E Diel, 1 Nëntor 2026

Kishte në shtëpi 1000 fishekë, ndalohet 17-vjeçari

ELBASAN- Një kontroll i befasishëm i policisë së Elbasanit ka zbuluar një seri të plotë armësh nga pistoleta, pushka e deri tek fishekët.


Burime zyrtare bëjnë të ditur se në fshatin Katund i Ri, jo shumë larg qytetit të Elbasanit, në një banesë ku jetonte shtetasi me inicialet A.H, 17 vjeç, është gjetur një pistoletë e pajisur me fishekë, një pushkë dhe 1 mijë copë fishekë.


Nga të njëjtat burime mësohet se operacioni është bërë pas marrjes së disa informacioneve mbi të riun. Bashkë me të në banesë kanë qenë edhe disa shokë të tij, të cilët gjithashtu janë shoqëruar në komisariatin e policisë. 17-vjeçari do të përgjigjet për akuzën e "mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake".


Nga agjentët janë marrë në pyetje të rinjtë për të mbërritur tek arsyeja dhe nëse këto armë do të përdoreshin me ndonjë qëllim. Sasia e gjetur është bllokuar në cilësinë e provës materiale.


Besim Sllami e gënjeu të renë se e donte, duke i premtuar vajtjen në Greqi për një jetesë më të mirë


Shfrytëzoi për prostitucion 25-vjeçaren, arrestohet


ELBASAN - Policia ka vënë në pranga dy vetë pas denoncimit të një 25-vjeçareje se e kishin shfrytëzuar si prostitutë në Greqi për disa muaj. Ata kanë bërë të mundur kalimin e saj në shtetin grek pa dokumente dhe më pas, kundër dëshirës së saj, e kanë nxjerrë në rrugë.


Vajza është gënjyer në mënyrën "tradicionale" tashmë, duke iu premtuar dashuria si dhe një jetë më e mirë në shtetin fqinj me dashurinë e saj, i cili ishte i pajisur ndërkohë me dokumente të rregullta.


Besim Sllami, 36 vjeç, nga fshati Gur i Zi mësohet të jetë personi që ka mashtruar 25-vjeçaren. Me ndihmën e 34-vjeçarit Petrit Bajrami, për 200 euro, vajza ka kaluar kufirin dhe i është drejtuar shtetit grek. Por, me të mbërritur atje, "dashuria" ka përfunduar dhe 25-vjeçarja është detyruar me dhunë që të ushtrojë prostitucion për rreth katër muaj rresht.


Të gjitha paratë ajo duhet t'ia jepte tutorit të saj, Besim Sllamit. Disa muaj më pas, e reja ka mundur të shkëputet dhe është vetëdorëzuar në policinë greke, e cila e ka sjellë në Shqipëri për mungesë dokumentesh.


Me mbërritjen në qytetin e saj të lindjes, 25-vjeçarja i është drejtuar policisë ku ka kryer denoncimin ndaj Sllamit. Ky i fundit akuzohet për "shfrytëzim të femrave për prostitucion në rrethana rënduese".


Gjithashtu, akuzë është ngritur edhe ndaj Petrit Bajrami, i cili akuzohet për "dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit". Të dy janë vënë në pranga nga policia ditën e djeshme.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›