“Administrata ka si yll polar vetëm shërbimin ndaj qytetarëve dhe ligjit”

Ministri i Brendshëm, Flamur Noka takon drejtuesit e strukturave të Ministrisë si dhe prefektët e 12 qarqeve
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka zhvilloi dje një takim prezantues me drejtues të administratës, prefektë dhe drejtues të tjerë lokal në varësi të Ministrisë së Brendshme. Noka kërkoi nga drejtuesit e Ministrisë së Brendshme të angazhohen maksimalisht për t’ju përkushtuar interesit të qytetarëve dhe zbatimit të ligjit. Ai theksoi se Ministria e Brendshme do të luajë një rol aktiv në përmbushjen e ambicieve të qeverisë shqiptare për të përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën vendore, duke kontribuar në sistemin rrugor, atë të ujësjellës - kanalizimeve, arsim, shëndetësi apo menaxhimin e mbetjeve urbane.
“Ministria e Brendshme do të konsolidojë arritjet e deritanishme për patur marrëdhënie të ngushta dhe të pandikuar nga ngjyrat politike me të zgjedhurit vendorë në çdo qytet, komunë apo fshat. Ne duhet të luajmë një rol aktiv në përmbushjen e ambicieve të qeverisë shqiptare për të përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën vendore, duke kontribuar në sistemin rrugor, atë të ujësjellës - kanalizimeve, arsim, shëndetësi apo menaxhimin e mbetjeve urbane. Si kryesues të Presidencës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ne do tregojmë dhe vërtetojmë se një demokraci e lulëzuar dhe një shoqëri e konsoliduar nuk mund të kuptohet pa një qeverisje vendore moderne, me prioritete që janë mirë të vendosura në listën e prioriteteve evropiane dhe që tentojnë t’i japin kësaj presidence gjallërinë dhe entuziazmin shqiptar, që ka ambicien ta kthejë Shqipërinë në një vend të zhvilluar, paqeje e bashkëjetese”, u shpreh ministri i Brendshëm.
Ai theksoi se roli i Ministrisë së Brendshme është jashtëzakonisht i rëndësishëm në përpjekjet e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat.
Noka u ndal te rekomandimet 6, 9 si dhe 8, 12, përmbushja cilësore e të cilave do jetë pjesë thelbësore e suksesit në sfidat evropiane të vendit.
“Si Ministër i Brendshëm, si deputet, por edhe si qytetar, jam i ndërgjegjshëm se ne kemi me çfarë ta matim punën tonë. Ne duhet të përmbushim me cilësi të lartë detyrimet tona lidhur me rekomandimet për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian; veçanërisht ato 6, 9 por edhe ato 8 dhe 12. Ndihem i detyruar të nënvizoj se përmbushjen cilësore të rekomandimeve deri tani do të vazhdojmë të jemi pjesë thelbësore e suksesit si në rastin e liberalizimit të vizave, duke i dhënë Shqipërisë e shqiptarëve mundësinë e kënaqësinë e ëndrrës së plotësuar, qenien pjesë integrale e Bashkimit Europian”, deklaroi ministri Noka.
Në kuadër të procesit të decentralizimit ministri i Brendshëm, Flamur Noka ka siguruar se do të vijojë praktika bashkëpunuese me të gjitha njësitë vendore pavarësisht ngjyrës politike që kanë të zgjedhurit vendor.
“Në këtë frymë, për të përmbushur angazhimin tonë të panegociueshëm për të përmirësuar jetën e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë, trajtimi i çdo të zgjedhuri vendor, pavarësisht përkatësisë partiake, do të jetë vetëm i barabartë dhe jo ndryshe! Si një ish – i zgjedhur nga qytetarët, unë i garantoj të zgjedhurit vendorë se respektimi i parimeve gjerësisht të pranuara dhe të sanksionuara në Kartën Europiane te Autonomise Lokale e Rajonale, është kusht i panegociueshëm i marrëdhënieve tona të përbashkëta. Bashkepunimi dhe konsultimi me të zgjedhurit vendorë, respektimi i parimeve të ushtrimit të lirë të mandatit dhe zbatimi rigoroz i ligjit do të jenë busulla e drejtimit të këtij dikasteri. Garantimi i kushteve juridike, administrative e financiare për ushtrimin e mandatit të të zgjedhurve vendorë, do të vazhdojnë të respektohen me rigorozitetin maksimal nga qeveria shqiptare dhe unë personalisht”, tha ai.
Noka garantoi gjithashtu angazhimin e Ministrisë së Brendshme për zgjedhje me cilësi dhe standarde demokratike. “Ne krijuam në një kohë rekord Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, një prej sistemeve më modernë të dokumenteve të identitetit, si pasaportat biometrike dhe letërnjoftimet elektronike. Dhe ne do të vijojmë punën për konsolidimin e këtyre sukseseve, për krijimin e platformave të integruara dixhitale që lidhin dokumentet e identitetit dhe të dhënat biometrike me shërbimet jetike si: sigurimet shoqërore e shëndetësore, tatimet dhe postën. Këta dokumente janë gjithashtu baza e garancia për të patur zgjedhje me cilësinë dhe standardet më të larta, të lira e demokratike. Është koha që të garantojmë më mirë se asnjëherë tjetër cilësinë më të lartë të mundshme në plotësimin e infrastrukturës zgjedhore në listat e zgjedhësve. Ne do të garantojmë ruajtjen e rendit publik dhe standarde të larta gjatë zhvillimit të proceseve zgjedhore. Detyra jonë është të japim një mesazh të qartë, se cilësia e lartë dhe transparenca absolute, zbatimi rigoroz i ligjit dhe krijimi i të gjitha kushteve, do ta bëjnë Ministrinë e Brendshme dhe Qeverinë Shqiptare të qëndrojë në avangardë të plotësimit të standardeve zgjedhore nga institucionet shqiptare”, tha më tej ai.