E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kina pezullon prodhimin e mineraleve të rralla

Javën e kaluar, prodhuesi më madh i mineraleve të rralla në Kinë pezulloi prodhimin në përpjekje për të ngritur çmimet për 17 mineralet bazë që përdoren për prodhimin e teknologjive.

Megjithëse Kina tani pothuaj ka monopolin e këtyre burimeve të rëndësishme, Ivan Broadhead njofton nga Hong Kongu se dominimi i këtij vendi së shpejti mund të sfidohet nga partnerët tregtarë të cilët po humbin durimin me manipulimet e zinxhirit të furnizimeve të këtyre mineraleve.

Ish-udhëheqësi kinez Deng Xiaoping deklaroi në vitin 1992 se “Lindja e Mesme ka burimet e saj të naftës kurse Kina ka pasuritë e saj të mineraleve të rralla”. Që atëherë, kompanitë kineze kanë filluar nxjerrjen e mineraleve të rralla dhe tani furnizojnë 95 përqind të tregut të këtyre mineraleve në botë. Kompania shtetërore Batou Group prodhon 60 përqind të mineraleve të rralla.

Javën e kaluar, drejtuesit e kompanisë thanë se do të pezullojnë prodhimin për të stabilizuar tregun dhe për të balancuar ofertat dhe kërkesat për mineralet e rralla. Ky vendim merret pasi ka patur rënie të çmimit me rreth 20 përqind gjatë muajve të fundit.

Kina është e njohur për manipulimin e çmimit të mineraleve të rralla duke kufizuar furnizimin, ka zbatuar moratorium të njejtë në vitin 2008.

Pekini në të kaluarën ka demonstruar se është i gatshëm të përdorë dominimin e tregut si një mjet të politikës së jashtme. Në tetor të vitit 2010 Kina ndaloi transportin e ngarkesave nga Japonia gjatë një mosmarrëveshje territoriale me Tokion.

Ndryshe nga rastet e mëparshme kur Pekini ka manipuluar ofertat, bota tani gjithnjë e më shumë po përgatitet të largohet nga varësia e saj nga Kina për mineralet e rralla.

Janë planifikuar ndërtime të reja të minierave në Shtetet e Bashkuara, Rusi dhe Australi. Kurse minierat e tjera të cilat më parë kanë patur shqetësime se nuk mund të përfitojnë nga nxjerrja e mineraleve të rralla, kanë marrë hapa për fillimin e prodhimit.

Në mesin e tyre është miniera Molycorp në Mountain Pass të Kalifornisë. Kjo minierë u mbyll në vitin 2002 atëherë kur Kina e mbushi tregun me oferta me çmime të ulëta.

Drejtuesit e minierës Molycorp thonë se ata kanë zbuluar disa depozita të reja të mineraleve të rralla dhe presin që miniera e vjetër të bëhet një nga furnizuesit më të mëdhenj të mineraleve të rralla në botë nga viti 2014.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›