Kinë, 140 të vrarë në trazirat në Ujgur
Mediat shtetërore kineze kanë bërë të ditur se 140 vetë janë vrarë dhe më se 800 janë plagosur nga dhuna në rajonin perëndimor Ksinjiang në Kinë. Agjencia e lajmeve “Hsinhua” tha se numri i të vrarëve, nga trazirat në kryqytetin e rajonit, Urumqi, është në rritje. Pjesëmarrësit në trazira, nga popullata shumicë ujgure, që janë myslimanë, janë përleshur me policinë, i kanë sulmuar kalimtarët e rastit dhe i kanë thyer barrikadat. Sipas raporteve, janë arrerstuar disa qindra vetë. Për këto trazira, qeveria e Kinës, ka fajësuar grupet ujgure në ekzil, që kërkojnë pavarësi nga Kina. Grupi me seli në Suedi, Kongresi Botëror Ujgur, i ka hedhur poshtë akuzat se është përgjegjës për këto ngjarje.
7 Korrik 2009