Korcë, akset rrugore të kalueshme vetëm me zinxhirë
KORçë- Në rajonin juglindor të Korçës të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, ndonëse me zinxhirë, për shkak të reshjeve të dëborës që përfshinë zonën gjatë 24 orëve të kaluara. Burime nga Drejtoria Rajonale e Mirëmbajtjes së rrugëve Nacionale, bëne të ditur se “mjetet borëpastruese kanë punuar që në orët e para të mëngjesit sot në Qafë-Thanë, Qafën e Qarrit , Qafë-Plloçë dhe përgjatë akseve rrugore Korçë- Kapshticë, Korçë -Pogradec dhe Korçë-Ersekë, ku pas pastrimit të dëborës është bërë kriposja e tyre". Aktualisht të gjitha rrugët janë të kalueshme për automjetet vetëm me zinxhirë si dhe ato të fshatrave turistikë Voskopojë, Dardhë dhe Liqenas. Në zonat malore si Dardhë, Voskopojë, Vithkuq dhe Lekas, ka rreth 25 cm. dëborë. Edhe brenda në Korçë ku ka vetëm 5 cm dëborë, nën ndikimin e temperaturave të ulëta është kthyer në akull nëpër rrugët. Sipas shërbimit sinoptik të Komandës Rajonale Mbrojtëse, temperatura më e ulët ka qenë minus 7 gradë celsius dhe më e lartë minus 2 gradë celsius.(d.b/BalkanWeb)