Orfeo dhe Euridice, nesër në skenën e Akademinë e Arteve
>Nesër në skenën e Akademisë së Arteve do të ngjitet opera Orfeo dhe Euridice, nga Christoph Willibald Gluck, e cila do të ketë protagonistë studentët e vitit të III dhe të IV. Kjo opera shënon edhe fundin e stinës koncertore të dimrit në Akademinë e Arteve.
Drejtori artistik i Stinës Koncertore të Dimrit, Sokol Shupo është shprehur se qëllimi parësor për këtë aktivitet ka qenë nxjerrja në skenë e studentëve, pasi askush nuk mund të bëhet artist duke qëndruar në shtëpi, dhe sipas tij studentët duhet të mësohen me skenë. Shupo e vlerëson performancën e pjesëmarrësve në të tetë shfaqjet e realizuara gjatë kësaj Stine Koncertore dhe thotë se në syrin e akademikëve, kjo stinë rezultoi mjaft e suksesshme. Arritëm të nxirrnim në skenë studentë të përgatitur, por dhe emra të mirënjohur të skenës, të cilët janë njëkohësisht dhe pedagogë të kësaj akademie, si Nora Çashku, Merita Rexha Tërshana, është shprehur dekani Shupo. Këto koncerte sipas drejtuesve të Stinës Koncertore nuk duhen bërë vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë dhe një pjesë e tyre duhet të shfaqen edhe në qytete të ndryshme të vendit. Për sa i përket operës që do të ngjitet nesër në skenë, drejtuesit e saj janë shprehur se opera është një gjini e vështirë, por ata kanë menduar ta fusin në programin e Stinës Koncertore, madje dhe në Stinën Koncertore të Pranverës do të shfaqet një opera e Puçinit. Stina Koncertore e Dimrit është një aktivitet i Akademisë së Arteve dhe drejtohet nga Prof. As. Alqi Lepuri dhe Prof. Dr. Sokol Shupo, drejtor artistik. Ky aktivitet ka nisur që në dhjetor të viti 2008 dhe nesër do të ngjitet në skenë dhe shfaqja e fundit e saj , e cila me aktivitetet që zhvilloi e shtoi gjallërinë kulturore të kryeqytetit.