E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatmir Alimani: “Kritika shqiptare në botën e çudirave...”



Petrika GROSI
A kemi kritikë letrare dhe nëse po, pse nuk ndihet reputacioni i saj këto dy dekada të tranzicionit? Po me shkollën e kritikës çfarë ka ndodhur, si duhet të avancojë ky profesion sa delikat aq edhe i pushtetshëm ,për të qenë pse jo, universal dhe evidentues vlerash e antivlerash? Redaksia e gazetës “Albania” fton në një debat të hapur mbi kritikën shqiptare, të gjithë njerëzit e letrave, studiuesit e shkrimtarët e kritikët vendas e të huaj, që kanë lidhje me zhvillimet bashkëkohore të letërsisë e të kritikës, gjuhës dhe albanologjisë. Qëllimi është ngritja e një diskutimi mbi fenomenet dhe aktualitetin letrar, si dhe mbi kritikën ekzistuese, mangësitë dhe funksionalitetin e saj, të cilat shpesh shkaktojnë debate që nuk i kalojnë dimensionet e tavolinave e të kafeneve. Mund të na dërgoni komentin tuaj në adresën e postës elektronike “petrikagrosi@yahoo.it”, ose të sillni opinionet përkatëse pranë redaksisë së gazetës, për t’u botuar në debatin që do të vijojë gjatë ditëve të ardhshme. Pikërisht këtyre pyetjeve mundohemi që t’u japim përgjigje nëpërmjet intervistës me shkrimtarin dhe studiuesin Fatmir Alimani.

Pse nuk kemi sot, kritikë letrare të mirëfilltë në Shqipëri?
Sipas meje kritika letrare shqipe pas viteve ’90 ka një mungesë të jashtëzakonshme që duket pikësëpari në shtypin periodik shqiptar që ka hapësira të jashtëzakonshme dhe nuk gjen një shkrim tipik që të quhet letrar ose kritikues. Edhe ndonjë shkrim sporadik ku tentohet të shkohet drejt asaj që mund të quhej kritikë letrare, kemi dy kahje, një që mohon totalisht, e që largqoftë mund të errësojë edhe Franc Kafkën dhe një kahje tjetër, ku lavdërimi merr përmasa kolosale; Një poet që ka shkruar dy libra me vjersha, krahasohet me Rembonë, një poet që ka shkruar disa vjersha para 70 vitesh dhe që duhet të kesh durim t’i lexosh në origjinal, krahasohet me Uitmanin. Këtu pra, qendron paradoksi, njerëz të cilët ndoshta as qyteti i tyre nuk i njeh, jo më Ballkani e Europa pastaj, krahasohen deri me Kafkën apo Uitmanin. Nga ana tjetër kemi një çudi siç janë shkrimet që i shkruajnë vetë autorët për librat e veta që i botojnë vetë. Në gjuhën shqipe, kjo do të thotë ta marrësh veten me të mirë, me përkëdheli, për të mos thënë ndonjë fjalë tjetër më të rëndë...
Mungesa e një kritike të vërtetë letrare, mbase i çon edhe autorët që bëjnë përpjekje për një letërsi të vërtetë, në një kahje të tillë e të pranojnë përcaktime absurde që në asnjë vend të botës nuk do të pranoheshin.

Shpesh, në Shqipëri kemi të bëjmë me kritika negative apo shkrime kritike me konotacion pezhorativ, të cilat nuk merren me veprën por me jetën e shkrimtarit. Si e shikoni këtë fenomen?
Është një nga gjërat absurde që ndodhin vetëm në Shqipëri. Nëse dikush ka diçka me një person, atëherë mund të ulet e të shkruajë një biografi, duke i vënë në dukje të gjitha anët e tij të errëta, por jo ta ngatërrojë jetën dhe personalitetin e shkrimtarit me veprën e tij letrare. Ai që ka shkruar mund të ketë qenë i shthurrur, kriminel etj, por fjala vjen, çfarë mund t’i themi sot ne Dostojevskit, që ka qenë edhe në burg, kur nga ai kemi disa kryevepra botërore?! Personaliteti i shkruesit dhe vepra ndahen që në momentin kur libri shkruhet dhe botohet. A duhen marrë parasysh këto detaje jetësore? Sigurisht që nuk mund të anashkalohen, por nuk mund të bëhen dominante para vlerave të mirëfillta letrare.

Si ka mundësi, që në të gjithë ato shkrime me tendencë kritike në shtypin shqiptar apo edhe në nivel akademik, shohim vetëm superlativa dhe mungojnë thuajse plotësisht kritikat “negative”, pra, nxjerrja në pah e mangësive, mosplotësimit, dobësitë e stilit dhe të realizimit letrar etj?
Sepse në Shqipëri e ashtëquajtura kritikë “negative” është kuptuar keq, megjithëse ajo ka pozitivitetin brenda saj. Është thënë madje, se edhe Homerin e zë gjumi... Kur një gjë e tillë thuhet për një gjeni si Homeri, që ka shkruajtur Iliadën dhe Odisenë, të cilat të gjithë i mësojmë që në shkollën fillore e nuk i harrojmë derisa vdesim, kjo do të thotë se të gjithë i zë gjumi. Këta të veckëlit e Shqipërisë nuk i zë gjumi kurrë, pra, janë mbi Homerin... Fundja, një kritikë vetëm pozitive nuk është kritikë.

