Kjo është letërsia, e reja dhe e rrezikshmja
Kryetari i jurisë, Mark Marku, flet për prurjet e 2008-s në letërsi. Cilat janë problemet që janë reflektuar përgjatë këtij viti në letërsi. Pse nuk u dhanë dhe në çfarë gjendje është gjinia e tregimit dhe letërsia për fëmijë? Kryetari i jurisë tregon dështimin e botuesve në panairin e ’08, në bumerangun që krijoi dyndja e titujve të rinj. Debatet e rralla që kanë ndodhur këtë vit në fushën e letrave. A mund të flitet për nivel letrar apo kritik? Sa ka ndikuar media në vlerësimin e letërsisë, dhe si është marrëdhënia e lexuesit të sotëm me librat? Së fundi, a ka evidentuar ky konkurrim ndonjë brez si ai i ’90-s, eksperimentin e ri letrar?
Kadareja vazhdon të jetë mjeshtër dhe nostalgjik për tirazhin e lexuesve shqiptarë. Libri i Ben Blushit mori zhurmë më tepër se ç’është vlera e librit, por gjithsesi ka nivel letrar. Kritika nuk ka asnjë libër serioz. Ndërsa media vazhdon të udhëheqë dhe të ndikojë në opinionin e lexuesit ashtu siç i vjen për mbarë. Botuesit kanë njohur dështimin më strategjik në panairin e 2008, duke e shndërruar librin si një produkt të tregut të shumicës, apo si çorape që shiten në rrugë... Ka shumë arsye kryetari i jurisë, Mark Marku, të thotë se për gjininë e tregimit nuk u dha çmim, sepse nuk është arritur as niveli mesatar në prurje, ndërsa letërsinë për fëmijë e shikon si më të rrezikshme për kushtet e sotme të tregut, në dëmtimin që i bën kësaj moshe.
Është mediokre dhe banale, që nuk lidh asnjë shije, nuk krijon asnjë hierarki të vlerave, - flet shkurt Marku, - por shihet si letërsia më e rrezikshme për moshën së cilës i përket. Ndërsa ajo që pritet më sy hapur, dhe të flasim për ndonjë eksperiment të ri letrar siç ndodhi me brezin e pas ’90-ës, ta harrojmë - asgjë e tillë nuk po duket, vetëm identifikimit të një emri, poetes Indrit Sinani. Marku tregon në një intervistë për “standard” arsyet që e shtrëngojnë një kritik të konvergojnë në dy-tre vepra më serioze, siç ishin evidentimi i tre romaneve për 2008 - që iu nda dhe çmimi; Kadare, romani i Mehmet Krajës dhe Ben Blushi. Ja kjo është letërsia, ajo e reja dhe e rrezikshmja.
Si gjithmonë pyetja rutinë, si kanë qenë prurjet e këtij viti në letërsi, duke menduar se mund ta keni pasur të vështirë, pasi jeni shpallur kryetar jurie tepër vonë? Por ndoshta të dhënat duhet t’i keni pritur edhe të gatshme...
Është e vërtetë që një pjesë e punës ka qenë e gatshme, por unë edhe kam lexuar gjatë vitit, dhe nuk lexoj vetëm në rastin e pjesëmarrjes në juri. E ndjek procesin letrar edhe për interesat e mia. Probleme mendoj se ka pasur në dy-tre gjini, por aty ku ka pasur konkurrencë ka pasur vërtet vepra të mira. Tek romani kanë qenë tre vepra shumë të mira, si ai i Ismail Kadaresë që edhe u vlerësua, romani i Mehmet Krajës dhe ai Ben Blushit. Sidomos romani i Kadaresë. Në poezi ka pasur një konkurrencë për dy-tre libra shumë të mirë, mes tyre dhe një poete e re, Indrit Sinani, kishte një libër shumë të mirë. Tek përkthimi ka pasur prurje dhe gjërat më me vlerë në fakt, po të përjashtojmë romanin e Kadaresë, dhe Mehmet Krajës, tek përkthimet ka pasur vepra fantastike. Aty e kemi pasur më të vështirë për të përzgjedhur, por u lehtësua pak për faktin se ishte përkthimi i një autori shumë të madh siç është Gëtja, i veprës më të rëndësishme të tij siç është “Fausti” dhe përkthyer nga Pashk Gjeçi dhe Shpëtim Çuçka, dy përkthyes. Kështu që arritëm në një konsensus drejt këtij çmimi.
