Prindërit e “gruas merimangë”: Vajza na ka turpëruar, “hëngri” pesë burra në Shqipëri
Nga fshati Dhivër, Shpresa Dine
Një ngjarje e rrallë, që prej ditësh ka pushtuar mediat dhe televizionet greke na shpuri deri në fshatin Dhivër, rreth 65 km larg qytetit të Sarandës. Evangjeli Zhanga, bija e këtij fshati prej ditësh është shndërruar në kryefjalë të mediave greke si monstër “që ha burrat”. Ajo akuzohet se ka vrarë një biznesmen grek me të cilin kishte lidhje, duke e groposur në vaskën e shtëpisë. Ndërsa policia po heton dhe dy raste të tjera të vdekjeve të burrave me të cilët ka jetuar shqiptarja e minoritetit. Evangjelia, fëmija i parë nga tre vajza dhe dy djem të familjes Zhanga, ka lindur në Dhivër 54 vjet më parë, në një shtëpi njëkatëshe në lagjen “Vullnetari”. Një rrugë pjesërisht edhe e asfaltuar të shpie brenda në fshat. Edhe këtu, si në gjithë fshatrat e tjerë minoritarë nuk gjen shumë banorë, pasi shumica e tyre janë larguar vite më parë në emigracion për të përmirësuar jetën e tyre. Nga ata pak bashkëfshatarë të Evangjeli Zhangës që takuam në klubin e fshatit askush nuk nguroi të tregonte urrejtje dhe turp që e kishin bashkëfshataren e tyre për veprimin e shëmtuar që ka kryer. Ata tregojnë se në fshat jetojnë prindërit e moshuar të Evangjelisë, Thanas dhe Alekso Zhanga. Dy pleqtë, me lot në sy, të presin në banesën e tyre, duke treguar fillimisht me drojë historinë e së bijës, por që prej 20 vitesh thonë se e kanë bërë haram.
Kur dhe nga kush e mësuat se çfarë ka bërë vajza tuaj?
Ditën e nesërme kur foli televizori grek për vajzën erdhi një njeriu jonë dhe na tha.
Si u ndjetë kur e morët vesh?
Edhe pse u tronditëm shumë, burrë e grua me njëri-tjetrin thamë: Vajza jonë gjeti atë që kërkonte. Nuk na vjen turp ta themi, ajo ishte e shthurur dhe kjo jetë për të ka nisur që kur ishte 14 vjeçe dhe që asnjëherë nuk na e dëgjuar këshillën tonë.
Sa fëmijë keni ju?
Kemi 5 fëmijë që i kemi rritur duke mbledhur sherebel dhe murriz. Katër të tjerët i kemi të mirë, kjo sepse u bë kështu, nuk e dimë.
Sa herë është martuar vajza juaj?
Pesë herë. Martesën e parë në Delvinë e kemi bërë me krushqi dhe herët e tjera ajo i ka marrë vetë, si ka dashur. Nga të pestë burrat ka pasur fëmijë që i bënte dhe ikte dhe ne i kemi rritur të gjithë. Burri i dytë ishte nga Korça, të cilin e ka vrarë në vitin 1982. Na foli atëherë policia dhe na tha: Vajza juaj ka vrarë burrin. U dënua 15 vjet dhe bëri vetëm dy se ishte shtatzënë. Më pas u martua në Tepelenë, herën e katërt në Memaliaj dhe të fundit në Gjirokastër. Me të gjithë kishte nga një fëmijë, por ajo i braktiste si burrat dhe fëmijët.
I besoni ju veprimet e saj?
Ne e besojmë me veprimet që ka bërë. Këto veprime që janë bërë nga ajo janë të rralla, se kur delja ndahet nga tufa, e ha ujku. Kështu ndodhi edhe me vajzën tonë. Asnjëherë nuk u afrua me motrat dhe vëllezërit e saj. Vetëm të më thërriste prokurori dhe gjykata në Greqi, pa dija unë se çdo t’i bëja asaj. Që 12 vjeçe kështu ka bërë. Xhevdet Mustafa në Shqipëri, Kosta Paskali në Athinë dhe e treta doli vajza jonë që ta marrë vesh e gjithë bota. Na ka turpëruar deri në kockë. Po t’u thuash fëmijëve të mi që të shkoni të pini gjak nga ajo, ata shkojnë. Edhe ne pimë gjak nga ajo.
