Majko: Në vitin 2008 kujtuam se Berisha ishte një gjynahqar që po ikte nga pushteti
Në këto ditë të nxehta ngushti, pa lajme e pa opozitë, gazetarët i janë referuar thuajse në shumicë një interviste të Pandeli Majkos, anëtar i kryesisë socialiste. Në atë intervistë të bie në sy deklarata se PS kishte kujtuar në vitin 2008, pas Gërdecit, se Berisha ishte një gjynahqar në ikje, ndaj i ka bërë ndryshimet kushtetuese.
Në ndryshimet kushtetuese të 2008-s opozita ra në psikozën e post-Gërdecit, ku marrja e pushtetit konsiderohej çështje e mbyllur dhe Berisha një gjynahqar në ikje. Këto ndryshime kushtetuese, së bashku me Kodin Zgjedhor, ndërtuan një sistem votimi, i cili është thuajse absurd. Matematikisht në Shqipëri, në 12 zonat zgjedhore të krijuara me këtë sistem, ato që vendosin për diferencën midis palëve në garë, pra për fitoren e vendeve në Parlament, janë zonat zgjedhore me numër tek deputetësh. Këto zona janë Shkodra, Durrësi, Lezha dhe Gjirokastra, të cilat me këtë sistem zgjedhor lënë në hije zonat e tjera. Në zonat zgjedhore me numër çift deputetësh, diferenca në bazë të këtij sistemi nuk realizohet thuajse fare (del barazim rezultati i ndarjes së deputetëve). Kjo ndodh sepse kërkohet një distancë e madhe votash për një palë nga tjetra për të pasur diferencë deputetësh e jo barazim. (Përjashtim bëri në zgjedhjet e kaluara vetëm Kukësi). Po ti shtosh pastaj edhe mangësitë e regjistrimeve dhe metodat e njohura të dublimeve, kjo e bën situatën kolapsuese dhe me një mosbarazi të legjitimuar vote. Ky sistem që në tavolinë e vendos të majtën në pozitë të pabarabartë. Kjo, sipas meje, do të jetë një diskutim i rëndësishëm dhe nuk do çuditesha nëse maxhoranca politike ta refuzonte hapjen e një diskutimi të tillë. Është e kuptueshme, tha Majko.
Po tani që kërkon sërish ndryshime kushtetuese, sërish opozita mendon se Berisha është një fakir në ikje?