Koçi: Kriza zgjidhet me ndryshime kushtetuese
Në kushtet e një krize të tejskajshme mes mazhorancës dhe opozitës, kreu i PSV91, Petro Koçi, bën disa propozime të reja, çka, sipas tij, do ta zgjidhin një herë e mirë situatën. PSV91 propozon ndryshimin e Kushtetutës në favor të parlamentarizmit, ndryshimin e Kodit Elektoral në favor të pluralizmit, ndëshkimin e manipulimeve të procesit zgjedhor të 28 qershorit 2009, hyrjen e opozitës në Kuvend, nënshkrimin e një pakti politik në favor të integrimit europian të vendit, zgjedhjen konsensuale të Presidentit të ri sipas afatit kushtetues. Njëkohësisht, kjo parti propozon që partitë e ndëshkuara nga marrëveshja e mëparshme Rama-Berisha të krijojnë koalicionin "Për ndryshimin e Kushtetutës dhe Kodit Elektoral". PSV-ja vë në dukje se përgjegjësitë e krizës i takojnë në radhë të parë kryetarëve të PS-së dhe PD-së, të cilët privatizuan procesin politik të përcaktimit të sistemit kushtetues dhe të sistemit zgjedhor.