Pastaj në fusha të tjera ka pasur vlera mesatare. Duhet pasur parasysh se pavarësisht volumit të prodhimit letrar, në përgjithësi arrin në dy-tre vepra serioze që përqendrohet juria. Deri aty nuk është shumë e vështirë për të përcaktuar kush është vepra serioze, kush janë për t’u marrë në konsideratë dhe kush janë veprat e tjera. Ka fusha ku ka dy vepra, nganjëherë një ku p.sh., kritika letrare ka pasur pothuaj shumë pak vepra serioze. Tek eseja veçoj librin e Artan Fugës, që mendoj është një libër shumë i rëndësishëm në kulturën shqipe.
Ndërkohë që tek letërsia për fëmijë ka pasur vepra kryesisht banale dhe unë i gjykoj të rrezikshme për lexuesin, duke pasur parasysh moshën e lexuesit që është shumë delikate dhe është momenti kur i formohen shijet e leximit.
Letërsia që e quajtët të rrezikshme, ajo për fëmijë. Pse nuk ndatë çmim për të, si e shpjegoni këtë fenomen?
I kam parë të gjitha veprat. Letërsia për fëmijë nuk ka pasur asnjë vepër serioze, jo banale, të cilën unë do t’ia jepja vajzës sime pas pesë vjetëve, kur të rritej, për ta lexuar. Kam ndjekur të njëjtin parim për lexuesin e vogël, të njëjtin parim për fëmijën tim që nesër kur të fillojë të lexojë. Libra të tilla do t’i ndaloja. Në këtë kuptim nuk mund t’i merrnin në konsideratë. Librat e dobët dhe mediokër që botohen për fëmijë, unë mendoj se dëmtojnë shumë më tepër se librat për të rritur. Sepse i rrituri e ka një sistem si të thuash përzgjedhjeje dhe gjykimi më të përforcuar, dhe e ka pak a shumë një hierarki vlerash në kokë. Ndërkohë që fëmijës i krijohet ky sistem, i krijohet shija, hierarkia e vlerave dhe nëse kjo krijohet e gabuar unë mendoj, se e dëmtojmë shumë. Për këtë arsye nuk dhamë çmim për letërsinë për fëmijë.
Përveç letërsisë për fëmijë, nuk u dha çmim as për tregimin...
Edhe për tregimin nuk dhamë çmim. Në këtë gjini kishte dy-tre vepra, por më duhet të pohoj mendimin se ishin në nivelin mesatar dhe nuk ngjiteshin në nivelin e veprave për t’u dhënë çmim. Jemi munduar të mos të stimulojmë mediokritetin, veprat konsumiste, të mos stimulojmë veprat që nuk sjellin asgjë, edhe kur kanë pasur ndonjë farë vlere. Por në momentin kur nuk sjell asgjë të re në letërsi, pse duhet të marrë çmim?
Një nga kriteret e reja të vlerësimit të librave ka qenë monitorimi i tregut, si dhe orientimi nga regjistrimi i zakonshëm i librave, pajisja me ISBN e botimeve në Bibliotekë, që përmes tyre të shiheshin prurjet e reja. Çfarë pune konkrete është bërë duke pasur parasysh këtë aspekt, si e ka ndjekur juria tregun, kur jemi koshient për raportimet e fryra që na japin shtëpitë botuese në shifra, rekord shitjesh të botimeve të tyre?
Ne nuk jemi nisur nga shitjet, sepse ky do të ishte çmimi i lexuesit pastaj. Ky është çmim jurie letrare profesioniste, që do të thotë gjykon vlerat dhe jo shitjet. Edhe shitjet deri në një farë mase duhen konsideruar, sepse një shkrimtar që nuk shkon tek lexuesi, e shpërfill lexuesi, duhet menduar se ka diçka që nuk shkon. Ka edhe vepra që nuk përfillen nga lexuesi në një moment, por vjen një moment që përfillen. Në monitorimin e tregut ka të bëjë me ndjekjen ritmike të botimeve dhe e dyta me përcjelljen e tyre nga shtypi. Një libër që përbën eveniment kulturor ne e kemi marrë në konsideratë dhe pastaj për pjesën tjetër i jemi referuar ISBN-së së Bibliotekës Kombëtare, duke hyrë direkt në website-n e saj, ku janë pasqyruar shumë mirë të gjitha botimet. Kështu që, nuk kemi pasur probleme në këtë drejtim.
