Kinema Agimin e hap mizerja
Mjeda, Migjeni, Kuteli në skenën e braktisur të kinemasë agimi që nga koha kur shfaqej kinemaja e arteve marciale dhe erotike
Kë ka marrë malli për Mjedën dhe Kinemanë Agimi, dy gjëra pa lidhje, ka kohë që sot, nesër dhe pasnesër, në orën 21.00, kundrejt asnjë shpenzimi të shohë si mund të bëhen figurë teatrale vargjet dhe proza e autorëve shqiptarë klasikë dhe modernë. Mjeda, Migjeni, Kuteli, Kadare, në skenën e braktisur të kinemasë Agimi që nga koha kur shfaqej kinemaja e arteve marciale dhe erotike, sipas idesë së regjisorit Enton Kaca
Kjo është pjesa e dytë e "Udhëtimeve të Lizës" me të cilën Kaca fitoi çmimin e regjisë më të re në javën e festivalit të teatit të rinjve më 2007, pjesë që vazhdon me "Andrra e Jetës" e Ndre Mjedës. Është hera e parë që poema e mjerimit që do t'i paraprinte me disa dekada poemës tjetër të mjerimit shkruar nga Migjeni, vihet në një skenë teatri jo e recituar, po e zbërthyer në personazhe, Trina, Zoga dhe Lokja, në elementë vizualë – objekte të vjetra dhe atmosferë mjerimi fshati.
"Gjithë puna me Mjedën ka qenë vizuale dhe muzikale. Janë përzgjedhur elementë vizualë nga poema "Andrra e jetës". Është aq e pasur gjuha e këtij poeti me të cilin kam përshtypje se ka ndodhur njëlloj si me Lasgush Poradecin në kohën e Hoxhës. Askush nuk e di është gjallë apo i vdekur një poet si Mjeda, askush nuk e di çfarë poeti ka qenë. E njohin vetëm ata që merren me letërsinë." Këto janë arsyet e jashtme dhe të brendshme për prirjet regjisoriale të Kacës që e shtynë të vazhdojë me Mjedën linjën sociale të mjerimit që kish nisur me "Udhëtimet e Lizës" me fshatin me tym dhe shtëpi të vogla ku ndodh drama dhe vdekja e Xheladin Beut, dëgjohen "Këngët e pakëndueme" dhe të drejtat e gruas sipas Kanunit për ta duruar fatin dhe burrin si shakull në kurriz.
Është e njëjta skenë fshati në të cilën Kaca do të mundohet të sjellë Trinën, Zogën dhe Loken: Molla t'kputuna nji degët/ dy qershia lidhë n'nji rrfanë/ ku fillojnë kufijt e geget/ rrinë dy çika me nji nanë. Aty ku aktorja Loredana Gjeçi do të performojë mbytjen në një fuçi uji me vargjet e Migjenit dhe gojë dhe me aludimet për ngjarjet e vitit 1997, një skenë e realizuar me mjeshtëri dhe vërtetësi.
"Mjeda ka për të sjellë ngrohtësi me pasurinë gjuhësore , me format gjuhësore që unë i quaj të vdekura. Jo pa qëllim vënia në skenë e "Andrrës së jetës" po bëhet duke shfrytëzuar hapësirat e vdekura urbane siç është Kinema Agimi". Sipas regjisorit të ri njerëzit qahen kot për hapësira kinemaje dhe teatri. Hapësirat janë. "Njerëzit pyesin ç'bëhet tek ajo kinema, a vazhdon të funksionojë. Gjithë problemi sipas meje është që institucionet që i kanë në varësi ambiente të tilla publike të krijojnë shanse t'i shfrytëzojnë të rinjtë kundrejt disa lehtësirave".
Është hera e parë që Kinema Agimi pas gati tetë vitesh po hapet për një aktivitet artistik, duke përjashtuar performanca të rastit nga artistë të arteve pamore. Muret i janë nxirë më shumë, shtretërit e merimangave janë shtuar, kurse ekrani 50- vjeçar është në vend si rekuiem i kohës së lavdishme të Agimit. Stolat e drurit sot do të jenë vendosur rreth në mesin e të cilit i ndriçuar nga qirinjtë do të luhet "Andrra e jetës". Se si mund të rrinë bashkë autorë kaq të ndryshëm të viteve sa të largëta aq edhe të afërta tridhjetë të shekullit të kaluar, për më tepër në një kinema që i përket legjendave urbane të Tiranës, mund të mësoni nesër në mbrëmje tek shfaqja enjë grushti të rinjsh të talentuar. Interpretojnë Rovena Lule, Loredana Gjeçi, Adelina Muça, Orjon Halili, Esmeralda Metka, Armela Demaj. Mbështetja për këtë produksion ka ardhur nga teatri i Metropolit i drejtuar nga Kiço Londo.
Janë për t'u përshëndetur që tani për forcën që gjejnë për t'i marrë traditës sonë edhe atëherë kur është e nxirë, cepin e papërlyer.