E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehi: Ballistët janë “nxehur”me komunistët në listën e PD

TIRANE - Partitë e djathta mendojnë se kanë marrë atë që ju takon me përfshirjen në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike. Krerët e partive të djathta e konsiderojnë emocionale deklaratën e aleatit tjetër, kryetarit të Partisë së Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, i cili dy ditë më parë tha për “Gazeta Shqiptare” se në listën e PD-së “janë përfshirë çapaçulë, ish-komunista e sigurimsa” referuar disa prej aleatëve të Berishës. Dashamir Shehi i LZHK-së, Lufter Xhuveli i PAA-së dhe Ekrem Spahia i PLL-së nuk i konsiderojnë si shqetësuese pretendimet e kreut të PBK-së ndërsa secili prej tyre shprehet për “GSH” se aktualisht janë të përqendruar tek fushata elektorale. 

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi thotë se Alimadhi nuk e ka me partinë e tij, por sipas tij mund ta ketë me komunistët e përfshirë në listën e PD-së. “Nuk besoj që e ka me ne të LZHK-së. Ne jemi të vetmit që japim pa marrë asgjë. Ndaj për ne nuk është shqetësim deklarata e z.Alimadhi. Ndoshta Alimadhi e ka pasur me ndonjë tjetër, ndoshta me listën e PD-së, ndoshta e kanë me legalistët, ndoshta me komunistët që kanë hyrë në listën e PD-së, ndaj them se nuk ka lidhje me ne”, - deklaroi Shehi. Lufter Xhuveli i PAA-së i quan emocionale kritikat e Alimadhit dhe aspak shqetësuese. “Nuk mendoj se z.Alimadhi e ka me mua apo me ne sepse unë jam i pesti në listë. Kam përshtypjen se janë deklarata emocionale që bëhen në kulmin e fushatës ndaj nuk duhen marrë si një shqetësim i madh. Ne po vazhdojmë fushatën shumë normalisht”, - tha Xhuveli. 

Kreu i legalistëve, Ekrem Spahia sqaron ndërkohë se po vazhdon normalisht fushatën dhe nuk ka ndërmend të hapë polemika me kreun e PBK-së. “Nuk jam në dijeni të deklaratave të z.Alimadhi pasi jam në fushatë dhe tani kemi një miting në Burgajet. Nuk kam ndërmend të hyj në polemika me z.Alimadhi, pasi jam i përqendruar tek fushata elektorale dhe fitorja e 23 qershorit”, - shprehet Spahia. Adriatik Alimadhi, kreu i PBK-së, aktualisht zëvendësministër i Transporteve hodhi kritika të forta mbi PD-në dhe liderin Berisha për mospërfshirjen e ballistëve në listat e demokratëve. Ai tha për “GSH” se kjo është një padrejtësi pasi u harruan ballistët dhe u afruan komunistët. Sipas tij të tjerët u sakrifikuan, por të tjerë fituan. “Askujt më parë se PBK nuk i takonte që të vendoseshin në listat e sigurt të PD-së disa çapaçul dhe të përjashtohej Balli Kombëtar, jemi i vetmi subjekt politik që i dolëm komunizmit. Pra kush u sakrifikua dhe kush fiton, kjo është një e padrejtë që beri Partia Demokratike ndaj Ballit Kombëtar, ky veprim do të ngelët dhe mbetet mend gjatë në historinë e kombit shqiptar si padrejtësi që PD i ka bërë Ballit Kombëtar”, - u shpreh Alimadhi.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›