E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shefqet Peçi e quajti marrëzi arrestimin e Teme Sejkos”



AFRIM IMAJ

Në historinë e viktimave të komunizmit, ajo e familjes Sejko, është nga më tragjiket. Në numrin e djeshëm botuam pjesën e parë të rrëfimit të Rajmond Sejkos, djalit të ish admiralit të flotës i martirizuar nga sigurimi i shtetit, në të cilën përshkruhen çastet tronditëse të paradites së 28 korrikut ’60, pas lajmit për arrestimin e papritur të Temes. Më tej, i mbijetuari i vetëm i familjes Sejko, zbulon momentet kur ka humbur të dashurit e vet: “I pari iku babai, Temja. Pas një procesi maratonë thanë se e pushkatuan. E pushkatuan, po mbeti pa varr. I dyti, im vëlla, Sokoli. E vranë dhe atë me plumb. E pushkatuan si sabotator natën për ta lënë pa varr. E treta, ime më, Shpresa. E dërrmuan tragjeditë e njëpasnjëshme, dhe i dha fund jetës me dorën e saj. E mira nënë, mbylli sytë ditën e arrestimit tim. Ikën të gjithë pas njëri-tjetrit. Asnjërin nuk arrita ta përcjellë për në banesën e fundit…” Babain e arrestuan paraditen e së enjtes së 28 korrikut ‘60. E mbaj mënd si tani. Po lozja me një shok në oborr të shtëpisë së gjyshes, afër gjimnazit “Ismail Qemali”. Një moment trokiti dera e jashtme dhe hyri rrufeshëm një grup njerëzish të veshur me kostume gri. Pa komunikuar fare nisën nga kontrolli i shtëpisë duke përmbysur gjithçka. Pas një ore dolën. Në ikje e sipër i thanë mamasë se Temen e kishin arrestuar. Ajo ngriu në këmbë, por nuk deshi ta jepte veten. E pashë që u trondit. Desha ta pyesja, po aty për aty ndërrova mëndje. Nuk mund ta kuptoja ç’kishte ndodhur. Të paktën ato çaste. Pa kaluar gjatë morëm vesh se në të njëjtën orë ishte arrestuar dhe xhaxhai, Tahiri. Babain siç e mësuam më vonë e kishin prangosur në zyrën e Beqir Ballukut…
Si e përjetuat në familje momentin e arrestimit të babait?
Me sa më kujtohet gjyshja mundohej të qetësonte mamanë. Me siguri, do jetë ndonjë keqkuptim, i thoshte duke e këshilluar të mblidhte fëmijët. Sidoqoftë, duhet bërë diçka, hidhej mamaja. çfarë mund të bëjmë?, pyeste gjyshja. Së paku, të pyesim ndonjë shokun e tij?, shtonte Shpresa. Dialogu mes tyre me sa më kujtohet vazhdoi disa çaste. Pastaj mamaja mori një bluzë që kishte aty pranë dhe u largua. Do shkoj te Shefqeti, ai do më thotë diçka, ju drejtua nënës para se të kapërcente portën. Sakaq, ne u mblodhëm rreth gjyshes dhe filluam ta pyesim gjithë kërshëri. Punë qeverie këto, po ju mos u merakosni, na thoshte ajo. Nuk e di sa ndenjëm ashtu pa zë pranë saj, por mbaj mënd se nga kjo gjendje u shkundëm kur u kthye mamaja. Ajo disi më e qetë filloi t’i tregojë gjyshes për bisedën me Shefqet Peçin…
Si reagoi Shefqet Peçi, kur mori vesh për arrestimin e Teme Sejkos?
Shefqet Peçi në fillim u habit dhe aty për aty ishte shprehur se i dukej i pamundur arrestimi i Teme Sejkos. E kupton çfarë thua? kishte qortuar pastaj mamanë me ton të vrazhdë. Më njoftuan zyrtarisht, bile na kontrolluan dhe shtëpinë, i kishte shpjeguar ajo. Marrëzi, ishte shprehur i revoltuar ai duke murmuritur nëpër dhëmbë disa fjalë të pakuptimta. Sidoqoftë, i kishte premtuar Shefqet Peçi, do interesohem dhe do t’u kthej përgjigje…
Dhe cila ishte përgjigjja…
Përgjigjja nuk erdhi kurrë. Me sa mësuam më vonë, Shefqet Peçi kishte trokitur aty ku duhej, por nuk mundi të bënte gjë. E çfarë mund të bënte kur për fatin e Teme Sejkos ishte vendosur nga kreu i vendit. Si mund të çante kur i vunë përpara cilësimet, agjent i grekut, i CIA-as, i UDB-s. Këtu u mbyll kapitulli me Shefqet Peçin. Në vazhdim, ngjarjet nga dita në ditë rrodhën vrullshëm dhe ne filluam të pajtoheshim me të keqen...
