E Diel, 1 Nëntor 2026

Kisha e Arti - publikohet katalogu i ekspozitës, kushtuar 60-vjetorit të meshtarisë së Benediktit XVI

21-02-2012 / Gazeta 55

U paraqit këto ditë në Romë, libri “Shkëlqimi i së vërtetës. Bukuria e dashurisë”, katalog i ekspozitës së vjetshme kushtuar 60-vjetorit të meshtarisë së Papës Benedikti XVI. Libri, i publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit (LEV), dëshmon interesin e Kishës për artin bashkëkohor, në tërësinë e tij: pikturë, skulpturë, arkitekturë, apo muzikë. Kisha e artistët duhet të takohen sërish, për t’i dhënë kulturës shembullin e dialogut të frytshëm, që synon ta bëjë këtë botë më njerëzore e më të bukur: kështu u tha Ati i Shenjtë artistëve, në vitin 2011, duke shprehur qartë nevojën e rifillimit të marrëdhënieve të dikurshme ndërmjet artit e fesë, të cilat i kanë dhënë botës kryevepra të padiskutueshme. Këtë theksoi, gjatë paraqitjes së librit, edhe kryetari i Këshillit Papnor për Kulturën, kardinali Xhanfranko Ravazi: “Unë mendoj se këto marrëdhënie mund të rivendosen me kontribut të ndërsjelltë. Artistët na japin gramatikën e gjuhëve të reja, që kupton kultura e sotme dhe, ne u japim disa subjekte, disa tregime, që kanë qenë e janë tejet të rëndësishme për historinë e njerëzimit”.
Në këtë kuptim, ekspozita e vjetshme në sallën e Palit VI në Vatikan, përbën një gur të rëndësishëm në këtë rrugë afrimi. Gjashtëdhjetë vepra të po aq artistëve, në një horizont, ku përfshihen piktura e skulptura, arkitektura, muzika e fotografia. Vepra si stampa në karbon e Mimo Jodiçes, skulptura në bronx e dru e Kengiro Azumës, apo arte povera e Janis Kunelis, quajtur personalisht nga Ati i Shenjtë, shprehje e “peshës së jetës së përditshme”. Punime, në të cilat bashkohen gjenia njerëzore dhe nevoja për hyjnoren. Arkitekti Santiago Kalatrava ka kontribuar në një projekt për katedralen e “St.John the Divine” në Nju Jork. Ja ç’tha në paraqitjen e katalogut: “As që diskutohet mbi faktin se Kisha ka qenë mecenatja më e madhe e historisë së artit, gjatë dymijë vjetëve të fundit, sepse feja është një pikë madhështore takimi, si element mendimi e shprehjeje. Në një kohë kur komunikimi e plot gjëra të tjera lëvizin sipas skemave virtuale, lënda e një objekti të ndërtuar (nga artisti) merr rëndësi të madhe, sepse lë pas gjurmë bindëse. Unë besoj se gjuha e arkitekturës, e pikturës dhe e skulpturës kanë sot një rëndësi të jashtëzakonshme për fiksimin e dëshmimin e kohës sonë”. Bukuria, e vërteta dhe dashuria, që frymëzuan titullin e ekspozitës, janë ndër temat më të pranishme në magjisterin e Benediktit XVI. Sërish, kardinali Ravazi: “Kultura bashkohore e ka copëzuar realitetin në shumë fragmente: realiteti i vërtetë është për natyrën e vet, kompakt, i pandashëm. Ka në vetvete njëkohësisht misterin e së vërtetës, yllin e bukurisë dhe zjarrin e fshehtë të dashurisë”.
Këshilli i Kishave: Uji do të jetë në qendër të vëmendjes në fushatën e Kreshmëve/“Ekonomia e ujit”, është tema që zgjodhi Këshilli Ekumenik i Kishave (Cec) për fushatën e Kreshmëve. Në mënyrë të posaçme, përmes organizmit të quajtur “Rrjeti ekumenik i ujit”, Cec do t’i ftojë, për shtatë javë me radhë, të gjitha Kishat e krishtera të luten, të reflektojnë e të punojnë së bashku në mbrojtje të drejtësisë hidrike, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë botëror. Nisma filloi dje e do të përfundojë më 5 prill, të Enjten e Madhe. “Në këtë kohë krize ekonomike dhe ekologjike – shpjegon Cec në një notë – tema e zgjedhur për këtë fushatë të kujton menjëherë sa urgjente është që të krishterët të reflektojnë për ekonominë e ujit e të marrin edhe masat e përshtatshme për ta mbrojtur këtë pasuri të dorës së parë në jetën e njerëzimit. Sipas Maike Gorsboth, koordinator i Rrjetit, pa ujin nuk mund të kuptohet jeta e planetit, e as ekonomia e të jetuarit. Uji është element themelor i zhvillimit të qëndrueshëm në fushën e shëndetit, të sigurisë ushqimore, energjisë, pasurisë e varfërisë, probleme që shqetësojnë Kishat dhe mbarë botën, sepse, në bazë të vetë jetës së njeriut e të njerëzimit. Sa i domosdoshëm është uji për jetën, e kuptojnë më mirë vendet ku kjo pasuri mungon. Prej këndej, nisma, të cilën e shoqërojnë disa meditime javore, që mund të lexohen në kanalin e internetit të Cec. Janë ndihmesë për të nxitur meditimin e besimtarëve.Çdo javë, këto reflektime do të japin edhe përgjigje biblike për probleme të veçanta, si ekonomia e ujit, prodhimi dhe zbrazja e mbeturinave, prodhimi agro-ekologjik dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimaterike.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›