Kili, nis operacioni për shpëtimin e minatorëve
Ka nisur mengjësin e së hënës operacioni për shpëtimin e 33 minatorëve të bllokuar në një minierë të Kilit rreth 700 metra nga sipërfaqja e Tokës. Sipas inxhinierit që udhëheq punimet, Andre Sougarret, do të gërmohet me një trapan gjigand të ardhur nga Australia, një operacion që do të zgjasë 3 ose 4 muaj. Pusi që do të hapet do ketë një diametër 66 cm, nga e cila do dalin 33 minatorët e bllokuar që në datën 5 gusht. Shpimi i pusit do të bëhet nëpërmjet aparaturës gjigande autraliane, "Strata 950". Minatorët e bllokuar kanë në dispozicion ajër të pastër, të pa toksikuar si dhe burime uji. Pajisje shpuese e sjellë nga Australia për të ndihmuar inxhinierët e shpëtimit në Kili, besohet se do të përshpejtojë në mënyrë dramatike shpëtimin e 33 minatorëve të bllokuar në një pjesë të shembur të minierës. Por inxhinierë thonë se zgjerimi i një tunel tjetër ekzistues mund të arrijë tek minatorët e bllokuar për dy muaj. Ndërkaq minatorët që kanë mbetur nën tokë në Kili për më shumë se tre javë, kanë kontaktuar për herë të parë me telefon me të afërmit e tyre. 33 minatorët folën me rradhë me familjet e tyre, nga një minutë secili. Psikologët kishin këshilluar të afërmit e tjerë, që të ruanin qetësinë e të mos shprehnin shumë emocione gjatë bisedave.