Pas arrestimit të babait, vazhduat të qëndronit në Tiranë?
Si kaluan pesëmdhjetë ditë nga prangosja e babait dhe nuk morëm asnjë shpjegim për motivin e arrestimit të tij, shkuam në Vlorë. Kur u futëm në shtëpi, konstatuam se ishte përmbysur gjithçka. Njerëzit e sigurimit, me sa dukej kishin bërë kontroll të imët në çdo skutë të saj. Për orë të tëra u morëm me sistemimin e materialeve dhe librave që ishin hedhur sa andej këtej. Vetëm kaq, nuk është asgjë, na qetësoi mamaja. Dhe në fakt e keqja erdhi pas disa ditësh. Një taborrë policësh, të kryesuar nga Enver Kapua, ish shefi i sigurimit të Flotës, zbarkuan brutalisht në shtëpi dhe sekuestruan çdo gjë. Na lanë vetëm një dyshek, bile atë që ishte më i vjetri. Na hoqën prej aty e na çuan në një shtëpi me një dhomë në lagjen “Vrenez”. Me sa mbaj mend ishte shtatori i vitit ‘60. Kjo e bëri situatën mjaft e rëndë. Nuk kishim ku të trokisnim. Ca më tepër që ambienti rreth e rrotull më në fund ishte bërë i akullt. Shumëkush që na njihte, sa përballeshim, ndërronte rrugë. Në të gjithë Vlorën ishte hapur lajmi se Teme Sejko kishte tradhtuar. I vetmi që nuk kishte hequr dorë nga përshëndetjet e rastit, ishte këshilltari sovjetik që e kishim pasur komshi. Sidoqoftë dhe ai shumë i rezervuar…
Pra, nuk u internuan siç ndodhte në rastet e tjera pas arrestimeve për veprimtari armiqësore…
Deri në ditën e gjyqit, ne vazhdonim të jetonim në Vlorë. Pavarësisht se nuk na ishte komunikuar ndonjë masë administrative, ndjeheshim të izoluar nga të gjitha anët. Urdhrin e internimit na e sollën menjëherë pas përfundimit të procesit gjyqësor. Më 22 tetor ‘61 na transferuan në Berat. Aty u vendosëm në një godinë të vjetër në lagjen “Barakat e tërmetit”. Ajo ishte një ndërtesë kantieri e përdorur më parë nga vullnetarët, që ishin marrë me rikuperimin e pasojave të tërmetit të atij viti. Rreth dy muaj jetuam aty në kushte shumë të vështira. Me afrimin e dimrit, na çuan në një ndërtesë tjetër afër kalasë, me kushte disi më të mira. Kur menduam se u rehatuam, na urdhëruan për t’u larguar që andej, pasi godina do t’i rikthehej ish-pronarit. Shkuam për disa kohë në një banesë tjetër. Aty nga viti ‘71 erdhi nga Tirana për të banuar me ne gjyshja. Në vitin 1973, u sistemuam në katin e katërt të një pallati në një hyrje dhomë e kuzhinë. Aty pastaj…
Si e përjetuat gjyqin e Teme Sejkos?
Gjatë kohës që zhvilloheshin hetimet, nuk dinim gjë fare. Kishim dëgjuar se ishin arrestuar bashkë me të edhe 300 të tjerë. Të gjithë nga zona e çamërisë. Flitej se do të dënoheshin si grup armiqësor i lidhur me zbulimin grek. Vetëm kaq dhe asgjë tjetër. As diskutohej të pyesnim për më shumë. Që nga dita e arrestimit, nuk na lejuan ta takojmë babain asnjëherë. Ditët që zhvillohej gjyqi, njerëzit thoshin poshtë e lartë se Teme Sejko kishte pranuar gjithçka. Bile në Vlorë flitej se procesi bëhej me dyer të hapura, në mes të Tiranës. Jehona e këtyre zërave përligjte dita-ditës tradhtinë e Teme Sejkos. Madje edhe miqtë e shokët e afërt të tij, po çuditeshin me ato që dëgjonin…
Po ju si familjarë e besonit se Teme Sejko ishte vënë në krye të një grupi armiqësor, që do përmbyste pushtetin popullor?
çfarë mund të besonim më parë nga gjithë ajo zhurmnajë e tmerrshme. Kudo flitej me urrejtje për Teme Sejkon dhe grupin e tradhtarëve nga çamëria. Ne as mund ta çonim në mendje, pa le ta besonim diçka të tillë. Kishte ndërkaq edhe të afërm të familjes që thoshin se i kishin dëgjuar me veshët e tyre pohimet e Temes në gjyq. Në këtë gjendje u pllakosëm e u mbyllëm në vetvete. Morëm vesh se e kishin pushkatuar. As të qanim nuk na lejohej, se ndryshe shprehim dhimbje për tradhtarin…
