Cekën nuk e bënë dot spiun

Neritan Cekës i propozuan të jetë bashkëpunëtor i Sigurimit. Presidenti i PAD-së thotë se i rezistova presionit për të shkuar në burg
Presidenti i PAD-së, Neritan Ceka, tregon se në periudhën e komunizmit i është propozuar të bëhet bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, por nuk ka pranuar, pavarësisht presioneve. Në një prononcim për “Korrierin”, ai shprehet se duhet të jetë hera e fundit që klasa politika shqiptare diskuton për ligjin e spiunëve dhe hapjen e dosjeve. Sipas tij, kjo çështje duhet të marrë fund. “Kam qenë ndër të rrallët që jam shprehur që në fillim kundër këtij ligji, pikërisht sepse nuk kam pasur asnjë implikim gjithë jetën time me këto çështje, pavarësisht se më janë bërë presione dhe kam qenë edhe unë në të njëjtat kondita si të gjithë ata persona që rridhnin nga familje të persekutuara ose nganjëherë gjysmë të persekutuara. Megjithatë, nuk mund të barazoj kurajën civile timen dhe karakterin tim me persona të tjerë”, - tregon Neritan Ceka. Kreu i PAD-së pranon se një kërkesë e tillë i është bërë, ndërsa saktëson më tej se i ka kaluar këto momente, por ka rezistuar edhe nën presionin që mund shkonte në burg. Por ndryshe nga ai, shumë të tjerë nuk i kanë rezistuar presionit, e kjo shtresë shoqërore sot i përket më shumë të djathtës. Sipas tij, nga ligji për pastërtinë e figurës do ta pësojë më tepër e djathta, sesa e majta. “Pjesa më e madhe e atyre që konsiderohen agjentë të Sigurimit të Shtetit janë rekrutuar nga shtresa që tradicionalisht i takonin të djathtës”, - thotë ai. Sipas Neritan Cekës, ka një element të fortë njerëzor në çështjen që trajtohet, e cila nuk mund të neglizhohet, por për t’i dhënë fund këtij diskutimi, duhen pranuar edhe disa sakrifica. Presidenti i PAD-së shprehet se ligji i ri duhet të ketë një hapësirë të tillë, që të mund të çlirohen nga sanksionet ata që vetëdeklarohen se kanë qenë dikur agjentë të Sigurimit të Shtetit. “Unë do ta pranoja të gjithë ligjin me këtë klauzolë plus. Me këtë amendament, ligji do të qëndronte, përndryshe jam i sigurt që, ashtu siç është nuk do të bëjë gjë tjetër, vetëm do të zgjasë manipulimin e dosjeve dhe të personave që mund të jenë nën presionin e dosjeve”, - shprehet ai. Për Cekën, zbatimi i ligjit ka një mospërputhje me të drejtat kushtetuese, që thonë se kushdo ka të drejtë të zgjedhë e të zgjidhet e askujt nuk mund t’i privohet një pozitë e caktuar në aktivitetet politike apo shoqërore. Por shmangia e sanksionit për ata të cilët vetëdeklarohen, mungon në projektligjin e PD-së, ndërsa tek ai i mëparshmi, i propozuar nga socialistët, thuhej se, nëse personi vetëdeklaronte qenien bashkëpunëtor, nuk publikohej. Ndërsa sipas Cekës, i cili ka refuzuar të jetë bashkëpunëtor, të gjithë ata që nuk i kanë rezistuar presionit, nuk do të jenë më në postet drejtuese të strukturave të shtetit. Sipas projektligjit të PD-së, jo vetëm ish-bashkëpunëtorët, por një pjesë e mirë e aparatit shtetëror të periudhës komuniste nuk do ta kenë këtë të drejtë. Ligji për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë parashikohet të votohet që ditën e hënë, ndërsa mungon konsensusi pozitë-opozitë