E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përtej të majtës dhe të djathtës

Blendi Kajsiu 

Më shumë sesa një qëllim, ideja e liderit të pozitës për të shkuar përtej të majtës dhe të djathtës është një realitet.   Sot më shumë se kurrë partitë politike shqiptare vështirë të ndahen në majtas apo djathtas. Mungesa e ndarjes ideologjike vjen pjesërisht si pasojë e de-ideologjizimit të skenës politike pas luftës së ftohtë në të gjithë Europën dhe përtej. Gjithashtu fakti që Shqipëria ...deri më sot ka pasur një sistem elektoral kryesisht mazhoritar, ka bërë që në skenën politike të mbijetojnë dy parti të mëdha, PS dhe PD, që klasifikohen si catch all parties, d.m.th parti që kërkojnë votën e elektoratit në përgjithësi. Parti të tilla e maksimizojnë votën e tyre duke iu drejtuar elektoratit të qendrës, larg ekstremeve ideologjike. Për pasojë, si PS-ja ashtu edhe PD-ja janë gjithnjë e më tepër parti të qendrës, çka nga pikëpamja ideologjike dhe e politikave i bën ato shpesh pothuajse të padallueshme. Pra, mungesa e dallimeve ideologjike mund të kuptohet edhe si pasojë e një strategjie elektorale për të maksimizuar votat. 
Por ka edhe një arsye tjetër, ndoshta më themelore, që mund ta shpjegojë çorientimin ideologjik në skenën politike sot. Duket se ekziston një mospërputhje gjithnjë e më e madhe midis pozicionimit në spektrin politik të dy partive kryesore nga njëra anë dhe elektoratit të tyre nga ana tjetër. Ndonëse PD-ja është e pozicionuar djathtas, elektorati i saj përbëhet gjithnjë e më shumë nga shtresat në nevojë. Sikurse treguan edhe zgjedhjet e fundit lokale, elektorati i PD-së është zvogëluar në zonat urbane dhe zgjeruar më shumë në ato rurale.  Ndërkohë që mesatarja e të ardhurave në zonat rurale është mjaft më e vogël se ajo në zonat urbane. Por edhe brenda zonave të mëdha urbane duket se mbështetja për PD-në është më e madhe drejt periferisë dhe zonave informale. Po kështu ndarja krahinore veri–jug tregon se mbështetja e PD-së është më e madhe në zonat veriore ku varfëria është më e madhe, ndërsa PS-ja ka mbështetje në zonat jugore, ku edhe mirëqenia është më e lartë. Pra, nga njëra anë kemi një të majtë ku gjithnjë e më tepër po bën pjesë shtresa e mesme dhe me më shumë të ardhura dhe nga ana tjetër një të djathtë, elektorati i së cilës gjithnjë e më shumë përbëhet nga shtresat më në nevojë. 
Origjina e kësaj ndarje i ka rrënjët që në fillimet e tranzicionit. Që në fillimet e saj elektorati i PS-së përbëhej jo vetëm nga nostalgjikët e regjimit komunist, por edhe nga shtresat që kishin përfituar më shumë prej atij regjimi dhe për pasojë e vlerësonin atë në një dritë më pozitive. Në kushtet e ekonomisë së tregut këto shtresa ishin më të përgatitura për të përfituar. Ato kishin më shumë edukim, strehim dhe kapital social e financiar si pasojë e pozicionit të tyre në regjimin e kaluar. Kjo e vuri Partinë Demokratike në një pozitë paradoksale, pasi nga njëra anë ajo ishte e vendosur të instalonte ekonominë e tregut, nga ana tjetër përfituesit më të mëdhenj të një sistemi ku shteti tërhiqej dhe vepronte konkurrenca nuk ishin shtresat që kishin vuajtur nga komunizmi, por përkundrazi, ata që kishin përfituar prej tij. Jo më kot në atë periudhë dhe më pas tek elektorati i djathtë u përhap ideja se komunistët kishin lënë pushtetin politik për të marrë pushtetin ekonomik. Kjo ishte pasojë e natyrshme e dinamikës së tregut, ku përftojnë ata që janë më të mirëpozicionuar në aspektin social, ekonomik dhe kulturor. 
