E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, ekspozitë fotografike për Kadarenë

Liqeni në sfond, por edhe shkrepjet tinëzare e bëjnë të shfaqet në një tjetër dimension. Aty është meditativi, i frymëzuari, por edhe i qeshuri, i shpenguari në biseda.

Pas Pogradecit, ekspozita fotografike kushtuar shkrimtarit Ismail Kadare do të udhëtojë në Ohër dhe Strugë dhe më pas në drejtim të Prishtinës. Realizuesi i kësaj ekspozite është studiuesi Vaso Samsuri, i cili ka gjetur edhe mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkisë së Pogradecit.

Ekspozita fotografike përmbledh mbi 60 punë të realizuara nga viti 1986-2009. Në pamjet që të afron, ekspozita të sjell shënimin e kohës, ngrirjen e çasteve të veçanta historike. Kadareja në këtë ekspozitë transmeton një filozofi të vetën, një morfologji dhe një sintaksë tjetër, një “ligjërim” të ri me atë portret aq interesant dhe meditativ.

Kadare është vendosur në një sfond të cilin e ka përshkruar më së miri Lasgushi e Kuteli. Vala, zalli, qielli, varkat, pulëbardhat janë sfondi që shoqërojnë Kadarenë në këto fotografi. Përveç pamjeve meditative, shkrimtari shfaqet edhe në shoqërinë e familjarëve dhe miqve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›