E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy javë përpjekje për të grabitur e vrarë kambistin

13/05/2009  Autorët tregojnë në terren lëvizjet që bënë

DURRES- Tre të arrestuarit për vrasjen e kambistit në Durrës Ngushëllim Hyzoti kanë treguar të gjithë skenarin e grabitjes, të dhunës dhe të vrasjes së realizuar në bashkëpunim. Dje në orët e paradites forca të shumta të policisë së Durrësit të mbështetur nga agjentë të Antikrimit e Antiterrorit nga Drejtoria e përgjithshme e Policisë së Shtetit, kanë ndjekur me vëmendjet itinerarin e treguar nga të arrestuarit Kevin e Marvin Ranxha me banim në Elbasan dhe kushëriri i tyre nga Durrësi Luis Vangjeli. Vrasja e kambistit Ngushëllim Hyzoti ka ndodhur ditën e shtunë, ndërsa dy vëllezërit Ranxha së bashku me Vangjelin janë prangosur në të gdhirë të së dielës. Burime policore kanë bërë të ditur se tre të akuzuarit e kanë pranuar krimin dhe dje ata kanë treguar të gjithë skenarin. Dje mjete të shumta të policisë, efektiva blu të armatosur dhe agjentë civil kanë ndjekur hap pas hapi të gjithë dëshmitë e të arrestuarve. Kevin Ranxha 32 vjeç, Marvin Ranxha 26 vjeç dhe Luis Vangjeli 6 vjeç me maska në kokë, të veshur edhe me jelek antiplumb kanë përshkuar në këmbë në sy të kalimtarëve itinerarin e lëvizjes së tyre deri në kryerjen e vrasjes së kambisitit, të cilin e kanë qëlluar me armë automatike, pasi i kishin marrë nga çanta në mënyrë të dhunshme 20 mijë euro dhe 1 milion lekë. E gjithë dëshmia në terren e zhvilluar me praninë e prokurorit të çështjes Sokol Nishani është xhiruar nga kamera e policisë. Plot dy javë kanë qëndruar në Durrës, tek tezja e tyre vëllezërit Kevin e Marvin Ranxha dhe së bashku me durrsakun Luis Vangjeli kanë përgatitur, sipas policisë, skenarin e grabitjes dhe të vrasjes së kambistit. Gjithçka është dëshmuar me veprime me zë duke i dhënë policisë së shtetit një provë shumë të fortë në dorë për t’i shkuar deri në fund zbardhjes së krimit. Babai i tre fëmijëve, Ngushëllim (Gushi) Hyzoti është ndjekur nga afër nga autorët e krimit, të cilët kanë parë kohën e hyrjes e të daljes në lokal në banesë, mënyrën e transportit të parave dhe gjithçka që u ka interesuar. Nisur nga pohimet policore të Kevin e Marvin Ranxha një vit më parë kanë tentuar të kryejnë vjedhjen e një autoveture në Tiranë, ndërkohë që ata janë pyetur për të gjithë aktivitetin e tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›