Si do ta përcaktonit kritikën e sotme shqiptare?
Nuk them se mungojnë përpjekjet por është e mangët. Ngatërrojnë njeriun dhe kohën me veprën, zhvillimet e letërsisë europiane dhe botërore me zhvillimet kombëtare. Ka një tendencë të jashtëzakonshme në Shqipëri, për të trumbetuar se x apo y shkrimtar u botua jashtë shtetit. Nëse një vepër botohet jashtë shtetit, këtu kritika priret për ta komentuar në mënyrë pozitive, duke harruar se në çdo vend të botës ka disa nivele botimi, kriteresh dhe jo domosdoshmërisht gjithçka që botohet jashtë ka vlera të mirëqena. Nëse dikush botohet në Rumani, Kinë, Belgjikë, Francë, kjo nuk do të thotë se automatikisht shkrimtari dhe vepra mbartin vlera. Më parë se të gjykojmë duhet shikuar se kush e ka botuar librin, ku e ka botuar dhe çfarë reaksioni ka pasur. Ju siguroj se buzë Senës në Paris janë nja 200 Ismail Kadare që kalojnë aty çdo ditë; njëri mbytet, njëri vret veten, njëri kthehet në vendin e vet e disa të tjerë botojnë. Po kush i njeh? Nga këta mund të dalin vetëm një ose dy dhe kjo i përket kohës. Në ditët e sotme koha mund t’i japë suksesin dikujt për shkak të angazhimit të tij me politikë apo influencave në media etj, por këto suksese në përgjithësi janë të dyshimta. Madje, Xhojsi shkon shumë më larg duke thënë se suksesi është vdekja e talentit. Shumë shkrimtarë që kanë pasur sukses në kohën e tyre janë harruar mbas vdekjes.

Si e shikoni betejën me të vdekurit?
Me të gjallët mund të fitohet më lehtë pasi kundërshtarët janë më të paktë dhe më të dobët, ndërsa beteja me të vdekurit është shumë më e fortë dhe përballë ke shkrimtarë që u kanë rezistuar shekujve apo të gjithë kohërave. Kritiku duhet të interesohet pikërisht për vepra të tilla, që kanë epërsi të kapërcejnë kohërat. Nuk jam për atë që kritika të mos merret me vepra të tjera, por duhet ta theksojë se në cilin rreth hyjnë këto vepra dhe të mos krahasohen shkrimtarë të zakonshëm me Artur Rembonë, Danten, Uitmanin etj. Sa i përket fushës së studimeve, është për t’u vënë në dukje puna e shkëlqyer e studiuesit Behar Gjoka, nga Budi deri te Kadareja.

A jeni për një institucionalizim të kritikës?
Ndoshta mund të ishte mirë, ndoshta jo. Mendoj se kritika e vërtetë vjen nga kritikë që e kanë në gjak këtë punë por mund të vijë edhe nga shkrimtarët. Më vjen keq që këtë detyrë nuk e marrin disa shkrimtarë që kanë prirje për ta bërë diçka të tillë, duke i dhënë edhe një shtytje letrares. Por, që kritika letrare të ekzistojë duhet një ambjent letrar. Këtu mungon dialogu dhe shkrimtarët ose lëvdojnë, ose e shajnë njëri-tjetrin. Nuk del njeri ta thotë hapur por e bëjnë këtë në tavolina, hedhin ndonjë fjalë, fusin kunja etj. Veç kësaj duhen kuptuar edhe kufijtë. Jemi një vend i vogël me gjuhë të vogël dhe detyrimisht, me prurje modeste.

Çfarë do të ndihmonte në konsolidimin dhe lindjen e një kritike të shëndoshë?
Krijimi i kushteve fillestare për një dialog. Kritika është një dialog me autorin për një libër. Madje, kritikët e mirë largohen nga libri dhe flasin për letërsinë e madhe. Duket sikur dalin jashtë teme por nuk është e vërtetë. Nëse kritiku nuk ka para tij një kryevepër e ka vështirë për të shprehur gjerësisht atë që dëshiron të thotë, por kjo nuk duhet ta pengojë që të shpalosë gjykimin e tij edhe për çdo vepër tjetër. Kur flasim mbi një libër nuk flasim thjesht për autorin, por mbi letërsinë. Dialogu kritik-autor në Shqipëri nuk ekziston.

A janë në të njëjtin hap me zhvillimet bashkëkohore kritikët tanë?
Për fat të keq koha i ka lënë prapa këta kritikë dhe akrepat e orëve të tyre janë ndalur. Kritika edhe kur nuk gjen asgjë mendon se i di të gjitha dhe shprehet edhe për gjëra që nuk kanë lidhje fare me kritikën, duke ja mveshur autorit, letërsisë etj. Këtu ka çudira të mëdha. Shkon në librari dhe gjen libra që thonë: “gjuha shqipe është gjuha më e vjetër e botës, çelsi i të gjitha gjuhëve”. Një gjë e tillë është veçse një pohim qesharak dhe aspak serioz.

A mund të fajësohet letërsia dhe shkrimtarët për këtë kritikë të munguar?
Letërsia jonë nuk i jep kritikës gjithmonë, atë format që mund ta jepte një letërsi e madhe. Por, duhet të mendojmë si një popull modest i Ballkanit dhe të mos presim që këtu të na vijnë kryeveprat e botës. Edhe kur ndodh që të kemi një vepër të mirë, fillojmë menjëherë të shajmë autorin dhe nuk merremi aspak me veprën e tij.

Së fundi, a kanë të drejtë ata që thonë se Kadareja është shkrimtar i madh pasi shteti punoi për vite të tëra për të?
Jo. Më parë duhet vënë në dukje se ai ishte një talent i madh dhe për talentin e madh interesohen të gjithë. Në këtë rast nuk ka asgjë të keqe që të interesohej edhe shteti. Ai shtet çudan, sa e ka mbrojtur aq edhe e ka sulmuar, por veprën e ka krijuar Kadareja dhe jo shteti.

7 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›