Pra, mundët të merrnit vesh se u pushkatua si koka e një grupi komplotist në lidhje me zbulimin grek e amerikan
çfarë nuk flitej. Ne fëmijët ishim të vegjël dhe ajo që mund të fiksonim për mëkatin e babait, ishte vetëm fjala tradhtar, armik, spiun i të huajve, etj. Mbaj mend se ato ditë u tha se Teme Sejko si komandant i Flotës, do tërhiqte anijet shqiptare në Sazan dhe do t’i hapte rrugë një flote amerikane, për t’u futur në Pashaliman! Marrëzitë që thuheshin nuk kishin fund…
çfarë ndodhi me familjen tuaj pas pushkatimit të Teme Sejkos?
Të thuash një dramë, është pak. Ajo, në fakt ishte shfaqur qysh të enjten e 28 korrikut ‘60, por kalvari tragjik filloi menjëherë pas pushkatimit të babait. Në qershor të vitit ‘73 arrestuan vëllain e vogël, Sokolin. Në janar ‘74 e dënuan me vdekje si armik. Në shkurt të vitit më ‘75 arrestuan mua dhe më dënuan tetë vjet për agjitacion e propagandë. Në shtëpinë e Teme Sejkos mbeti vetëm mamaja, Shpresa. Ajo, disa orë pas arrestimit tim, vrau veten. E varrosi vetëm gjyshja me punonjësit e komunales...
Ishte koha kur policia sekrete e ndiqte për traktet antikomuniste që shpërndante në Berat...
Pikërisht në atë periudhë. Kishte një histori të veçantë mamaja me traktet. Për herë të parë është marrë me to kur ishte 14 vjeçe. Në demostratën e organizuar në verën e vitit 1943 në Korçë, ushtarët italian e qëlluan me breshëri teksa vendoste disa të tilla në një fasadë muri. Plumbat i kaluan fare afër, po shpëtoi mrekullisht. Po atë vit gjyshi u transferua në Tiranë. Mamaja filloi prap me avazin e trakteve, duke futur në lojë edhe vëllain, Engjëllin. Një ditë e kapën dhe e arrestuan. Falë moshës së vogël dhe ndërhyrjeve të gjyshit, e nxorrën. Ndryshe do të përfundonte në kampin e Prishtinës. Për ironi të fatit, ajo edhe pas 31 vjetësh nisi të protestonte me trakte. Traktet e fundit i shpërndau në të gdhirë të 21 shkurtit 1975. Në mëngjesin e asaj dite u gjënd e vdekur…
Një tragjedi të tillë ka përjetuar edhe xhaxhai…
Njëri nga xhaxhallarët u pushkatua bashkë me babain. Xhaxhai tjetër përfundoi në vetëvrasje. Me dhjetëra të afërm e miq të familjes u dënuan e internuan për vite të tëra. Mbiemri Sejko, u bë i tmerrshëm për regjimin...
Më në fund nga familja e Teme Sejkos, mundët të mbijetoni vetëm ju...
Deshi zoti dhe streha e Teme Sejkos nuk u shua. Mbijetova unë për amanetet e të gjithëve. Me pengun e madh që nuk mësova ç’thanë në çastet e fundit dhe nuk di ende ku prehen eshtrat e tyre. Gjithsesi, jam krenar që jam pjesë e gjakut të tyre, që nuk e braktisa kurrë mbiemrin tonë, aq të anatemuar dikur. Kuptohet, e pata tmerrësisht të vështirë, por munda të ringrihem. U ringrita dhe krijova familje. Po ringrita edhe ata...
çfarë keni parasysh, kur thoni se ringritët dhe ata?
Kam parasysh faktin që sot bashkëjetoj sërish me ta. Po po, Teme Sejko ka emrin djali. Shpresa, vajza e madhe. Sakaq vajzën tjetër e kam pagëzuar me emrin e gjyshes Didar. Bashkarisht jetojmë në Amerikë, aty ku na përplasi jeta. Flas me ta për tragjeditë e dikurshme, duke ju treguar ngjarje nga historitë e babait, nënës e Sokolit nëpërmjet të cilave dua t’u transmentoj vlerat e jetës së tyre të prerë në mes nga dora mizore. Jam i lumtur që më dëgjojnë me vëmendje dhe u pëlqen të vazhdojnë udhën e tyre...
vijon nesër...