Na intereson fakti i shkrimeve vlerësuese që ne themi zakonisht, kritikë, për botimet e vitit 2008. Sa janë konsideruar nga juria këto shkrime promovuese, dhe në ç’nivel kanë qenë këto shkrime, realisht?
Janë marrë në konsideratë vetëm si fakte kritike rreth librit. Por, nuk kanë shërbyer për të ndikuar në opinionin e jurisë. Sepse në një juri me pesë vetë ka mundësi të shkojë në debat drejt përzgjedhjes optimale.
Gjithsesi, duam të dimë në ç’raport me jurinë ka qenë ky qëndrim vlerësues për botimet e reja?
Ka pasur patjetër një farë ndikimi. Për shembull, libri i Blushit është konsideruar dhe për faktin se ka bërë bujë...
Është unik rasti i Blushit, por kemi pasur dhe botimin e romanit të fundit të Kadaresë, apo librin historik të Schmid-it, është një eksperiencë e këtyre tre librave që rrallë ka ndodhur të hapen debate me përmasa mediatike që i dimë...
Po, është e vërtetë dhe ne e kemi marrë parasysh këtë fakt. I kemi futur ato në konkurrim, si dhe e kemi vlerësuar mendimin kritik që është bërë rreth tyre.
Çfarë tregon, sipas jush, ky debat, a mund të flitet për nivel letrar e kritik të tij?
Në radhë të parë kjo ka të bëjë me temat. Kur trajton tema delikate, në këtë rast shpesh libri bëhet objekt. Rasti i Blushit është sa për temën aq dhe për vlerat e librit. Sepse unë e gjykoj librin e Blushit, një libër me vlerë. Rasti i Kadaresë është për mjeshtërinë e shkrimtarit, i cili për mua ka bërë një nga librat më të mirë të tij.
Ka raste ku ekziston debati po nuk ka vlerë libri, p.sh. Dan Brown për “Kodi i Da Vinçit”, një libër që prek një temë të ndjeshme që lidhet me komunitete fetare, libri ka me tepër tërheqje për vetë subjektin që trajton se sa për vlerat estetike. Kështu në këtë rast nuk kemi pasur. Ndërsa në rastin e Blushit ndërthuren të dyja sa zhurma më pak e tepruar se çka vlera librit, aq dhe vlerat reale që ka libri. Mendoj se është një autor që merret në konsideratë.
Ju folët për nivelin mesatar të tregimit, që ju çoi në mosdhënien e një çmimi për këtë gjini. Por nga ana tjetër, ka tregimtarë që shkruajnë, por që nuk njihen dhe libri nuk bën dot jetë tregu, të cilët nuk arritën të vijnë në ministri...
Nuk ka kaluar asnjë libër pa u shqyrtuar.
Si e konsideroni faktin që këtë vit në panairin e librit ka pasur një vërshim botimesh të reja, gati si strategji për të gjithë botuesit, duke krijuar një bumerang titujsh pa jetë tregu?
Unë mendoj se kjo ka të bëjë me marketingun e shtëpive botuese. Ata e shfrytëzojnë panairin për ta promovuar dhe shitur njëkohësisht. Kjo gjë nuk ndodh me panairet e tjera. Panairet në botë përgjithësisht janë panaire të ekspozimit të librit dhe identifikimit para publikut të librit. Ndërkohë se si shitet është proces tjetër. Them që kjo ngatërresë ngjan pak a shumë si një lloj tregu me shumicë, ku të gjithë t’i nxjerrin librat në panair me idenë që të shesin dhe të marrin fitime të menjëhershme nga libri. Kjo ka të bëjë dhe me gjendjen financiare të botuesve.
Pra, ishte një dështim si strategji, qoftë për botuesit dhe shkrimtarin që nuk arriti te identifikimi, promovimi...
