E dinim që Ati çonte klandestinë

KARAVASTA - Arrestimi i priftit në fshatin Karavasta ka tronditur jo vetëm pjesëtarët e familjes, por edhe banorët e fshatit. Të gjithë në Karavasta ndihen të mbërthyer pas lajmit që ka bërë jehonë në të gjithë vendin. Banorët e zonës e dinin se shtëpia e Mihal Shulit, 45 vjeç, ishte kthyer në një derë ku shihej mundësia për të shkelur në një tjetër shtet. Aida Qinani, një grua rreth të 40-ve, e cila ka shtëpinë përballë shtëpisë së priftit, thotë për gazetën “Korrieri”, se i vjen keq për arrestimin e tij. “Ishin njerëz të varfër dhe nuk i binin askujt në qafë. Mezi kanë përfunduar ndërtimin e shtëpisë”, - tregon Aida. E pyetur nga gazeta “Korrieri” nëse vinin njerëz nga fshatra të tjerë në shtëpinë e priftit për t’i kërkuar nisjen si klandestinë, ajo përgjigjet: “Kemi parë njerëz që hynin e dilnin në shtëpinë e priftit ose e thërrisnin, por gjithmonë mendonim se më tepër ata kishin të bënin me punët e kishës”. Ndërsa nën zë, shumica e banorëve të Karavastasë të thonë se kishin dëgjuar që prifti transportonte njerëz me taksinë e tij jashtë shtetit, por nuk dinë asgjë për shumën e të hollave që kërkohej në këtë rast.
Në shtëpinë e priftit
Në shtëpinë e At Mihal Shulit ndodhen vetëm vajza dhe djali i tij. Vajza, Linda Shuli, sapo ka mbaruar maturën shtetërore dhe pret të drejtën e studimit, ndërsa djali, Marko Shuli, ka mbaruar klasën e tetë. Shtëpia e priftit nga jashtë të jep përshtypjen e një vile, por nga brenda mungojnë të gjitha orenditë shtëpiake. Ato pak orendi që mbushnin katër dhomat, ishin që nga koha e ish-regjimit komunist. “Mamaja ka shkuar në Tiranë, - thonë fëmijët, - për problemin e babait, ndaj ne kemi mbetur vetëm. Nuk e dija që babai im niste klandestinë nga fshati. Ai thjesht punonte si taksist, por këtë tjetrën nuk ma merrte mendja kurrë. Vinin në shtëpi njerëz të moshave të ndryshme për t’i transportuar babi me makinë, por nuk e di se për ku”, - vazhdon të tregojë vajza e priftit”. Babai punonte si taksist në linjën Tiranë-Lushnjë ose Lushnjë-Fier, me një mjet tip “Audi” me targë TR 0338 D. Me këtë punë nxirrnim ndonjë lek tjetër, përveç rrogës që jepte dhespoti, prej 250 mijë lekësh të vjetra”, shprehet Linda Shuli.
Të trembur...
Familja e priftit të Karavastasë është trembur nga prania e uniformave blu, të cilët dy ditë më parë ishin në shtëpinë e tyre dhe kanë marrë kryefamiljarin. Por më tronditëse sipas fëmijëve të priftit kanë qenë momentet e kontrollit të shtëpisë nga policia. Sipas vajzës, uniformat blu nuk kanë arritur të gjejnë asnjë gjurmë apo provë materiale që të implikojnë priftin në trafikun e klandestinëve. Po sipas familjarëve, atyre u është komunikuar fillimisht se Mihal Shulin e ka akuzuar në polici një person për trafik klandestinësh dhe për këtë arsye do të ballafaqohej me të. Që nga ky moment, familja Shuli nuk e ka parë më kryefamiljarin, por nga mediat kanë marrë vesh lajmin për arrestimin e tij.
Mbyllet kisha e njollosur me trafik
Kisha e fshatit Karavasta në komunën Remas ka mbetur e mbyllur prej 24 orësh. Ajo është një kishë që ngrihet në mes të varrezave të fshatit. Nga brenda është pothuajse bosh. Vetëm disa bidonë ujë dhe karrige shumë të vjetra sheh përqark dhomave. Prej 12 vjetësh ka shërbyer si prift në këtë kishë At Mihal Shuli, pasi mbaroi shkollën teologjike në Durrës në vitin 1996. Askujt nga banorët e fshatit nuk ia merrte mendja se kjo kishë do të njollosej nga një histori trafiqesh klandestinësh, të kryer nga prifti i fshatit, që për ta njihet si njeriu i Zotit që nuk bën mëkate. Se sa para u merrte personave që trokisnin në derën e tij për t’i transportuar më pas përtej kufirit, kjo i mbetet prokurorisë të hetohet, pasi zërat janë nga 2000 deri në 3500 eurosh. Tashmë kjo histori ka mbetur për t’u ndriçuar nga duart e shtetit, por figura e priftit të Karavastasë tashmë është e njollosur, dhe këtë njollë as Zoti vetë nuk mund ta heqë më.