E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/Kandidati për zv/president i republikanëve, Paul Ryan. Karriera e tij politike

13-08-2012 / Zëri i Amerikës

Kandidati republikan për presidentin Mit Romni, e vuri personin e zgjedhur prej tij për postin e nënpresidentit, kongresistin pak të njohur nga Uiskonsin në qendër të vemendjes së opinionit, duke shpresuar se kjo zgjedhje do të forcojë fushatën e zotit Romni. Shumë analistë politikë u kapën në befasi kur Mit Romni emëroi 42 vjeçarin Paul Ryan si zëvendësin e tij të mundshëm. Kongresisti nga Uiskonsin është një nga zërat më të fuqishëm për shkurtimet buxhetore që janë kritikuar vazhdimisht nga demokratët. Ata thonë se shkurtimet do të dëmtojnë programet sociale popullore si Medicare dhe Medicaid, si dhe programet e sigurimeve për të moshuarit dhe të varfrit. Romni tha se e shikon zotin Ryan si një individ me intelekt të fuqishëm që do t’u kundërvihej argumenteve të forta politike të demokratëve. "Paul Ryan është bërë një udhëheqës intelektual i Partisë Republikane. Ai i kupton sfidat fiskale që ka përballë Amerika, deficitin tonë të tellë dhe borxhin e madh, si dhe katastrofën financiare që na pret nëse nuk ndryshojmë drejtim”. Ryan ka kaluar pothuajse gjysmën e jetës së tij në Uashignton, së pari si nëpunës i kongresit, pastaj si anëtari më i ri i Dhomës së Përfaqësuesve. Ai fitoi një vend në Kongres në moshën 28 vjeçare dhe po përfundon mandatin e tij të shtatë në Kongres. Ai u rrit në Xhenisvill, një qytet i vogël në Uiskonsin, ku ende jeton me të shoqen dhe tre fëmijët e tyre. Në Kapitol, ai është treguar shumë i kursyer, ai qëndron në zyrën e tij katër ditë në javë dhe shkon në shtëpi në fund të javës për të qëndruar me familjen. Rajan është katolik dhe me zgjedhjen e tij, zoti Romni shpreson të fitojë mbështetjen e katolikëve dhe të grupeve të tjera fetare që kanë shprehur rezerva për fenë mormone të zotit Romni. Ryan është i apasionuar pas ushtrimeve fizike, pasi kur ishte vetëm 16 vjeç i ati i vdiq nga infarkti. Në fjalimin e tij, duke falenderuar Romnin për zgjedhjen, Ryan foli edhe për ndikimin që ka patur tek ai i ati. "Babai më vdiq kur isha i ri. Ai ishte njeri i mirë dhe i ndershëm. Më janë ngulitur në mendje disa këshilla të tij. Ai më thoshte: ‘Biri im, ti mund të jesh ose pjesë e problemit, ose pjesë e zgjidhjes së tij’. Për fat të keq, Presidenti Obama është bërë pjesë e problemit dhe Mit Romni është zgjidhja. Diçka tjetër që më thoshte im atë është se çdo brez amerikanësh i lë fëmijët e tij në një gjendje më të mirë. Kjo është trashëgimia amerikane”. Ryan u ngrit në postin e rëndësishëm të kryetarit të Komisionit të Buxhetit të Dhomës së Përfaqësuesve. Ai është gjithashtu anëtar i Komisionit të fuqishëm të burimeve dhe praktikave financiare”. Ai ndoshta është bërë më i njohur me propozimin e tij të vitit 2010 për të eliminuar deficitin buxhetor federal, një plan që ai e quajti “Harta rrugore e të ardhmes së Amerikës”. Ky plan fitoi admirimin dhe mbështetjen e konservatorëve fiskalë. Menjëherë pasi Romni bëri njoftimin para në grupi republikanësh entuziastë dje në mëngjes, drejtori i fushatës demokrate për zgjedhjet e Kongresit, Robi Mok, bërë thirrje për fonde fushate duke thënë “Romni sapo zgjodhi Pual Ryan për zv/president. Ky është Paul Ryan. Arkitekti republikan për të eliminuar Medicare-in”.