Është dështim patjetër. Sepse libri vërtet është një produkt, por ama është një mall i një lloji të veçantë. Nuk është një mall si të gjithë llojet e tjera që nxjerr një produkt të ri, gjen një tezgë dhe e shet, apo si çorapet e leshit që i nxjerr rrugëve. Trajtimi i librit si i tillë është i dëmshëm dhe e çon industrinë e librit në një gjendje gjysmë primitive, parakapitaliste.
Na tërhoqi prononcimi i Kadaresë, pasi iu dha çmimi i madh i letërsisë nga ministria, kur tha: “Lexuesi shqiptar po i kthehet kohëve të mira” - është pak nostalgjik shkrimtari ynë për tirazhin e lexuesve shqiptarë. Është dhe për ju ky tingëllim, apo keni mendim tjetër për lexuesin e sotëm?
Jo, unë mendoj se tranzicioni gjeti një shoqëri në tronditje, zhvendos dhe interesin e njerëzve në disa gjëra. Mendoj se ajo që ka thënë Kadareja ka të bëjë me këtë, që tani ka një rikthim, ripërqëndrim të njerëzve tek libri, dhe një veleritje në fushat e tjera ta zëmë me spektaklin politik a me leximin e shtypit apo me diçka të tillë.
Për letërsinë është një çmim që jepet nga Ministria e Kulturës, në një farë mënyre është një çmim politik, zyrtar. A mendoni se ka ardhur koha që të ngrihen institucione të pavarura, që t’i largohen politikës për dhënien e një çmimi të madh letrar?
Unë kam qenë dy herë kryetar jurie i çmimeve kombëtare. Kini parasysh, juria me të marrë funksionin nuk ka asnjë lidhje me ministrinë. Kështu që ministria nuk ka asnjë lloj ndikimi tek ky çmim. Për këtë të jeni të sigurtë. Ministria mund të ndikojë në zgjedhjen e anëtarëve të jurisë. Gjithsesi Ministria nuk është e interesuar ta diskretitojë konkursin, të zgjedhë këtu militantë partiakë. Asnjë prej nesh aty nuk është militant partie.
Por, nuk mund ta mohoni, çdo vit është debatuar për këtë, madje edhe janë bërë deklarata herë pas here, se ky është një çmim politik...
Dakord, debate ka. Por, unë, mund t’ju them, se ministria nuk ka asnjë mundësi për të ndërhyrë tek juria.
Pse e bën kaq të domosdoshëm këtë çmim dhe shkrimtarin të lidhet aq shumë me ministrinë?
Sepse ministria ka fondet. Po ta organizonte akademia, do ishim dakord. Çmimin francez p.sh., e organizon akademia franceze, ka çmime që organizohen nga gazetat, fondacionet, apo juri që funksionojnë si institucion në vetvete etj. Ka forma të ndryshme për vlerësimin e letërsisë, por që ka një kosto financiare.
Raporti i brezave në lidhje me letërsinë. Mbas ’90-s pamë një grup letrarësh që bëni pjesë edhe ju, që u quajtën avangardë. Në këtë moment, ku jemi a mund të flitet për fillesat e ndonjë brezi tjetër që po ndryshon formën e të shkruarit të letërsisë, duke pasur parasysh edhe prurjet në këtë konkurrim?
Jo, nuk mendoj... Them se brezi i ’90-s ku bëj pjesë edhe unë është precipituar, ka hequr dorë pak nga eksperimentalizmi, është pjekur pak, në një farë mënyrë mund të quhet një brez i konsoliduar dhe shumë ndikim në letërsi rasti i Agron Tufës, Ervin Hatibit, Gentian Çoçolit etj.
Po ju pyesja, a po del, a mund të themi se po lind një brez i ri, një eksperiment i ri letrar?
Jo, jo nuk kemi parë. Siç e thashë edhe më lart ishte një poete Indrit Sinani dhe Albana Shala, e cila nuk ishte e re mesa mora vesh nga mosha. Nuk e njoh. Por me sa di unë si moshë nuk futet tek të rinjtë. Kur kemi botuar ne, pra kur jemi afirmuar për herë të parë si brez, kemi qenë 18-22-vjeçarë të gjithë. Në këtë sens eksperiment i ri letrar më duket Indrit Sinani, dhe një tjetër, nuk mbaj mend emrin, me një vepër “Okul tefter” - sa menduam se çfarë është ky turk që ka konkurruar këtu.