Vranë për të vjedhur kambistin, lihen në burg
Grabitësit kanë pranuar përpara togave të zeza vrasjen e Hyzotit, si dhe kanë rrëfyer gjithë skenën e krimit
DURRËS - Gjykata e Faktit në Durrës ka dhënë masën e sigurisë "arrest me burg pa afat" për tre të akuzuarit për vrasjen e kambistit Hyzoti.
Rreth orës 10:00 të paradites, nën masa të rrepta sigurie nga forca të shumta policore është zhvilluar seanca gjyqësore në ngarkim të të pandehurve Luiz Vangjeli, Kevin dhe Marvin Ranxha. Gjyqi është zhvilluar pa praninë e medieve.
Sipas burimeve nga gjykata, ka qenë prokurori i çështjes Sokol Nishani, ai që e ka përfaqësuar akuzën duke argumentuar se dispononte provat e nevojshme, të shumta e të pakundërshtueshme që fajësonin tre të pandehurit për krimin e grabitjes së armatosur që kishin organizuar në bashkëpunim e me paramendim. Të pandehurit kanë pohuar vrasjen, ndërsa është rrëfyer dhe skenari i parapërgatitur i krimit.
Një ditë më parë, të shoqëruar ata janë dërguar për shikimin e vendit të krimit dhe kanë detajuar se si ishin pozicionuar duke bërë një grafik të studiuar të lëvizjeve të viktimës para grabitjes. Po kështu në orët e mëngjesit ata kishin treguar para kamerave të prokurorisë se si e kishin parkuar motorin në një kthinë të lagjes 11 pasi ishin larguar nga vendi i krimit.
Ata kanë treguar hap pas hapi të gjithë ngjarjen e rëndë para trupit gjykues, duke shpjeguar se kishin plot dy javë që studionin terrenin, duke filluar ndjekjen nga orari i punës në agjencinë e këmbimit valutor, lëvizjet e viktimës, orën kur ai vinte dhe ikte nga puna etj.
Ditën e krimit tre autorët e kanë ndjekur nga pas kambistin 45-vjeçar që nga agjencia e këmbimit valutor që ndodhet në qendër të qytetit dhe deri tek kati i dytë i pallatit, ku ai banonte. Vangjeli, duke qenë se banonte afër kambistit ka qëndruar pranë pallatit të të ndjerit për ta mbajtur nën vëzhgim nga afër. Pas grabitjes dhe vrasjes ata janë larguar.
Sipas policisë, "rezulton se viktima pasi është grabitur, është qëlluar me automatik nga shtetasi Kevin Ranxha. Marvin Ranxha ndodhej në afërsi të pallatit për të siguruar veprimet e dy të tjerëve, ndërsa shtetasi Luis Vangjeli po e priste me motor të ndezur në hyrje të pallatit.
Ata janë larguar prej aty dhe më pas motori është braktisur në një distance jo shumë të largët nga vendngjarja". Trupi gjykues pas dëgjimit të të dyja palëve vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë "arrest me burg pa afat", të kërkuar nga organi i akuzës. Tre shtetasit akuzohen për "vjedhje me pasojë vdekjen".