E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kina shënon rritjen e parë ekonomike

Kina ka shënuar një rritje ekonomike për tremujorin e dytë të vitit, që sipas specialistëve i dedikohet stimulimit të një pakete qeveritare për konsumin që u vu në zbatim muaj më parë, në mesin e krizës ekonomike dhe recesionit global. Sipas të dhënave, ekonomia është rritur me 7.9% dhe në fund të vitit mendohet se objektivat e qeverisë do të arrihen, pra do të kapin shifrën 8%. Sipas specialistëve, kjo në radhë të parë tregon konfidencën në ekonominë kineze pas futjes në përdorim të paketës stimuluese prej 586 miliardë dollarësh, në një përpjekje për të ndihmuar rimëkëmbjen e ekonomisë në mesin e krizës. Ky "transfuzion gjaku" ka çuar në rimarrjen e ekonomisë. Shumë analistë mendojnë se Kina do të jetë vendi i parë që do të dalë nga kriza ekonomike, më e madhja, në të cilën u zhyt bota që nga viti 1930. Rimëkëmbja e Kinës do të ndihmojë shumë edhe vendet e tjera partnere tregtare me të, sepse kështu do të vihet në lëvizje linja tregtare dhe do të qarkullojnë edhe njëherë paratë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mëkëmbja e Kinës mund të ndihmojë në nxitjen e eksporteve, por kjo mund të ndodhë edhe me Australinë. Me gjithë suksesin e arritur, qeveria kineze deklaroi se për rimëkëmbjen e ekonomisë ka ende shumë për të bërë dhe gjërat nuk janë përmirësuar përfundimisht. Ndërkohë, paketa e stimulit ekonomik do të vazhdojë që të operojë në pikat më delikate dhe të dobëta të ekonomisë dhe do të vazhdojë të japë rezultatet e pritshme deri në fund të vitit. Megjithatë, vështirësitë dhe sfidat janë të panumërta, kjo edhe për faktin se pjesa më e madhe e vendeve partnere me Kinën është ende e zhytur në recesion dhe me një ekonomi e sistem bankar ende të brishtë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›