Procesverbali i Këshillit të Posaçëm Gjyqësor të Gjykatës së Lartë
Dokumenti, admirali do sulmonte Flotën nga Sazani

Komandanti i Flotës Luftarake, kundëradmirali Teme Sejko, kishte marrë detyrë asgjësimin e saj! Ky do të ishte kulmi i veprimtarisë tradhtare të ushtarakut të lartë, për të cilin siç shprehet Këshilli Gjyqësor i Posaçëm i Gjykatës së Lartë, u provua katërcipërisht gjatë procesit(!).
Në procesverbalin e gjykimit është hedhur e zeza mbi të bardhë: Teme Sejko do të zaptonte ishullin e Sazanit dhe me anë të artilerisë do të pengonte daljen e Flotës Shqiptare nga gjiri i Vlorës, ku ajo pastaj do të asgjësohej nga Flota e VI e SHBA-së. Në këtë rast, ndodhte një precedent i panjohur më parë në historinë e ushtrive dhe zbulimeve të fshehta botërore: Një komandant flote do të hidhte në erë flotën që komandonte për t’ia besuar hapësirën detare të vendit të tij një fuqie të huaj! Pavarësisht se këtë nuk do ta besonin as vetë ata që e ideonin si opsion, Teme Sejko do të martirizohej, madje do të mbetej pa varr pikërisht për këtë marrëzi të thurur natën nëpër qelitë e ferrit, ku sigurimi ngrite skemë pas skeme për ta bërë sa më të besueshëm tradhtinë e komandantit të Flotës Detare.
Dokumenti
I pandehuri Teme Sejko dhe bashkëpunëtorët e tij kishin organizuar përmbysjen e pushtetit popullor, ku do të merrnin pjesë edhe forcat greke, jugosllave, si dhe Flota e Gjashtë e SHBA. Sipas bisedës së bërë me Panajot Plakun dhe Haki Rushitin, në bazë të udhëzimeve të zbulimit grek, përmbysja e pushtetit popullor do të bëhej në këtë mënyrë: Në Shqipëri do të futeshin grupe diversioniste të përbëra nga të arratisur, të përgatitur për këtë qëllim në Greqi dhe Jugosllavi dhe vende të tjera. Këto grupe që do të strehoheshin në bazat e krijuara dhe do të fillonin në momentin e caktuar me veprime diversioni dhe terrori kundër institucioneve shtetërore dhe njerëzve të pushtetit. Me fillimin e veprimeve nga ana e grupeve të diversantëve, do të fillonin veprimet në kufirin shqiptar edhe forcat ushtarake të Greqisë, Jugosllavisë dhe të SHBA. Grupe të specializuara do të futeshin në Shqipëri për të penguar veprimtarinë e ushtrisë së RPSH. Teme Sejko gjatë këtyre veprimeve do të zaptonte ishullin e Sazanit dhe me anë të artilerisë do të pengonte daljen e flotës shqiptare nga Gjiri i Vlorës, ku ajo pastaj do të asgjësohej nga Flota e VI e SHBA-së. Për të vënë në zbatim këtë plan kriminal vepruan aktivisht edhe të pandehurit Sami Murati, Hajri Mane, Jonuz Purizo, Adem Osmani, Nasho Gërxho e Asllan Veliu.