Kur ka ikur vajza juaj nga shtëpia?
Në 1982 u martua në Delvinë. Në 1990 iku në Greqi dhe kemi mbi 10 vjet pa u lidhur me të. Dimë që shkonte dhe vinte nga Amerika. Që prej 20 vitesh nuk ka ardhur më në Dhivër dhe nuk e kemi parë me sy.
A keni marrë ndonjë dhuratë prej saj?
Kurrë.
Ju shpreheni se i keni rritur fëmijët e Evangjelisë...
I kemi rritur. Po fëmijët e Evangjelisë janë engjëj. Ndërsa ajo është djall. Ajo nuk është bërë asnjëherë me fëmijët e saj. Liljanën, vajzën me burrin nga Delvina, e hodhi i fejuari nga ballkoni që ajo të mos dëgjonte e të bëhej si nëna e saj. Kjo ka ndodhur në vitin 1996.A keni ndonjë fotografi të Evangjelisë?
Po të kisha një fotografi do ta digjja.
Sa shkollë ka kryer Evangjelia?
4 klasë. është me shkollë fillore, por e zgjuar sikur është me universitet.
Si ndiheni pas kësaj që ka ndodhur?
Ah sikur të dilte njeri dhe ta vriste se do të shpëtonim ne dhe fëmijët e saj.
Flitet në fshat dhe për një krim që ka bërë babai dhe vëllai juaj. Si është e vërteta?
Nuk është turp ta pranoj përderisa ka ndodhur. Vëllai ka vrarë gruan dhe për atë u gjykua. U dënua me varje. Po kështu edhe babai dhe mamaja ime u dënuan me nga 25 vjet. Babai vdiq në burg ndërsa nëna doli. Pse edhe vajza, vëllait tim i ngjau?!
Historia e vrasjes në familje
Kosta Konomo, 90 vjeç, kujton një tjetër histori të familjes Zhanga. I moshuari thotë se motrën e vet ia ka vrarë xhaxhai i Evangjelisë, Sotir Zhanga, (i shoqi i viktimës), së bashku me babanë e tij, Thimjo Zhanga, dhe nënën e vet, Panago Zhanga, në vitin 1955. “E kanë hedhur në greminë të ngarkuar me stivë drush në kurriz e mandej e kanë goditur edhe me plumb dhe pas tri ditësh është bërë e mundur gjetja e trupit të saj. Atëherë ata u kapën nga policia dhe u gjykuan në mes të fshatit dhe Sotiri u dënua me vdekje dhe Thimjoja dhe Panagua u dënuan me nga 25 vjet burg. Thimjoja vdiq në burg, ndërsa gjyshja e Evangjelisë, Panagua arriti të dalë nga burgu. Njëri prej fshatarëve kujton në ato vite kur është dhënë dënimi i familjes Zhanga, njëri prej fshatarëve që ishte atje ka thënë: “Nuk keni bërë gjë pasi të tjerë vrasës ka kjo familje”. Eleni Lango, vajza e hallës e Evangjelisë, shitëse e një dyqani ushqimor në këtë fshat, edhe pse nuk nguroi të fliste për të tha se kushërira e saj ka vite që nuk vjen në fshat. “Ajo ka bërë jetë të shthurur, por në këtë rastin e fundit mendoj se këtu kemi të bëjmë me ndonjë grup dhe se kushërirë ime është bërë pjesë e tyre e shfrytëzuar”.
Krimet
Vrasja e biznesmenit grek, trupi i të cilit u gjet i masakruar, fshehur nën pllakën e dushit, bëri jehonë në Greqi. Tasos Tcagaropulos, 40-vjeç nga ishulli Xakinthos, rezultoi i zhdukur prej 1 viti, por hetimet e kryera nga policia greke çuan në zbardhjen e krimit. Gruaja nga minoriteti u akuzua për vrasjen e tij pasi e kishte shfrytëzuar për para biznesmenin. Eva Zhonga, sipas policisë së shtetit fqinj akuzohet dhe për krime të tjera të burrave, me të cilët kishte pasur më parë lidhje. Qëllimi i vetëm i saj konfirmohet se ishin paratë dhe interesi ekonomik, duke mos e ndalur atë përballë asnjë krimi. Flitet se ajo mban një ditar që nga viti 2006, i cili do të hedhë dritë mbi krimet.