Kinematografi,emra të rinj fitojnë mbështetjen e QKK
Histori të pamundura dashurie, drama emigracioni, reminishenca të së kaluarës, në të tashmen... Këto janë historitë që kanë bindur Këshillin Miratues të Projekteve të filmit artistik, pranë Qendrës Kombëtare Kinematografike. Në datën 21 qershor, u zhvillua takimi i bordit të QKK-së, nga ku dolën edhe titujt e filmave që do të përfitojnë financimin e Qendrës për këtë vit. Mes një shumësie projektesh, bordi i ka propozuar kryetarit të QKK-së, Artan Minarolli të firmosë financimin për tri filma. Bëhet fjalë për projektet “Amnistia” me regji të Bujar Alimanit, “Udhëkryqi” i Robert Budinës dhe “Bota” e Iris Elezit. Të bën përshtypje që emrat e regjisorëve nuk janë ata që jemi mësuar të shohim rëndom në listën e filmave fitues. Kjo do të thotë se rrethi i kineastëve po zgjerohet e ndoshta këta emra të rinj do të sjellin një frymë të re, më shumë alternativë, në kinematografinë shqiptare. Bordi, i përbërë nga Teodor Laço, Esat Mysliu, Agron Tufa, Bujar Lako dhe Durim Neziri, konsideroi “dosjet” e Alimanit, Budinës dhe Elezit, si më seriozet ndër të gjithë projektet e paraqitur, por nuk kanë munguar edhe vërejtjet. Për të tri projektet është kërkuar ripunimi i skenarit dhe dorëzimi i tij brenda afatit të caktuar. Ndërsa për filmat e Budinës dhe të Elezit është kërkuar “përfundimi i montazhit financiar të bashkëprodhimit të projektit”, që do të thotë sigurimi i bashkëfinancuesve. Pas plotësimit të këtyre kushteve do të nisë edhe lëvrimi i financimit nga ana e QKK-së. “Amnistia” me regji dhe skenar të Bujar Alimanit, me producent “’90 Production” sh.p.k. aplikon për herë të dytë për financim nga ana e QKK-së. Një vit më parë, bordi i “vjetër” e skualifikoi filmin e Alimanit, por për çudinë e të gjithëve, ky projekt, në muajin maj, fitoi mbështetjen prej 120 mijë eurosh nga Fondi i Këshillit të Evropës, për kinematografinë, “Eurimages”. Në konkurrimin e këtij viti, “Amnistia” ishte qysh në krye të herës një film fitues. Bordi i “ri” nuk mund të rrëzonte një projekt të pranuar nga “Eurimages”. Filmi i Alimanit, vendosur mes Tiranës dhe Pogradecit, trajton historinë e një dashurie të pamundur mes dy njerëzish tërësisht të ndryshëm, në një kontekst politiko-social të vështirë, si ai shqiptar. Tashmë regjisori Alimani e ka zgjedhur kastin e aktorëve dhe po punon për përcaktimin e vendeve të xhirimit. “Udhëkryqi” me regji të Robert Budinës dhe skenar të Robert Budinës dhe Karine Blanch, me producent “Era Film” sh.p.k., na sjell një histori emigracioni. Një ngjarje, e cila vendoset në Greqi dhe trajton fatin e një emigranti të ri shqiptar dhe dilemën mes fitimit të shpejtë dhe atij përmes punës dhe lodhjes së përditshme. Regjisorja e re Iris Elezi, përmes skenarit që mban firmën e saj dhe të Thomas Logorecit, me producent “i’s continuum” sh.p.k. ofron historitë e tre të rinjve, dy vajzave dhe djalit të një politikani shqiptar, të larguar në ekzil gjatë viteve të diktaturës komuniste. Këto projekte kanë konkurruar edhe më parë për financime pranë fondacioneve të ndryshme kinematografike evropiane. Në dy mbledhjet paraardhëse, bordi i QKK-së shqyrtoi edhe projektet e paraqitura për dokumentarët dhe filmat me metrazh të shkurtër. Dokumentarët fitues janë “Gra në dritare” me regji dhe skenar të Irvin Muçajt, “Mbreti i fushës”, me regji të Kujtim Gjonajt dhe skenar të Agim Doçit, “Shërbestari i kombit” me regji të Saimir Kumbaros dhe skenar të Aleko Gjergos dhe “100 vjet me himnin e flamurit” me regji dhe skenar të Petrit Rukës. Ndërkaq u kthyen pas disa projekte, për ripunim skenari, ose për faktin që krijuesit ishin paraqitur me më shumë se një projekt. Në fillim të muajit u miratuan edhe 4 projekte për filmin me metrazh të shkurtër.
Fituesit
Filmat artistikë
- “Amnistia”, regjia dhe skenari Bujar Alimani, producent “’90 Production” sh.p.k.
- “Bota”, regjia Iris Elezi, skenari Iris Elezi, Thomas Logoreci, producent “i’s continuum” sh.p.k.
- “Udhëkryqi”, regjia Robert Budina, Skenari Robert Budina, Karine Blanch, producent “Era Film” sh.p.k.
Dokumentarët
- “Gra në dritare”, regjia dhe skenari Irvin Muçaj, producent “Nilor Film”.
- “Mbreti i fushës”, regjia Kujtim Gjonaj, skenari Agim Doçi, producent “Bota Shqiptare” sh.p.k.
- “Shërbestari i kombit”, regjia Saimir Kumbaro, skenari Aleko Gjergo, producent “Papadhimitri Film Production” sh.p.k.
- “100 vjet me himnin e flamurit”, regjia dhe skenari Petrit Ruka, producent “Bunker Film” sh.p.k.