E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pastroni Dajtin, është kthyer në Malin e Mbeturinave”

"Shishe plastike, kanoçe birre, kuti picash dhe peceta letre të shpërndara gjithandej në bar dhe midis shkurreve e pemëve". 

 Ky ka qenë komenti që ka dashur t'i bashkëngjisë ambasadori danez në Tiranë, Niels Severin Munk, pamjes që ofron Mali i Dajtit. Në një letër sensiblizuese, ai shprehet i shqetësuar për shndërrimin që ka pësuar parku kombëtar, në atë që ai e quan "Mali i Mbeturinave". "Ne danezët, vetëm mund ta shikojmë me zili këtë vendndodhje të mrekullueshme të kryeqytetit tuaj, mes një natyre tepër të pasur. Ju keni shumë tokë pyjore, ujë të freskët dhe burime të tjera natyrore si dhe mesatarisht 300 ditë me diell në vit. Ne kemi pothuajse të njëjtën sasi ditësh të vrenjtura në Danimarkë. Prandaj prekem thellë në shpirt, kur shikoj pyllin e bukur dhe shpatet e gjelbër të Parkut Kombëtar të Dajtit, të dhunuar nga neglizhenca dhe mosrespektimi i ambientit", thekson mes të tjerash ambasadori Munk në letrën e tij. Sipas tij, fal potencialit turistik që ofron Dajti dhe të ardhurave që mund të mblidhen nga të ardhurat e biletave të hyrjes, taksat, apo edhe nga tarifa të tjera, mund të pritet që të bëhet shumë më tepër për ruajtjen e kësaj pasurie natyrore. "Tani është koha për ta shndërruar "Malin e Mbeturinave", i cili sodit nga sipër qytetin në një mjedis të pastër dhe të bukur. Shpesh kam sjellë miqtë dhe familjarët e mi në shpatet e malit. Komentet janë gjithmonë të njëjta: "Sa bukur, nëse hiqen dhe plehrat". Sinqerisht shpresoj se duke shtuar apelin tim personal do të nxis iniciativa që i shërbejnë përmirësimit të situatës", ka përfunduar në letrën e tij ambasadori Munk.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›