Shpallet fituesi i çmimit për gazetarët e rinj europianë
Thimi Samarxhi është fituesi i çmimit "Gazetarët e rinj europianë 2009" për Shqipërinë. Rreth 600 pjesëmarrës nga 35 vende të botës kanë konkurruar për këtë çmim. Juritë kombëtare kanë zgjedhur nga një fitues për çdo vend. Konkursi, me objekt median e shkruar dhe radiofonike, kishte si qëllim të nxiste europianët e rinj të pasqyronin dhe shkëmbenin pikëpamjet e tyre mbi politikën e zgjerimit të Bashkimit Europian, si edhe të demonstronin talentin e tyre si gazetarë. Fituesi për Shqipërinë u prezantua me artikullin e tij "Risqet e hyrjes në familjen europiane". Artikulli mbulon temën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. I cilësuar si një artikull që rrok në mënyrë origjinale problemet e këtij aspekti, juria e përzgjodhi fitues. Të gjithë fituesit kombëtarë do të ftohen të marrin pjesë në një udhëtim në Berlin, që do të zhvillohet nga data 29 gusht deri më 2 shtator 2009. Në kryeqytetin gjerman ata do të takohen me përfaqësues të politikës, medias, akademikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar çështje të ndryshme të lidhura me zgjerimin e Bashkimit Europian.