Kili/ Pronarët e minierës kërkojnë ndjesë, ushqime për minatorët
Mbërrijnë ushqimet e para të ngrohta për 33 minatorët e bllokuar në një minierë të Kilit që nga data 5 gusht. Ata janë bllokuar në galerinë e minierës San Josè, në veri të Kilit, në një thellësi prej 700 metrash. Lajmi është konfirmuar nga mjekët të cilët janë në detyrë në këtë zonë. Gjatë ditës nis edhe shpërndarja dhe furnizimi me oriz, mish dhe pulë. Ndërkaq, me pak vonesë, mbërrin edhe ndjesa nga ana e pronarëve të minierës, ku ka ndodhur aksidenti. Në një seancë në parlament, pronarët e mineirës së San Jose-së kanë kërkuar falje për ngjarjen e ndodhur në 5 gusht. Aktualisht po punohet për të hapur një tunel të ri dhe besohet se duhen 3 ose 4 muaj që pajisja 30 tonëshe, që ngjason me një trapan gjigand, të gërmojë deri në 700 metra thellësi. Në vendngjarje ka mbërritur edhe një grup ekspertësh nga NASA, qendra amerikane e hapësirës, për të furnizuar me ndihmë mjekësore dhe psikologjike. Michael Duncan, mjeku dhe shefi i grupit, ka deklaruar se detyra kryesore me të cilën ata do të përballen, është që minatorët të mos bien në dëshpërim.