E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Kreu i opozitës, i lidhur me masonët

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, e akuzoi kreun e socialistëve shqiptarë se është pjesëtar i lozhave të masonerisë (organizata të fshehta konspirative, që kanë si synim imponimin e ideologjive apo synimeve me mënyra të fshehta dhe duke përdorur fuqinë financiare). Gjatë një takimi që ka zhvilluar në Malësi të Madhe, Topalli deklaroi se "klanet e Ramës janë masonë, jo socialistë. Ne nuk merremi me ultimatumet e masonëve". Në fjalën e saj në Kuvendin e PD-së së Koplikut, kreu i Kuvendit tha se "në cilin vend të botës, për institucionet që dalin nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, të certifikuara nga e gjithë bota humbësi të thotë që janë me legjitimitet të cunguar". I them Edvin Ramës, vijoi ajo, "je mbrapsht, je krejt mbrapsht me sjelljet e tua dhe kur kërkon të nxjerrësh jashtë sistemit Partinë Socialiste". Sipas Topallit, "Edvin Rama s‘ka menduar kurrë për qytetarët, sepse s‘ka menduar kurrë për familjen e tij. S‘ka menduar kurrë për familjen e tij, s‘ka menduar kurrë për nënën e tij, s‘ka menduar kurrë për partneret e tij, s‘ka menduar kurrë për gratë e tij. Si të mendojë ky agresor për qytetarët e tij? Çdo tentativë e tij do shkojë në fund të koshit. Shqiptarët në korrik të 2010-s do të lëvizin pa viza". Nënkryetarja e PD-së u bëri thirrje militantëve të Malësisë së Madhe që të vijnë në mitingun që do të organizohet më 8 dhjetor në Tiranë. "Do festojmë më 8 dhjetor 19-vjetorin e rrëzimit të ‘murit të Berlinit‘ në Shqipëri, në Tiranë. Është një përvjetor në të cilin ne e rrëzuam Kristaq Ramën, e rrëzuam Xhelil Gjonin, e rrëzuam edhe Sulejman Bushatin, ju e njihni", nënvizoi Topalli. Më pas, kreu i Kuvendit bëri të ditur se për katër vjet Partia Demokratike do të vazhdojë të qeverisë me aleaten e saj, LSI, pa u shqetësuar. "Ky katërvjeçar do jetë i jashtëzakonshëm. Në gjysmën e vitit të ardhshëm, shqiptarët do të lëvizin pa viza dhe së shpejti do bëjmë të mundur që të jemi qytetarë të BE-së, ashtu siç jemi qytetarë të NATO-s", u shpreh Topalli. Ndërkaq, akuza e djeshme e numrit dy të Shqipërisë drejtuar liderit të opozitës në lidhje me masonerinë është hera e parë që bëhet në publik. Para disa kohësh ka qenë një deputet i Partisë Demokratike, i cili solli në Tiranë përfaqësuesit e lozhës së masonerisë së Francës, të cilët patën takime me zyrtarët më të lartë të shtetit. Për masonerinë është folur shumë kohët e fundit nëpër libra, madje një prej tyre, "Kodi Da Vinçi", u bë edhe bestseller botëror. Implikimi i teorive të tilla konspirative në situatën politike në Shqipëri është i ngjashëm në fakt edhe me akuzat që Moska u bëri në vitin 2004 krerëve të "revolucionit portokalli" në Ukrainë, ku u akuzuan për lidhje me qarqe të fshehta të financës dhe politikës botërore.

Y.P.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›