Kouchner: Kosova dhe Serbia në BE si vende të pavarura
Ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Bernard Kouchner, në fjalën e tij mbajtur në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, konstatoi se pavarësia e këtij vendi është lëvizje e historisë, të cilën askush nuk mundet ta ndryshojë dhe se tani Serbia dhe Kosova duhet të punojnë për të ardhmen e tyre në kuadër të BE, si dy shtete sovrane.
Pavarësia juaj nuk është në pyetje. Kjo është lëvizje e historisë. Asgjë dhe askush nuk mund ta parandaloj këtë lëvizje të historisë. Një ditë Kosova dhe Serbia do të gjenden në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian si dy vende të pavarura, u shpreh ai. Sipas Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë kusht për integrimin e tyre në Bashkimin Evropian, tha sot në Prishtinë ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kouchner.
Shefi i diplomacisë franceze, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, tha ndër të tjera se Serbia dhe Kosova duhet të nisin pajtimin dhe ti normalizojnë marrëdhëniet, proces ky i gjatë dhe jo i lehtë. Por, Kouchner inkurajoi të dyja vendet që të nisin procesin e dialogut. Pajtimi është i mundshëm pavarësisht nga vuajtjet e së kaluarës. Konfliktet e dekadave të fundit e kanë ndarë rajonin, por tani ato duhet të mbeten prapa dhe të fillojë bashkëpunimi ndër-rajonal, që do ta shpejtojë integrimin e vendeve të rajonit në BE. Unë nuk e di datën, por e di se një ditë, Kosova dhe Serbia do ti marrin vendet e tyre si dy shtete në Bashkimin Evropian, theksoi Kouchner. Ndër të tjera ai shtoi se popujt e Ballkanit e duan Evropën dhe kandidaturat e tyre do të shqyrtohen, duke bërë të qartë se një prej kushteve për këtë integrim do të jetë edhe roli që këto vende do të luajnë në fqinjësi.
Pavarësia e Kosovës, e pakthyeshme
Ndërsa apeloi për dialog, shefi i diplomacisë franceze, Kouchner përsëriti qëndrimin e prerë të Parisit se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Pavarësia e Kosovës nuk është më në pyetje. Kjo është çështje e kryer dhe lëvizje e historisë, e cila nuk mund të ndryshohet më me asgjë. Me pavarësimin e Kosovës, ka përfunduar një punë e madhe, u shpreh ai duke shtuar se në fillimin e rrugës së re, Kosova nuk do të jetë e vetmuar. Në këtë drejtim ai i premtoi asaj mbështetjen e Francës. Ai e çmoi lart gatishmërinë e kosovarëve që, përkundër shumë sakrificave, dhimbjeve e vuajtjeve që u ka sjellë lufta për liri, tani janë të gatshëm që të nisin procesin e pajtimit. Keni besuar në një shoqëri demokratike e shumetnike, kurse tani duhet ta ndërtoni këtë shoqëri, theksoi ministri francez. Si edhe shumë zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë që kanë vizituar Prishtinën, edhe Kouchner apeloi për reforma në sistemin e drejtësisë dhe më shumë angazhime në luftimin e korrupsionit. Pa një sistem të pavarur e efikas të drejtësisë dhe një administratë të zhvilluar, Kouchner tha se shteti e humb kuptimin që ka. Reformat në drejtësi duhet të vazhdojnë. Qytetarët duhet të kenë besim në drejtësinë e shtetit të tyre. Funksionarët e administratës duhet të jenë të pavarur nga politika. Tani duhet të krijoni një klimë besimi që qytetarëve tu kthehet besimi. Duhet ta luftoni korrupsionin, duhet të vazhdohet me transparencë si dhe të realizohet privatizimi duke i garantuar të drejtat punëtorëve dhe investitorëve, ka thënë Kouchner në fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Gjatë vizitës në Prishtinë, ministri i Punëve të Jashtme të Francës, ka zhvilluar takime të ndara me presidentin Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni. Po ashtu, ai pritet të realizojë takime edhe me përfaqësuesit e pranisë civile ndërkombëtare, si dhe me ata të komunitetit serb. Bernard Kouchner gëzon një simpati të veçantë në Kosovë, ku kishte shërbyer si shef i parë i Misionit të Kombeve të Bashkuara pas përfundimit të luftës. Gjatë 18 muajve sa ishte në krye të UNMIK, Kouchner ka ndihmuar në krijimin e sistemit të ri politik dhe administratës civile në Kosovë.
Kouchner, Serbisë: Normalizoni marrëdhëniet me Kosovën
Ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kouchner, gjatë vizitës së tij në Beograd është takuar me zyrtarët më të lartë të Serbisë, me të cilët, sipas mediave serbe, ka biseduar rreth integrimeve evropiane dhe përparimit të marrëdhënieve me Kosovën. Pas takimit me të, kabineti i presidentit serb, Boris Tadiç, përmes një komunikate për gazetarët tha se Franca mbështet anëtarësimin e Serbisë në BE. Pohohet po ashtu se Serbisë nuk do ti shtohet asnjë kusht shtesë në këtë rrugë. Siç theksohet, presidenti Tadiç ka thënë se Serbia pret që pas dhënies së mendimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do ti hapet rruga për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe kompromise për Kosovën. Në një intervistë për B92, Bernard Kouchner ka thënë se marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën duhet të jenë më të thjeshta dhe në baza miqësore. Ato marrëdhënie duhet të jenë më pak të tensionuara meqë kjo do të lehtësojë të ardhmen e Serbisë në BE. Presidenti Sarkozy dhe unë nuk kërkojmë nga Serbia të njohë Kosovën, por kërkojmë të nisë procesi i dialogut, i angazhimit, e relaksimit, normalizimin e marrëdhënieve, ka sqaruar Kouchner.