Tirana përshëndet vendimin për fqinjët
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë përshëndeti dje miratimin nga ana e Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE-së të propozimit të Komisionit për Heqjen e Vizave Shengen me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. "Sigurisht që ky është një sinjal shumë pozitiv për të gjithë Ballkanin Perëndimor, si dhe për objektivat tanë të përbashkët integrues në BE", tha zëdhënësi Ralf Gjoni. Kam besim se shumë shpejt, tha ai, do të kemi një propozim nga Komisioni për Shqipërinë, duke pasur parasysh se ecuria e përmbushjes së kritereve nga ana jonë është optimale. "Le të mos harrojmë pikënisjen e Shqipërisë në raport me fqinjët e saj të ish-Jugosllavisë dhe të shohim qartë progresin konkret që është bërë në vendin tonë përgjatë viteve", u shpreh Gjoni. Ju siguroj, tha ai, se ne po punojmë fort si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, që brenda vitit 2010 t‘u mundësojmë qytetarëve shqiptarë lëvizjen pa viza në hapësirën Shengen.