Kina do të blejë miliona ton qymyri nga Australia
Një miliarder australian ka bërë të ditur se ka nënshkruar marrëveshjen më të madhe të eksportit të arritur ndonjëherë në vend, duke i shitur miliona ton qymyri Kinës.
Clive Palmer thotë se kompania e tij, Resourcehouse, ka siguruar një marrëveshje afatgjatë me vlerë më shumë se 60 miliardë dollarë amerikanë për të furnizuar Kinën, me afro 40 milionë ton qymyri në vit.
Plani përfshin ndërtimin e një kompleksi të ri minierash në shtetin australian të Queensland, dhe ndërtimin e afro 500 km hekurudhë për në bregdet.
Pjesa më e madhe e termocentraleve në Kinë mbështetet te qymyri dhe kërkesa është rritur ndjeshëm në muajt e fundit pas një programi të qeverisë për të rigjallëruar ekonominë kineze.