Kinse ambientalistët
GENTIAN HOXHA
Kohët e fundit na kanë mbirë turli-lloj individësh që na paraqiten si ambientalistë, që i dhemb shpirti për çdo luledele apo luleshqerre. Vijnë nga fusha të ndryshme, shpeshherë dhe krejt pa lidhje dhe kanë mision të dalin në media pak rëndësi ka se sa të drejtë kanë në atë që thonë, mjafton të shfaqen. Po t’i shohësh pak me kujdes se çfarë përfaqësojnë, do të shquash një duzinë njerëzish anonimë që u gdhinë deputetë dhe pastaj u ra radha të bëjnë dezhurn te pallati i Dashit, disa ish zv.ministra Mjedisi, punësh publike dhe shumë privatë, ish zv.kryetarë të Bashkisë së Tiranëspersona që paraqiten si gazetarë apo analistë mediash dhe që deri dje ishin zëdhënës të ministrave, e deri te ndonjë agronom apo shitës që mjaft të dalë në televizor dhe të krekoset te fqinji. Nuk u ndien këta trima kur ish-kryetari i Bashkisë, z. Rama, pa përfillur ligjet e shtetit dhe pa asnjë leje mjedisore, e ktheu sheshin “Skënderbe” në shkretëtirë pluhuri dhe rrëmuje me rrezik për shëndetin dhe jetët e banorëve. Ama, këta kinse ambientalistë na dolën për të kërkuar llogari ambientaliste kur kryetari i ri Basha e rregulloi sheshin dhe na mbolli mbi 1000 pemë. Nuk u ndien këta trima kinse ambientalistë as kur Bashkia e djeshme shfarosi lulishte të tera, si p.sh. lulishtja te sheshi “Italia”, lulishtja përballë PD, apo ish-lulishtja përballë viles simpatike të Toptanëve – tash kthyer në lokal “Sarajet” – ku ka mbirë një 23-katesh që i ka hipur përsipër edhe varrit të Pashait, paçka se ky na qenkësh monument kulture dhe nuk u lejuaka as t’i afrohesh. Kështu, të gjithë ne kemi m pak sipërfaqe të gjelbra në Tiranë. Kohët e fundit na dolën me kuç e me maç për një kinse kauzë: Bashkia kish prerë plepat dhe po cenonte sipërfaqe të gjelbra nga zgjerimi i Rrugës së Elbasanit, që parashikohet në planin rregullues të qytetit. Ata që nuk u ndien kur u zhdukën lulishtet mes Tiranës për të ndërtuar pallate për Fidelin, po protestojnë për plepa në periferi të qytetit, që po priten jo për pallat, por për zgjerim rruge!!! Natyrshëm, asnjë ekspert i mirëfilltë mjedisi nuk iu bashkua ballos me maska mes rrugëve, pasi ndihej i fyer të ishte në një sahan me sharlatanë të tillë me axhendë të qartë politike. Para tri ditësh pashë një shkrim tronditës të një eksperti mjedisi (Romeo Hanxhari), të botuar te “Panorama”, ku tmerrohej për kasaphanën që po kryente kryetari i Bashkisë së Vlorës, ditën me diell, në mes të qytetit, duke hedhur mijëra tonë dhera në vijën bregdetare (më saktë, në det) dhe shteti nuk vepronte. Z. Hanxhari kërkonte veprim nga qeverisja vendore dhe qendrore, përfshi Inspektoratin e Mjedisit, Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik vendor dhe qendror, Policinë dhe Prokurorinë për të vepruar. Dje, më së fundi, doli një nënkryetar i Bashkisë së Vlorës dhe tha që Bashkia do të ndërtojë shëtitore buzë detit, përfshi mbushje të detit. Ky zyrtar nuk di apo bën sikur nuk di që nuk lejohet të preket vija bregdetare, se ajo kërkon leje të veçantë në Këshillin Kombëtar të Territorit sipas një studimi mjedisor të detajuar dhe një leje të posaçme mjedisore të lëshuar nga Ministria e Mjedisit, pasi që të tregohet projekti i detajuar, ndikimet e mundshme dhe masat për zbutjen e ndikimeve në mjedis. Dhe në këtë mes, nuk ka ekspert mjedisi që do të pranonte që të mbushet deti me dhe’ të kuq që erodon gjithë kohës dhe shpërhapet në gjithë plazhin, duke cenuar cilësinë mjedisore të ujërave banjatore. Nëse do të kish një vendim (pas lejeve nga mjedisi dhe KKT për planifikim territori dhe ndërhyrje në vijën bregdetare) për të përfituar tokë nga deti, kjo nuk mund të bëhet duke shkarkuar dhe, por material solid që nuk korrodohet. Prita më kot se mos dilte ndonjë nga ata kinse ambientalistët që të shfaqej teatralisht i vrenjtur dhe të deklaronte që kjo që po ndodh në pjesën jugore të Portit të Vlorës është krim mjedisor, që kjo është dëmtim i vijës bregdetare, i cilësisë së ujërave banjatore, dhunim i ligjeve të shtetit, dhe të kërkonte llogari për mosveprim të strukturave përkatëse vendore dhe qendrore, përfshi Prokurorinë. Por jo. Në Vlorë është kryetar bashkie një socialist. Me sa duket, për kinse ambientalistët kaq mjafton. Nuk bën gabime Ai. Dhe kështu ata që protestuan për prerjen e disa dhjetëra plepave, ndërkohe që në Tiranë, në më pak se një vit janë mbjellë mbi 5000 pemë, nuk e quajnë të nevojshme të thonë një fjalë për ndryshimin e parikthyeshëm të ndryshimit të territorit. Dëmin më të madh çështjeve mjedisore po ua bëjnë kinse mjedisorët që kanë njohuri shumë të kufizuara, por një zell patetik për të brohoritur sipas emocionit të rastit apo sipas parullës së ditës së partisë.