Samiti i OSBE, 50 ministra të Jashtëm ndodhen në Greqi
Përveç kuptimit simbolik të zhvillimit të një dialogu politik shumëngjyrësh, pikërisht aty ku 2500 vjet më parë lindi demokracia, Athina për më se dy ditë do të ndodhet edhe nën një ritëm të tillë diplomatik, që i parë për nga përmasat, mund të themi se krahasohet me organizimin më të madh (tashmë politik) në kryeqytetin grek, qysh prej Lojërave Olimpike të vitit 2004. Është pikërisht samiti i 17 ministror i OSBE-së, në momentet kur Greqia ka edhe presidencën e këtij organizmi. Mbi 50 ministra të Jashtëm, midis tyre dhe shefi i diplomacisë shqiptare Ilir Meta, të ndodhur në Qendrën Olimpike të Skermës, do të dëgjojnë fjalën e hapjes së Presidentit grek Karolos Papulias. Pa dyshim, interes për palën greke merr dhe fakti i pjesëmarrjes në këtë samit i ministrit të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Antonio Milososki, si dhe takimet që ai do të zhvillojë. Pas hapjes së punimeve në orën dhjetë të mëngjesit, do të marrin fjalën presidenti i radhës i OSBE-së, Kryeministri grek Jorgos Papandreu, kryetari i Asamblesë Zhoao Soares, sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, De Brishambo dhe politikanë të tjerë. Sipas zv.ministrit të Jashtëm grek, Dhimitris Drutsas, presidenca greke synon që shtetet pjesëmarrëse të bien dakord për një dialog konstruktiv dhe thelbësor në të gjitha temat e sigurisë në Europë. "OSBE-ja është organizmi i vetëm rajonal i sigurisë, në të cilin marrin pjesë Kanadaja, SHBA-ja e Europa, si dhe Rusia e disa prej shteteve të ish-Bashkimit Sovjetik dhe është forumi më i përshtatshëm për një dialog të tillë", ka thënë ai. Athina zyrtare ka disa "fronte" të hapura politike, sidomos me fqinjët e saj, në mënyrë të veçantë më Turqinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, fronte që ajo do t‘i mbyllë sa më shpejt. Gjithashtu, Jorgos Papandreu ka theksuar qysh në vizitën e tij të parë në Turqi, planin largpamës për integrimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, një plan që, sipas tij, rolin e protagonistit do ta luajë Athina zyrtare, për të forcuar edhe imazhin e saj politik në rajon. Prandaj edhe politika greke e sheh zhvillimin e këtij samiti si një shans politik, për një Ballkan të sigurt dhe me stabilitet. Është me të vërtetë një rast i mirë për të gjithë diplomatët pjesëmarrës të zhvillojnë takime përkatëse për interesat e shteteve të cilat përfaqësojnë. Këto takime madje kanë filluar që pasditen e së hënës. Siç vihet re vitet e fundit, çdo shtet i rajonit ballkanik kërkon të bëhet një partner sa më i rëndësishëm i hartës energjetike.