E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juela në Parti, me dinjitet të ri

Astrit VORPSI
Të rinjtë në politikë. Kështu e kish titulluar emisionin zoti Fevziu dhe kish rreshtuar në dy fronte përballë njeri-tjetrit të rinjtë sipas përkatësive partiake. Nisi emisioni me pyetjen së pari të zëdhënëses së Qeverisë. E veshur me kostum ku dominonte xhaketa dhe krehja e flokëve të stilit Nexhmije Hoxha dukej si një femër mjaft e shtruar në bisedë, me një qëndrim ulur në kolltuk që shprehte siguri, në fillim mjaft e butë në mënyrën e të folurit, me një shprehje fytyre që përshkohej nga ëmbëlsia e sinqeriteti që mbart vet mosha. Më në fund thashë me vete do dëgjojmë një mënyrë ndryshe të shprehuri të gjërave të ditës, mënyrë që vjen më afër reales sepse edhe mosha e këtyre debatuesve është akoma larg hipokrizisë politike, diabolizmit shtetëror, brutalitetit dhe banalitetit të sjelljes së politikës të ditës në Shqipëri. Idealizmi dhe çiltërsia janë tipare të moshës së re, ndërsa kalkulimet karakterizojnë moshat më të rritura në politikë. Sinqerisht do doja që të vazhdonte të fliste Fevziu më shumë për të më shmangur dëshpërimin e shkaktuar nga shprehjet standarde, shabllone, tepër irrituese të këtyre të rinjve, të cilët treguan se moshën kanë të tillë. "Partia ime më ka dhënë më shumë dinjitet, Partia ime i ka dhënë më shumë dinjitet familjes sime të madhe, Shqipërisë, dhe fëmijët e mi do jetojnë më mirë në këtë vend nën qiellin e Partisë time". Porsa Juela u shpreh se Partia ime më ka dhënë më shumë dinjitet, etj., në vazhdim, u stepa për një moment, mbylla sytë sikur doja të shmangia përputhjen e domethënies së kësaj shprehjeje me fytyrën e kësaj vajze të re. E vështroja fytyrën e Juelës dhe më mbivendosej tek ajo fytyra e një Nafije kooperativisteje, një sekretareje partie me 4 klasë shkollë elementare, një përfaqësuese grash që fliste në kuvendin e mjelëseve të dalluara, të cilat gjithçka në jetë deri edhe moralin edukues familjar ia dedikonin Nënës Parti. Si ka mundësi, pyesja veten, që një vajzë e re e rritur në bulevardin e Tiranës të manifestojë një mungesë formimi botëkuptimor të tillë, kaq të deformuar, ku mungon Uni i njeriut normal! Edhe një e staxhionuar nëpër zyrat e PD- së siç është Fina Topalli, e cila i detyrohet aq shumë Partisë së saj nuk e kemi dëgjuar që të shprehet në këtë mënyrë poshtëruese, injoruese ndaj Unit të vetes që të pohojë se, Partia ime më dha më shumë dinjitet.  Më erdhi në mend sekretarja jonë e rinisë në gjimnaz e cila kur do mbante fjalën e lamtumirës për një shokun tonë të mbytur në lumë mes të tjerash u shpreh: Gjithçka ia detyrojmë Partisë sonë të Punës, të dashurës Nënës tonë Parti, e cila na dha dinjitetin njerëzor e moralin komunist dhe ne kemi detyrimin tja shpërblejmë asaj me jetën e fëmijëve tanë. Ne të tjerët që spara i ishim shumë mirënjohës kësaj Nënës Parti shikuam njeri-tjetrin dhe nën shkeljet e syrit mblodhëm buzët si për të penguar daljen jashtë dhëmbëve të atij pohimi që e mbanim si sekret mes nesh. Duke u larguar nga varrezat shoqja ime përbri zë ulët më thotë: Mirë kjo Flamurtarja që  është krijuar në këtë jetë me ndihmën e sekretarit të byrosë së ndërmarrjes ku e ëma punon si shefe reparti dhe i detyrohet me jetën e saj Partisë, po çdetyrim moral e jete paskemi ne të tjerët që jemi produkte të nënës e babait në familjen tonë të vogël? Mendoj se është fatkeqësi vetjake por edhe për shoqërinë kur mes nesh vegjetojnë të tillë të rinj e të reja që periudhën para qenies anëtar të një partie e konsiderojnë si periudhë jete të tyre me dinjitet të munguar.  Këta janë ata element që përbëjnë numra në Parti. Këta vijnë në parti me boshllëkun e madh të formimit si njerëz, me mungesën e një orientimi sipas parimeve njerëzore në radhë të parë, gjë e cila të ndihmon për të përcaktuar një pozicion tëndin në raport me qëndrimet e opinioneve të të tjerëve përreth. Këtyre u mungon ajo më cilësorja, origjinaliteti, ajo vetja që sjell çdonjëri në shoqëri prandaj dhe janë kontigjenti më i mirë për shefat në qëllimet e tyre përpunuese e përkrahëse. Janë këta që nuk arsyetojnë dot me mendjen e tyre dhe bëhen papagaj të kryetarëve. Juela dukej fallso, hipokrite në atë mënyrë të shprehuri për partinë e saj, njësoj si ajo vajza e vogël që një vjershë me dy strofa të mësuar përmendësh e fillon ta recitojë pa bërë asnjë ndalesë, me një frymë, dhe ne të pranishmit nuk shikojmë asnjë lëvizje muskuli në fytyrën e recitueses. Fytyra e fëmijës që reciton i mbetet si maskë nga fillimi në fund. Kështu e tha Juela këtë shprehje të ndotur për një njeri normal, pa i lëvizur asnjë muskul fytyre dhe ndërsa fliste sytë i mbante nga tavani se mos harronte ndonjë fjalë. Ose-ose mbase edhe vet ndihej keq kur shprehej kështu dhe kjo ndjenjë e ligësht brenda vetes e detyronte që të mos i shihte dot në sy bashkëmoshatarët e saj dhe drejtuesin e emisionit. Fatkeqësia është se ky takëm të rinjsh si Juela e Bogdani jo vetëm që nuk flasin dot me mendimin e tyre origjinal, atë vetjakun, por përsërisin sloganin e Kryetarit të tyre se Shqipërisë i ka dhënë më shumë dinjitet PD- ja. Zëdhënësi Bogdani nuk meriton të merresh me atë fare. Në sytë e shikuesve i vlerësuar si rrugaç (pa ia përmendur këtë fjalë) nëpërmjet gjykimit mjaft të drejtë nga ana e së resë Xoxa, pjesëmarrëse në studio rrinte me një vështrim tinëzar sikur donte të thonte flisni ju flisni, unë jam goja e Kryetarit të partisë. Ai tashmë e ka të konturuar qartë portretin e tij prej të riu në politikë si kopja më e shëmtuar e atyre lëpirësve të mikrofonit që i ka dhënë në dorë Shefi i tij. Ishte për tu mëshiruar kur filloi të shpjegonte se rridhte nga një gen familjar i lashtë, ishte autokton shumë i vjetër e të tjera xhevahire.  Thua se këto të përcaktojnë automatikisht që të jesh në popull një politikan i konsideruar si elitë shprese për të ardhmen. Një vetëgjykim i tillë  është fatkeqësi për atë vet në radhë të parë dhe së dyti mjerim për partinë e cila e mban pranë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›