Republikanët Romney-Ryan në Karolinën e Veriut/Dyshja republikane, kandidati për president Mitt Romney dhe kandidati për nënpresident Paul Ryan e kanë vënë theksin te mesazhi se ata janë udhëheqja që do të rikthejë rritjen ekonomike. Zoti Romney dhe kandidati i tij për nënpresident Paul Ryan po zhvillojnë turne fushate në Karolinën e Veriut. Ky konsiderohet si një shtet me rëndësi kritike për zgjedhjet presidenciale. Zoti Romney shpreson që puna e ligjvënësit Ryan në Kongres për të reduktuar shpenzimet dhe për një qeveri sa më të kufizuar do të gjenerojë mbështetje nga baza republikane.
Anketat flasin për një garë të fortë presidenciale/Anketat në Shtetet e Bashkuara flasin për një garë të fortë mes presidentit demokrat Barak Obama dhe kundërshtarit të tij republikan, ish-guvernatorit të shtetit Masaçusets Mitt Romney. Anketat gjithashtu tregojnë se votuesit kanë prirjen për të pëlqyer presidentin si person më shumë se kundërshtarin e tij, por i japin një epërsi të lehtë zotit Romney përsa i përket ekonomisë, e cila është çështja më e rëndësishme e fushatës. Anketa e fundit e organizuar nga Gallup i jep Presidentit Obama një epërsi të ngushtë 47 me 46 për qind ndaj kandidatit republikan Mitt Romney, rreth 90 ditë para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Ka pasur luhatje të vogël në krahasim me anketat e organizuara nga Gallup në prill, dhe analistët thonë se ky mund të jetë një sinjal se gara presidenciale do të jetë e ngushtë deri në ditën e zgjedhjeve. Peter Brown punon për Institutin e Sondazheve në Universitetin Quinnipiac. “Zoti Obama duket se ka një epërsi të vogël në rrafshin kombëtar dhe në shumë shtete që mendohet se do të vendosin fituesin e zgjedhjeve. Por kjo nuk është një epërsi e madhe”. Zoti Brown thotë se gara për Shtëpinë e Bardhë do të intensifikohet menjëherë pasi Mitt Romney të zgjedhë kandidatit e tij për nënpresident dhe pas konventave të dy partive që do të mbahen në javën e fundit të gushtit dhe javën e parë të shtatorit. “Do të ketë disa ngjarje që vërtetë do të përcaktojnë këto zgjedhje – zgjedhja e kandidatit për nënpresident nga ana e zotit Romney, kuvendet e partisë Republikane dhe asaj Demokrate, dhe se si kandidatët do ta paraqesin veten para elektoratit. Dhe pastaj, natyrisht, debatet do të bëjnë kurorëzimin e fushatës”. Do të ketë tre debate presidenciale që do të mbahen në tetor dhe një debat mes dy kandidatëve për nënpresident. Analisti politik Tom DeFrank i gazetës New York Daily News thotë se Mitt Romney do të përpiqet të përdorë kuvendin e Partisë Republikane për të riparaqitur veten para votuesve amerikanë. Zoti DeFrank ishte i ftuar në programin e Zërit të Amerikës “Issues in the News”. “Unë mendoj se Romney do të ketë një ngritje në anketat e opinionit publik pas njoftimit të kandidatit të tij për nënpresident dhe pas fjalimit tij në kuvendin e Partisë Republikane ku zyrtarisht do të marrë emërimin e partisë. Mendoj se pas kuvendit Romney do të krijojë një epërsi disa pikëshe”. Zoti DeFrank gjithashtu vuri në dukje se anketat tregojnë se shumica e votuesve kanë vendosur tashmë se cilin kandidat do ta mbështesin. Një grup relativisht i vogël i votuesve të pavendosur do të jetë në shënjestër të fushatave të kandidatëve në përpjekje për t’i bindur përpara 6 nëntorit. “Në fund të fundit për mua Presidenti Obama nuk ka bindur shumicën e popullit amerikan se ai meriton të rizgjidhet. As ish-guvernatori Mitt Romney nuk e ka bindur shumicën e popullit amerikan se ai është njeriu i duhur për postin e presidentit”. Të dyja fushatat presidenciale dhe grupet aleate të tyre për mbledhjen e fondeve, të njohura si super PACS, ose komitete politike të veprimit, kanë shpenzuar dhjetëra miliona dollarë për prodhimin dhe transmetimin e reklamave politike gjatë javëve të fundit në përpjekje për të ndikuar te votuesit e pavendosur. Dhe ekspertët thonë se kjo do të vazhdojë deri në ditën e zgjedhjeve në nëntor.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›