E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kinë, ushtria prej çokollate

KINE- Ushtarët prej argjile cilësohen si një simbol i madhështisë së Kinës perandorake. Tashmë kjo ushtri mëse dymijë vjeçare është bërë e ngrënshme, pas ekspozimit në parkun e parë prej çokollate të ngritur në vend. Bota e Mrekullive prej çokollate paraqiti një grup prej 560 luftëtarësh, si dhe një kopje identike me lartësi 10 metra të Murit të Madh e një mori strukturash të tjera të njohura të punuar me çokollatë. Rreth tre ton çokollatë u përdorën për të krijuar një model me përmasa reale të makinës së sapohedhur në treg BMW 1, model i cili u ekspozua pranë atleteve prej çokollate të modeluara sipas atyre që përdoren nga ylli i basketbollit amerikan Michael Jordan. Tërë këto krijime prej çokollate u vendosën në një sallë ku temperatura ishte e kontrolluar me kujdes. Administratorja e përgjithshme e ekspozitës, Tina Zheng, shpreson që shumat e mëdha të investuara për hapjen e saj do të rimerreshin falë miliona vizitorëve që pritet të mbërrijnë më 29 Janar, ditën kur do të organizohet ceremonia e hapjes së kësaj ekspozite. "Për këtë aktivitet kemi investuar disa miliona dollarë. Ky investim synon të sigurojë fitime në dy drejtime. I pari është sigurisht aspekti financiar. Së dyti, ne shpresojmë që përmes kësaj ekspozite t’iu tregojmë të gjithëve mënyrat e ndryshme të shprehjes së kulturës e ndryshueshmërisë. çokollata nuk është një element i ngurtë por diçka lehtësisht e përpunueshme" tha ajo. Suksesi i kësaj ekspozite pritet të marrë shkas edhe nga prania e saj pranë stadiumit olimpik 'çerdhja e Zogjve', një vend mjaft popullor mes turistëve vendas. Sipas organizatorëve për realizimin e krijimeve të ekspozuara në të u deshën mëse 80 ton çokollata. Por çokollata, edhe pse një risi në këtë drejtim, nuk është materiali më i lehtë që mund të përdoret në fushën e ndërtimit, u shpreh bashkë-koordinatori ekzekutiv Ling Zhenzong. "Në temperaturën zero gradë çokollata thyhet, në temperaturën 18 gradë shkrihet. çokollata është jo vetëm e vështirë për tu përdorur por edhe përsa i përket transportimit pasi kërkon një kujdes tepër të madh" tha ai. çokollata është bërë popullore në këtë vend vetëm gjatë viteve të fundit pas ndryshimit të politikave ekonomike të vendit në drejtim të mallrave të ardhur nga Perëndimi. Megjithatë ajo është bërë shumë shpejt mjaft e pëlqyer nga shumëkush, sidomos nga shtresa e mesme e shoqërisë. Kjo ekspozitë shpreson jo vetëm të shpalosë hijeshijnë e çokollatës por edhe t’iu mësojë vizitorëve shumëllojshmërinë dhe mënyra e ndryshme të përdorimit të saj, thanë organizatorët. (s.t/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›