E Diel, 1 Nëntor 2026

Kina kritikon perëndimin për proteksionizëm

Kryeministri i Kinës, Uen Jiabao, kritikoi dje vendet perëndimore se po shkaktojnë pengesa në zhvillimin e Kinës përmes politikave të tyre të proteksionizmit tregtar. Jiabao foli në një samit për marrëdhëniet BE-Kinë dhe iu përgjigj akuzave se Pekini e mban artificialisht të dobët monedhën e vet kombëtare për të përfituar eksporte më të lira.

"Disa vende nga njëra anë na sugjerojnë të lejojmë monedhën tonë të forcohet, por nga ana tjetër ato zbatojnë politika proteksioniste tregtare kundër Kinës. Kjo është e padrejtë. Kufizimet e tyre përbëjnë pengesa për zhvillimin e Kinës", tha ai. Kryeministri përsëriti edhe një herë se sipas këndvështrimit të Pekinit, "monedha kineze Renminbi mbahet në stabilitet në një nivel të arsyeshëm dhe të balancuar në përfitim të zhvillimit të Kinës dhe në ndihmë të rimëkëmbjes ekonomike botërore".

Deklarata e Kryeministrit Kinez qe e papritur për zyrtarët e BE-së të pranishëm në takim. Këto të fundit nuk e kishin përmendur problemin e monedhës së Kinës gjatë diskutimeve fillestare, por pas kësaj mbajtën një konferencë për shtyp.

"Kinezët këmbëngulin në pozicionin e tyre në këtë çështje... Na thanë ne të njëjtën gjë që i thanë edhe Presidentit Obama - pikërisht të njëjtën gjë", tha Presidenti i Komisionit Europian, José Manuel Barroso.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›