E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kineasti Bujar Barçi u vra për borxhin 100 mijë $, i mori paratë për ndërtim, nuk i ktheu

TIRANE - Ish-truproja Halit Shahini do të ulet në bankën e të akuzuarve për të dhënë llogari para drejtësisë, pasi akuzohet për vrasjen e producentit dhe kineastit, Bujar Barçi. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe dorëzuar për gjykim dosjen ndaj Shahinit, ndaj të cilit është ngritur akuza e vrasjes me paramendim, pasi qëlloi me një plumb në kokë producentin, pas një zënke në lokalin e këtij të fundit në rrugën "Siri Kodra". Në dosjen e prokurorisë, që "GSH" disponon thuhet se motivi i vrasjes janë mosmarrëveshjet për shkak të borxhit prej 100 mijë dollarësh, që producenti Barçi i kishte të pandehurit Shahini. Familjarët e Barçit, patën deklaruar për "GSH" se i afërmi i tyre nuk ishte vrarë për punë borxhi.
Dosja e prokurorisë
I pandehuri Halit Shahini është njohur me viktimën Bujar Barçi, që prej vitit 2001. Pas njohjes kanë biseduar e vendosur që të investonin sëbashku në fushën e ndërtimit. Nga viktima është marrë përsipër të gjendej trualli për ndërtim, ndërsa nga i pandehuri të gjendeshin paratë për blerjen e truallit dhe fillimin e ndërtimeve. Marrëveshja mes tyre është materializuar dhe me kalimin e një shume prej 100 mijë dollarë, nga i pandehuri tek viktima. Bujar Barçi, nuk i ka përdorur paratë për qëllimin për të cilin i kishte marrë. Për disa kohë i pandehuri nuk është takuar me viktimën, për të mësuar për aktivitetin e tij e shpenzimin e parave, pasi për një periudhë kohe ka qenë i dënuar për një vepër penale (vrasje) dhe më pas është larguar jashtë vendit. Në vitin 2010 është kthyer nga emigracioni dhe është interesuar të takohej me Barçin. Pasi është takuar me të, ka mësuar se paratë nuk ishin shpenzuar sipas marrëveshjes. Sapo ka rënë në dijeni të këtij fakti, Shahini i ka kërkuar kthimin e shumës, por viktima nuk i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së tij, për shkak se nuk kishte para. Bashkë janë takuar edhe herë të tjera dhe biseda mes tyre ka patur vetëm një temë, atë të kthimit të parave. Përfundimisht viktima ka mundur të kthejë vetëm një pjesë të vogël të shumës së marrë prej tij.
I pandehuri ka vazhduar të këmbëngulë në kërkesat e tij, edhe për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike në të cilën ndodhej.
Vrasja e producentit
Në mbrëmjen e datës 11 shkurt 2013, rreth orës 18.00 Halit Shahini ka shkuar në banesën e familjes Barçi për të takuar viktimën e për të biseduar me të në lidhje me kthimin e parave. Viktima nuk ndodhej në shtëpi dhe i pandehuri ka biseduar me të ëmën e tij, Merjeme Barçi. I ka treguar asaj arsyen që kishte shkuar për të takuar djalin e saj dhe pasi ka mësuar dhe vendin e punës së viktimës i ka thënë asaj se ai nuk do ta falte djalin e saj dhe kjo punë do të lahej vetëm me gjak.
Në 12 shkurt 2013, Shahini ka shkuar i armatosur në lokalin ku punonte viktima në rrugën "Siri Kodra". Aty e ka gjetur viktimën vetëm në lokal dhe ka biseduar ashpër me të për punën e parave të pakthyera. Mandej e ka qëlluar atë mbrapa kokës me armën e zjarrit pistoletë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Producenti Bujar Barçi është gjetur i plagosur në lokal nga disa shokë të tij dhe është transportuar drejt spitalit, për ndihmë mjekësore. Për shkak të plagës së marrë ai ka gjetur vdekjen pas disa ditësh e konkretisht më datë 20 shkurt 2013.
Akti i ekspertimit
Në konkluzionet e aktit të ekspertimit mjeko-ligjor thuhet se në trupin e kufomës së Bujar Barçit, u konstatua një plagë armë zjarri, depërtuese në kokë, me vrimë hyrje në anën e pasmë të kokës. Plaga është shkaktuar nga një predhë arme zjarri, nga një qitje e vetme dhe shkaku i vdekjes ka qenë konfuzioni i rëndë i trurit. Mandej thuhet se këndi i qitjes ndaj viktimës Bujar Barçi ka qenë i drejtë.
Pretendimet e Shahinit
I pandehuri i pranon pjesërisht faktet e akuzës. Ai pranon se mes tij dhe viktimës ka patur një marrëveshje paraprake për të ndërtuar një biznes të përbashkët e për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve nga viktima kishin filluar edhe konfliktet mes tyre. Për vrasjen ai bën fajtor viktimën, sepse pretendon se armën e zjarrit e kishte ai dhe kur e ka drejtuar atë në përpjekje për t'ia hequr nga dora, ajo ka shkrepur. Pavarësisht deklarimeve të Shahinit dhe provave të tjera, prokuroria thekson në dosje se: Provohet se i pandehuri Shahini ka patur një konflikt pasuror me viktimën Barçi, të cilin nuk e ka zgjidhur me mirëkuptim, ndaj ka siguruar herët një pistoletë, në ditën e ngjarjes e ka takuar viktimën në lokalin e tij. Pas një konflikti verbal për kthimin e borxhit, që i ka patur viktima, e ka qëlluar atë mbrapa kokës duke i shkaktuar atij vdekjen, edhe pse më vonë.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›