E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen zërat e "Jorgji Trujës"

 Edicioni i katërt mbarëkombëtar i Zërave Lirikë "Jorgjia Truja", organizohet nga 3-8 maj në Akademinë e Arteve në Tiranë. I realizuar nën emrin e artistes Jorgjia Truja, një nga figurat që qëndrojnë në themel të formimit të artit vokalo-skenik, prej tre vitesh ky aktivitet është bërë një sprovë për artistët e rinj. Programi prek stile e zhanre të lirikës vokale, nga kënga popullore e përpunuar e deri tek ariet e mëdha të literaturës botërore si dhe katër takime seleksionuese përballë një jurie me specialistë shqiptarë dhe të huaj. Koncerti i finalistëve këtë vit është planifikuar të realizohet me orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit, nën drejtimin e Alqi Lepurit, në formën e një Gala-je. Por veç anës praktike të ballafaqimit skenik, festivali përmban masterklase dhe seminare, ku pjesëmarrësit e pedagogët e tyre kanë pasur dhe do të kenë mundësi të krijojnë kontakte direkte, bashkëbisedime profesionale për problemet teorike të metodologjisë tradicionale dhe bashkëkohore me specialistë të huaj. Këtë vit do të zhvillohet dhe seminari me temë "Problemet bashkëkohore të artit lirik", ku do prezantohen edhe librat "Solokëndimi, studiojmë belcanto-n" i prof. Hamide Stringës, "Proceset fiziologjike të vokalit" të prof. Valerio Paperit", për të cilët do të referojnë prof. Hamide Stringa dhe prof. Suzana Frashëri. Një kategori e veçantë këtë vit janë "Pasuniversitarët", që i çojnë në 9, çmimet e festivalit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›