Kina konfiskon fëmijët e jashtëligjshëm
Para vitit 1997, ata zakonisht neve na ndëshkonin duke na i rrëzuar shtëpitë për shkak të mospërfilljes së politikës së tyre një fëmijë… Pas vitit 2000, ata filluan që të na konfiskojnë fëmijët tanë. Kështu i përshkruan Yuan Chaoren, një fshatar nga provinca Hunan, sjelljet e burokratëve të planifikimit familjar në Kinë. Sipas magazinës Caixin, zyrtarët lokalë i marrin fëmijët e jashtëligjshëm të çifteve dhe i dërgojnë në jetimore, ku ata nxirren për adoptim.
Prindërit e huaj adoptues paguajnë shuma nga 3.000 deri në 5.000 dollarë amerikanë për adoptimin e një fëmije. Zyrtarët mbushin xhepat nga haraçi.
Zyrtarët kinezë janë të lidhur fort për politikën një fëmijë. Ata ia atribuojnë asaj gati çdo rënie në shkallën e pjellorisë dhe çdo lindje të shmangur: nja 400 milionë njerëz, pretendojnë ata, do të ishin lindur po të mos ekzistonte politika parandaluese. Ky është trillim i pakuptim.
Pjelloria kineze veçse kishte filluar të shënonte rënie me dekada para hyrjes në fuqi të politikës një fëmijë në vitin 1979. Por, politika kufizuese pothuajse sigurisht e ka reduktuar pjellorinë nën shkallën në të cilën ajo do të binte vetë natyrshëm.
Si rezultat, Kina ka një prej shkallëve më të ulëta në botë të vartësisë, me afro tre të rritur aktivë ekonomikisht për çdo fëmijë të varur apo person të moshuar.
Ndërmjet vitit 2000 dhe 2010, përqindja e personave nën 14-vjeç mbajtësit e ardhshëm të prindërve ka rënë nga 23% në 17% për qind. Vendi lindor tani ka shumë pak të rinj. Ai ka rreth tetë njerëz të moshës për punë për çdo person mbi 65 vjeç. Më 2050, pritet të ketë vetëm 2.2. Kufizimet gjithashtu kanë kontribuar në veçori të tjera të tmerrshme të jetës familjare, veçanërisht në praktikën e abortimit të femrave në mënyrë që fëmija i vetëm të jetë djalë.
Demografia është si tanker i madh nafte; duhen vite të tëra për të bërë kthesë. Ajo do të paraqesë disa prej problemeve më të mëdha për Kinën në të ardhmen. Udhëheqja e vjetër e vendit është e lidhur me politikën një fëmijë, por udhëheqja e re, e cila pritet të vijë në pushtet vitin e ardhshëm, mundet dhe duhet të realizojë ndryshime. (The Economist)