Kim takon kryetaren e Kushtetueses, Holta Zaçajn: E rëndësishme pavarësia dhe integriteti i gjykatave

Ambasadorja amerikane Yuri Kim është takuar këtë të enjte (25 maj) me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj, ku ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-së në reformën në drejtësi.
Ambasadorja deklaroi se reforma në drejtësi është e rëndësishme për pavarësinë dhe integritetin e gjykatave, si një kusht gjithashtu edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Sot takova Holta Zaçajn për ta uruar për zgjedhjen në krye të Gjykatës Kushtetuese. SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm reformën në drejtësi në mënyrë që gjykatat të funksionojnë të pavarura dhe me integritet.
Kjo është kërkesa e drejtë e qytetarëve, e nevojshme për të tërhequr më shumë investime dhe e nevojshme për anëtarësimin europian . I urojmë gjyqtarit Zaçaj dhe të gjithë gjyqtarëve të tjerë mençuri dhe sukses në përmbushjen e detyrës”, shkruan Kim në rrjetin social Twitter.
Gjykata Kushtetuese zgjodhi më 20 shkurt Holta Zaçajn, në krye të këtij institucioni, duke zëvendësuar në këtë detyrë Vitore Tushën. Zaçaj arriti të siguronte 5 vota, duke u zgjedhur kështu kryetare e Kushtetuese për 3 vit. Për këtë pozicion, shprehën interes edhe 2 gjyqtaret, Fiona Papajorgji dhe Marjana Semini.
Teksa kandidatet për pozicionin duhet të siguronin 5 vota, kujtojmë se në raundin e parë, Fiona Papajorgji siguroi 3 vota, Marjana Semini 2 vota dhe Holta Zaçaj 4 vota, ndërsa në raundin e të treja gjyqtares siguruan numër të njëjtë votash, arsye për të cilën u shty në raundin e tretë zgjedhja e Kryetares së Kushtetueses.
Si procedurë, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtuese, për një periudhë 3-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
/rtsh.al/