E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kirurgu, ryshfet për 13-vjeçarin

Prokuroria dokumenton një tjetër rast korrupsioni me operacionin e një të mituri nga Tirana, në dosjen penale të kirurgut Kastriot Dautaj. 

Trazhgim Sokolaj

Grupi hetimor që realizoi arrestimin e kirurgut-urolog ka arritur të zbulojë prova, që hedhin dritë mbi një tjetër rast të dyshuar mitmarrje nga mjeku, i cili po mbahet në paraburgim me urdhër të Gjykatës së Tiranës. Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë së Tiranës, sipas të cilave bëhet fjalë për operacionin e kryer në veshka për një fëmijë 13-vjeçar nga Tirana. Sipas burimeve nga hetimi, mësohet se edhe në këtë rast, mjeku i arrestuar kishte marrë një shumë ryshfeti prej 50 mijë lekësh të reja nga të afërmit e fëmijës, që është operuar në veshka. Agjentët e antikrimit ekonomik, të cilët që në janar 2008 ishin vënë në ndjekje të veprimeve të kirurgut kanë pasur informacione operative për ryshfetin që kirurgu ka marrë nga të afërmit e të miturit, megjithatë ky episod mësohet se nuk ka qenë e mundur të regjistrohet me pamje filmike për shkak të vendit, ku është bërë pagesa e parave. Burimet hetimore saktësuan më tej se ky episod i marrjes së ryshfetit nga pacientët është kryer nga kirurgu i arrestuar rreth katër muaj më parë, pasi hetimet ndaj Kastriot Dautajt kishin filluar për raste të tjera mitmarrje dhe për operacionin e vitit 2002, kur ai i ka hequr veshkën një pacienteje nga Laçi pa dijeninë e saj. Rasti i marrjes së parave nga familjarët e të miturit që është operuar në veshka mësohet të jetë dokumentuar nga Prokuroria mbi bazën e përgjimeve zanore ambientale si dhe nga deklarimet e marra prej personave të dëmtuar, të cilët kanë pranuar se operacioni i fëmijës kishte dalë me sukses, porse kishin paguar një shumë prej 50 mijë lekësh, të cilën ia kishin premtuar mjekut që para ndërhyrjes kirurgjikale në veshka. Ky episod është provuar edhe nga rrëfimet e hollësishme të dëshmitarëve të konsideruara tashmë si prova penale nga organi i akuzës. Prokuroria po heton edhe për tri raste të tjera të marrjes të ryshfetit nga kirurgu Kastriot Dautaj. Ai dyshohet se ka pranuar shuma të njëjta parash edhe nga të afërmit e tre pacientëve të tjerë të operuar prej tij. Rasti i pestë, i cili është arritur të filmohet nga përgjuesit e vendosur prej agjentëve të policisë dhe nga Njësia Task-Force Antikorrupsion, ishte ai i pak ditëve më parë kur kirurgu-urolog mori një shumë prej 50 mijë lekësh të reja në dhomën e tij të mjekimit nga babai i Liljana Hoxhës, banuese në periferi të Tiranës, menjëherë pas ndërhyrjes kirurgjikale që i ishte bërë asaj në veshka.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›