E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kinë, 13 të vdekur nga tajfuni Morakot

Tajfuni Morakot vazhdon të përplaset mbi bregun lindor të Kinës, në një zonë të banuar prej të paktën katër milionë personash. Morakot u përplas mbi territorin kinez të dielën pasdite duke shkaktuar vdekjen e një fëmije fillimisht dhe shkatërrimin e shumë shtëpive dhe ndërtesave të tjera. Rreth 500 mijë persona janë evakuar nga provinca bregdetare e Fuxhianit, për në zona më të sigurta. Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet dhe operacionet në 11 qytete bregdetare të Zhejangut, ndëkohë që energjia elektrike është ndërprerë dhe rrugët janë bllokuar nga balta.
Shira të rrëmbyeshëm të shkaktuar nga tajfuni Morakot përfshinë edhe bregdetin e Paqësorit të Japonisë, duke shkaktuar 13 të vdekur dhe disa të zhdukur. Shirat nisën të dielën në prefekturën e Hyogos, ku është regjistruar numri më i madh i viktimave, dhe gjithashtu në prefekturën fqinjë të Okayamas. Policia ka regjistruar deri tani 13 të vdekur dhe një numër të papërcaktuar të zhdukurish. Ndër viktimat, një burrë u gjet në automjetin e tij të përmbytur nga ujërat, ndërsa një grua u gjet në një kanal kullimi të fryrë nga ujërat e shiut. Televizionet treguan pamje të ekipeve të shpëtimit përreth shtëpive të shkatërruara në Sayocho, në prefekturën e Hyogos, ku një lum kishte dalë nga shtrati, duke shkatërruar mure e duke marrë me vete makina gjatë kalimit të tij. Sipas autoriteteve lokale, afërsisht 480 shtëpi janë përmbytur dhe më shumë se dy mijë persona janë evakuuar në Hyogo.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›