Debati për dosjet, PS: Topalli të hapë më parë dosjen e saj
Menjëherë pas deklaratës së kryetarit të Ligjeve pranë PS, ka reaguar kryetarja Topalli, me anë të zëdhënëses së saj, Suela Ruseti. Në një deklaratë për median, Topalli ka preferuar t’i drejtohet kryetarit të PS, Edi Rama, të cilin, me sa duket, e cilëson si iniciatorin e kësaj deklarate, të cilit i ka kujtuar se deklarata të tilla mund të prishin dhe konsensusin. “Jam këtu për t’ju deklaruar se kërkesa për shtyrjen e kalimit të ligjit për pastërtinë e figurave ka ardhur me ngulm nga Partia Socialiste, pas bojkotit të Komisionit të Ligjeve. Sa për akuzën personale të fabrikuar nga Edvin Rama, dua t’i them këtij tellalli të mashtrimit, se pastërtia e figurës së kryetares së Kuvendit është kontrolluar tri herë nga komisione të ngritura nga Partia Demokratike e nga Partia Socialiste, dhe ajo është e gatshme të verifikohet edhe 300 herë të tjera, ndërkohë që kryetari i Partisë Socialiste nuk është verifikuar asnjëherë. Frikë e tmerr kanë ata që kërkojnë shtyrjen e këtij ligji apo pengimin e rishikimit të pastërtisë së figurave.
Frikë e tmerr ka Edvin Rama që nuk është verifikuar asnjëherë. Dua të siguroj Edvin Ramën se konsensusi është shumë i çmuar, por jo më i çmuar se verifikimi dhe e vërteta në këtë proces”, - thuhet në deklaratë.