkërendimin e punës, veçanërisht në fushën legjislative. Përfaqësues të Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Bahri Hysenaj, kanë qëndruar dje në zyrën e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e më pas në Komisionin e Ligjeve, në një bisedë të hapur e konkrete për shfrytëzimin e të gjitha mundësive për një bashkëpunim në kuadrin legjislativ. Delegacioni parlamentar i Kosovës shprehu interes për marrjen e përvojës nga Kuvendi i Shqipërisë në hartimin e legjislacionit bazë, por në mënyrë të veçantë, për përafrimin e ligjeve të brendshme me legjislacionin europian. Topalli tha se Kuvendi i Shqipërisë mbetet i hapur për dhënien e përvojës, jo vetëm në çështjet ligjore, por edhe të çdo interesi në shërbim të bashkëpunimit për konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve në Kosovë. Ajo vlerësoi punën e Kuvendit dhe institucioneve të Kosovës në ecjen e shpejtë me hapa të sigurt në forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë. Duke folur mbi axhendën parlamentare, Kryetarja e Kuvendit tha se, rreth 150 ligje të kaluara në këtë fillim legjislature janë pjesë e rëndësishme, jo vetëm e plotësimit të detyrimeve për heqjen e vizave dhe përafrimit me BE në, por edhe bazë e reformave të mëdha ligjore e ekonomike. Deputetët e Kosovës thanë se në çdo vizitë të tyren në Shqipëri shohin gjithnjë e më shumë transformimin dhe ecjen galopante infrastrukturore dhe ekonomike të Shqipërisë duke e konsideruar një model zhvillimi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›