Veprimtaria e kësaj organizate del e qartë jo vetëm nga plani i përgjithshëm që ajo do të zbatonte, por edhe nga veprimtaria e çdo të pandehuri të marrë në mënyrë të veçantë. U provua se i pandehuri Teme Sejko është vënë në shërbim të zbulimit grek dhe amerikan në vitin 1950, Abdyl Resuli në vitin 1932 dhe Tahir Demi në vitin 1951. Këta duke shfrytëzuar përgjegjësitë e rëndësishme që kanë pasur në aparatin shtetëror, për një kohë të gjatë u kanë dorëzuar zbulimeve të huaja informata ushtarake, politike dhe ekonomike. Të tre të pandehurit kanë rekrutuar edhe persona të tjerë, të cilët më pas i kanë aktivizuar kundër pushtetit popullor. U provua se i pandehuri Teme Sejko ka rekrutuar si agjentë të pandehurit Tahir Demi dhe Hajri Mane. I pandehuri Tahir Demi ka rekrutuar të pandehurit Asllan Veliun e të tjerë, ndërsa Abdyl Resuli ka rekrutuar të pandehurin Sami Murati... U provua se pas mbledhjes së Durrësit, në muajin shtator 1959, në afërsi të katundit Vërvë është bërë një mbledhje. Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë Haki Rushiti, Izet Osmani dhe Teme Sejko e Tahir Demi. Në këtë mbledhje raportuan të pandehurit Teme Sejko e Tahir Demi, për punën e organizatës kriminale në flotën ushtarake, strehimin e bandave në Durrës, Elbasan, Tiranë, Shkodër, Korçë dhe Konispol, mbi nevojën e nxjerrjes në Greqi të Rexho Plakut, i cili do të përdorej për të propaganduar kundër pushteti popullor, mbi planin e pushtimit të Konispolit nga diversantët dhe ngritjen e një radiostacioni, me anën e të cilës do t’u bëhej thirrje fuqive imperialiste të ndërhynin me forcat e tyre. Në mbledhje u bisedua dhe për armatosjen e pjesëtarëve nga depot greke dhe jugosllave. Në këtë mbledhje u la një takim tjetër, pranverën e 1960-ës, i cili nuk u realizua sepse Haki Rushiti dhe Panajot Plaku nuk erdhën. U provua se në muajin shkurt 1960 ka kaluar kufirin diversanti Izet Osmani. Ai ka ardhur në Elbasan dhe është takuar me Tahir Demin, të cilit i ka dorëzuar letrën e zbulimit grek. Së bashku me Tahirin, ai ka shkuar në Durrës, ku kanë bërë një mbledhje, ku ka marrë pjesë edhe Teme Sejko, Abdyl Resuli dhe të tjerë. Në këtë mbledhje janë marrë udhëzimet përfundimtare për kryengritjen e armatosur, e cila do të bëhej në gjysmën e dytë të vitit 1960, në pragun e Kongresit të Katërt të PPSH.

neser do te lexoni

Pushkatimi i Sokolit, tragjedia e dytë në familjen e Teme Sejkos

Si e përpunoi sigurimi të dashurën e 23 vjeçarit për të provuar fajësinë e djalit të “Armikut të popullit”.

Kush ishin njerëzit që bashkëpunuan me policinë sekrete dhe dëshmuan se Sokoli synonte të hidhte në erë Kombinatin e
Tekstileve “Mao Ce Dun”

Fjalët e fundit të djalit të Teme Sejkos: Mos qëlloni nga larg, po afrohuni!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›