Natyrisht PD-ja u përpoq t’i kundërvihej kësaj situate gjatë qeverisjes së saj të parë, shpesh duke shkelur normat dhe procedurat demokratike. Mjaft privatizime u bënë në mënyrë politike, shteti dhe administrata në përgjithësi u vunë në dispozicion të simpatizantëve të PD-së, u krijuan politika për privilegjimin e të persekutuarve, toka iu shpërnda fshatarëve në përgjithësi etj. Megjithatë në një sistem ku shteti zvogëlohej gjithnjë e më shumë dhe tregu zmadhohej proporcionalisht, ishte e pamundur për PD-në në 5 vite pushtet të ndryshonte profilin ekonomik të ndarjes sociale që trashëgoi prej komunizmit. Me ardhjen e PS-së në pushtet dhe daljen e PD-së në opozitë kjo ndarje u thellua edhe më tej për tetë vite rresht; elektorati i majtë përbëhej gjithnjë e më shumë nga shtresat me mirëqenie më të lartë dhe ai i djathtë gjithnjë e më shumë nga shtresat në nevojë. 
Këtu duhet kërkuar edhe vështirësia e PD-së për të instaluar një ekonomi funksionale tregu sot. Në një ekonomi tregu shtresat në nevojë që përfaqëson PD-ja do ta kishin shumë të vështirë mbijetesën. Në pamundësi për t’iu afruar atyre politikave sociale apo rishpërndarëse, PD-ja sot u afron atyre vetë shtetin. Kjo shpjegon se përse shumë nga ndryshimet në administratë dhe institucionet publike shpesh kanë shkuar më thellë sesa pritej. Punësimi në shtet është një nga mundësitë e vetme për shumë nga shtresat në nevojë, të cilave u mungojnë kapitalet, eksperienca apo lidhjet sociale për të konkurruar me sukses në tregun e lirë. Kjo shpjegon edhe shpërthimet e herë pas hershme të vetë Berishës kundër pasanikëve dhe vaskave të floririt. Ai në fakt në këtë mënyrë artikulon protestën e një elektorati të varfëruar përballë një pakice, pasuria e së cilës për ta simbolizon korrupsionin.
Nga ana tjetër Edi Rama sot drejton një parti të majtë, gjithnjë e më trendi, gjithnjë e më urbane. Të rinjtë dhe të rejat e PS-së shpesh u ngjasojnë më tepër moshatarëve të tyre në Europë sesa atyre në periferi apo fshat, ku nuk është çudi që t’i marrin për të huaj. Ndonëse shumë nga militantët e PS-së shpesh vijnë nga shtresat në nevojë, elektorati i saj përbëhet gjithnjë e më shumë nga shtresat e mesme dhe nga ata individë që mund ta përballojnë më mirë dhe më lehtë ekonominë e tregut. Ky është në fakt një elektorat gjithnjë e më pranë atij gri, gjithnjë e më pak ideologjik, pasi ai vërtet mund të votojë majtas, por përfitimin e ka më shumë djathtas, tek tregu, aktiviteti privat apo hapësirat që shteti krijon për tregun. 
Mbase tek ky deformim strukturor duhen kërkuar arsyet se përse politika si majtas ashtu edhe djathtas nuk ngjit.  Asnjëra nga partitë kryesore nuk duket se është e aftë për momentin të ndërtojë një fabul politike dhe program ekonomik që mobilizon shtresat elektorale që ajo përfaqëson. Etiketat ‘e majtë’ dhe ‘e djathtë’ më shumë fshehin sesa shprehin identitetin elektoral të dy kampeve kundërshtare. Për pasojë artikulimi politik si majtas ashtu edhe djathtas është gjithnjë e më bosh. Në të djathtë Berisha mban leksione për NATO-n përballë një elektorati që ende në pjesën më të madhe është pa punë, strehim dhe shkollim. Në të majtë Rama prezanton politikën e re, që ashtu sikurse edhe politika e vjetër flet për NATO-n dhe Europën, por i trembet referendumeve popullore. Në të dyja kampet artikulimi politik është jo vetëm përtej të majtës dhe të djathtës, por edhe përtej elektoratit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›