E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viktimat e Teheranit mund të jenë me qindra

Qindra persona mund të jenë vrarë në përleshjet dhe trazirat post-zgjedhore në Iran, ndërkohë që numri i saktë është fshehur duke i futur viktimat nëpër morgje sekrete. Anëtarë të organizatave të të drejtave të njeriut kanë dhënë prova të qarta që sugjerojnë se numri i demonstruesve të vrarë në përleshjet e civilëve me forcat e qeverisë është shumë më i madh se ai i dhënë nga burimet zyrtare. Këta të fundit flasin për 20 viktima, ndërkohë që grupet e të drejtave të njeriut flasin për masakra. Dyshimet kanë lindur pasi një grua kishte deklaruar se kish parë grumbuj të mëdhenj trupash pa jetë në një depo frigoriferike, ndërkohë që ajo vetë po kërkonte për një të afërmin e saj. "Unë nuk e gjeta njeriun që po kërkoja, por pashë aq shumë trupa të vdekur njëri mbi tjetrin, sa u trondita", ka deklaruar gruaja. Pas trazirave, shumë familje kanë raportuar zhdukjen e të afërmve të tyre, kryesisht të rinj, të cilët herën e fundit që janë parë kanë qenë në demonstrata nëpër rrugët e Teheranit, menjëherë pas zgjedhjeve. Ka pasur edhe familje të cilat janë kërcënuar për të deklaruar se të afërmit e tyre kanë ndërruar jetë nga vdekje aksidentale.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›