Gjykatat e Krimeve të Rënda kërkojnë më shumë siguri për gjyqtarët
Masa kundër avokatëve që mungojnë dhe që shtyjnë proceset në pafundësi dhe më shumë siguri për gjyqtarët. Ky ka qenë shqetësimi i ngritur dje në analizat e Gjykatave të Krimeve të Rënda, Shkalla e Parë dhe Apeli. Në dy gjykatat është vënë theksi në përmirësimin e punës dhe krijimin e kushteve optimale që dosjet që kalojnë në dyert e këtyre institucioneve të gjykohen drejt. Vetë gjyqtarët në statistikat e publikuara kanë vënë në dukje shtimin e numrit të personave që gjykohen për veprat penale të trafikut të narkotikëve, ndërkohë që është theksuar edhe një numër në rritje i përgjimeve, ku gjatë vitit që shkoi janë realizuar rreth 500 të tilla.
Apeli
Në Apelin për Krimet e Rënda, gjyqtarët përmes kreut të tyre i kanë kërkuar KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë më shumë siguri dhe avantazhe të tjera që do t’ua lehtësonin punën. Gjatë analizës njëvjeçare të punës së tyre, kryetari i Gjykatës, Gjovalin Përnoca, kërkoi sigurimin e jetës, pronës dhe familjes së gjyqtarëve. Ai tha se statusi i gjyqtarëve ka nevojë për përmirësime, ndërsa kërkoi të rishihen pagat, pensionet, mundësitë për kredi me kushte lehtësuese. Ndërkohë që Përnoca gjithashtu ka theksuar një rishikim të strukturës, me të cilën funksionon kjo gjykatë, duke e kaluar trupin gjykues nga pesë që është aktualisht në vetëm tre gjyqtarë. Përnoca ka theksuar gjithashtu edhe kalimin për gjykim në këtë institucion të të gjitha dosjeve penale, për të cilat parashikohen dënime më të larta se 15 vjet burg.
Shkalla e Parë
Kreu i Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda ka kërkuar një kuadër më të përshtatshëm ligjor për institucionin që ai drejton. Gjatë analizës së djeshme në këtë gjykatë është vërejtur rritje e numrit të proceseve penale për drogën, rritje e numrit të përgjimeve, por edhe një numër i madh shtyrjesh, për të cilat gjyqtarët fajësojnë avokatët mbrojtës. Gjyqtarët kërkuan gjatë analizës edhe përfitim nga statusi i veçantë i gjyqtarit të Gjykatës për Krime të Rënda, për mbrojtjen dhe shoqërimin fizik, si dhe rimandatimin pas kalimit të afatit 9-vjeçar të gjyqtarëve. Mungesa e avokatëve përbën, sipas tyre, shkak për shtyrjen e proceseve dhe vonesat në zbatimin e letër-porosive. "Çështjet nuk kanë arritur të përfundojnë në kohën e caktuar dhe kjo sa i përket moskorrektesës së avokatëve mbrojtës", - tha Halluni. Zëvendëskryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, tha gjatë kësaj analize se gjyqtarët nuk duhet të jenë një pengesë për integrimin e Shqipërisë në Bashkim Evropian.