Berisha: Shqipëria mund të rrisë kontributin në njësitë e KFOR
Kryeministri Sali Berisha u ka sqaruar në mbledhjen e qeverisë ministrave të tij edhe takimin me homologun kosovar, Hashim Thacci. Berisha tha se veriu nuk mund të lihet në dorën e disa kontrabandistëve. Ai shprehu vullnetin që Shqipëria të shtojë numrin e trupave të saj në KFOR.
Me qeverinë e Kosovës kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm. Mendoj se një grusht kontrabandistësh, aventurierësh apo edhe falanga të Serbisë së Madhe, të kërcënojnë rendin kushtetues të një vendi të lirë dhe të pavarur përbën një gjë shumë të rëndë. Ndaj dhe qeveria e Kosovës në mënyrën më legjitime ka ndërhyrë me të drejtën e saj kombëtare dhe ndërkombëtare për të vendosur kontrollin në pikat doganore në kufirin verior. Kjo pasi autoritetet e Kosovës në diskutimet në Bruksel kishin rënë dakord që në këto pika, në një periudhë kalimtare, në vulë të shkruhej dogana e Kosovës. Kontrabandistëve dhe delinkuentëve nuk u intereson asnjëlloj vule, përveçse shndërrimit të zonave të tyre në qendra të kontrabandës rajonale.
Ne kemi përshëndetur qëndrimin e qeverisë, kemi përshëndetur vendosmërinë e KFOR-it. Këto falanga qëlluan mbi njësitë tokësore dhe ajrore të KFOR-it.
Duke mbështetur qeverinë e Kosovës në kontrollin e plotë të kufijve, ne bëjmë thirrje që këto zhvillime të mos shënojnë një bllokim të procesit të negociatave, të procesit të Brukselit. Është rasti që Beogradi të faktojë se është shkëputur nga ankthi i Serbisë së Madhe. Unë vlerësoj cilësimin që i bëri Tadiç këtyre grupeve. Nuk përjashtohet mundësia që të kenë lidhje me kontrabandistë shqiptarë, por ata e kanë frymëzimin në Beograd dhe është në interesin më të mirë që dy vendet të angazhohen në luftën kundër kontrabandës. Embargo e Kosovës ndaj mallrave serbe është një akt tërësisht i imponuar. Unë kam bindjen se situata është nën kontrollin e autoriteteve të Kosovës. Prania e KFOR është një faktor madhor paqeje dhe stabiliteti.
Shqipëria mund të rrisë kontributin tonë në KFOR, natyrisht jo në zonat problematike. Ne jemi të gatshëm të rrisim kontributin tonë në njësitë e KFOR, tha Berisha.